Kreu Kulturë ‘Pesë fëtyrat e Heshtjes’, dramë psikologjike, arritje artistike e Teatrit ‘Migjeni’ dhe...

‘Pesë fëtyrat e Heshtjes’, dramë psikologjike, arritje artistike e Teatrit ‘Migjeni’ dhe aktorëve nga Kosova dhe Shkodra

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Mbrëmë pata kënaqësinë të ndjeki në Teatrin ‘Migjeni’ në Shkodër shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtura”, një realizim me regji nga Ilir Bokshi dhe asistent regjizor Astrit Fani. ‘Pesë fëtyrat e Heshtjes’ ishte një performancë mbresëlënëse e aktorëve, Ardian Morina, Albulena Bokshi, Uratë Shabani, Ina Morinaj, Nikolin Ferketa dhe Fritz Selmani. Interpretimi i Adrian Morinës në rolin e Billy-t ishte shumë mbresëlënës me vlera aktoriale dhe psikologjike. Ai arriti të sjellë me një intensitet të rrallë ankthin e një njeriu të mbushur me trauma të akumuluara gjatë jetës, duke e ndërtuar një figurë që lëkundet mes frikës, dhunës dhe nevojës për kontroll. Ndërsa prania e Albulena Bokshi si nëna, e cila mbart një heshtje të rëndë arketipiale dhe një faj të ‘nënkuptuar’, të psikikës së një gruaje, që shtrihet në gjithë strukturën emocionale të veprës.

Semiotika e dramës ‘Pesë fëtyrat e Heshtjes’, çdo ndalesë bëhet ‘shenjë’.

Vënia në skenë nga Ilir Bokshi, me asistent Astrit Fani e shndërron dramën në një gjuhë të heshtjes së organizuar. Regjia e tij nuk mbështetet te fjala, por te ritmi, pauza dhe tensioni i brendshëm, ku çdo ndalesë bëhet shenjë. Hapësira skenike funksionon si kod i mbylljes psikike, duke e kthyer skenën në një hartë të traumës. Interpretimi i Ardian Morina ndërton një semiotikë të trupit dominues, gjesti, qëndrimi dhe zëri krijojnë një prani ‘kërcënuese’ që komunikon pushtet edhe kur nuk flet. Ai bëhet shenjë e dhunës që nuk ka nevojë për artikulim. Ndërsa Albulena Bokshi operon në një regjistër më të brendshëm, një semiotikë e brishtësisë dhe rezistencës së heshtur. Tek ajo, mimika dhe heshtja janë teksti kryesor, një përpjekje për të artikuluar të pathënshmen. Në tërësi, kjo vënie në skenë në Teatrin ‘Migjeni’ krijon një sistem shenjash ku trupi, hapësira dhe heshtja flasin më fort se fjala, duke e kthyer dramën në përvojë të pastër psikike dhe simbolike.

Drama “Five Kinds of Silence” e Shelagh Stephenson, tekst i fortë psikologjik.

Drama “Five Kinds of Silence” e Shelagh Stephenson (në shqip “Pesë fytyrat e vdekjes”) është një tekst i fortë psikologjik dhe simbolik, ku semiotika ndërtohet mbi heshtjen, traumën dhe kujtesën. Në planin semiotik, “pesë fytyrat e vdekjes” nuk janë thjesht forma fizike të vdekjes, por shenja të ndryshme të shkatërrimit shpirtëror. Vdekja këtu funksionon si një kod simbolik. Ajo përfaqëson jo vetëm fundin biologjik, por edhe vdekjen e komunikimit, të identitetit dhe të dashurisë brenda familjes. Heshtja është shenja kryesore. Ajo nuk është mungesë e fjalës, por një gjuhë e fshehtë e dhunës. Në këtë kuptim, çdo heshtje në dramë bëhet një “tekst” që duhet lexuar: ajo mbart frikë, shtypje dhe trauma të trashëguara. Pra, semiotikisht, heshtja është më e fortë se fjala. Personazhet funksionojnë si sisteme shenjash të fragmentuara. Identiteti i tyre është i copëzuar dhe ndërtohet përmes kujtesës së dhunshme. Kujtesa këtu nuk është lineare, por një hapësirë simbolike ku e shkuara rikthehet si traumë e gjallë, duke e bërë kohën një element të paqëndrueshëm semiotik. Gjithashtu, hapësira skenike zakonisht e mbyllur, familjare shndërrohet në një metaforë të burgut psikik. Shtëpia nuk është më vend sigurie, por një shenjë e kontrollit dhe izolimit.
Në këtë kontekst, semiotika e kësaj vepre ndërtohet mbi:
-heshtjen si gjuhë e dhunës
-vdekjen si simbol i shkatërrimit të brendshëm
-kujtesën si rikthim traumatik
-familjen si strukturë e deformuar e pushtetit
Kjo e bën veprën një analizë të thellë të mënyrës se si shenjat (fjalë, heshtje, kujtime) mund të krijojnë ose shkatërrojnë realitetin psikik të individit.

Qasja psikoanalitike e dramës “Pesë fytyrat e vdekjes”:

Te “Pesë fytyrat e vdekjes” të Shelagh Stephenson, semiotika mund të lexohet si dramë e së pavetëdijshmes. Dramat, si në teatër ashtu edhe në kinema, kanë një marrëdhënie të thellë simbiotike me teorinë psikoanalitike të Sigmund Freud. Ata shpesh duke eksplorojne “teatrin e mendjes” duke dramatizuar konfliktet e brendshme, dëshirat e pavetëdijshme dhe kompleksin e Edipit. Sipas teorisë së Freud, vepra ndërtohet mbi traumën dhe rikthimin e saj. Heshtja është një mekanizëm shtypjeje (represion). Ajo fsheh dëshirën dhe dhunën, por njëkohësisht i rikthen ato në forma simptomatike (frikë, çarje psikike, përsëritje). “Vdekja” këtu është simbol i instinktit të vdekjes (Thanatos): një prirje drejt shkatërrimit të vetes dhe të tjetrit brenda familjes. Psikoanaliza lakaniane i qaset dramës, si tragjike ashtu edhe komike, si një përfaqësim i strukturuar i psikikës njerëzore, dëshirës dhe pavetëdijes, duke theksuar shumë gjuhën dhe “Tjetrin”. Ndërsa Frojdi u përqendrua në dramë si një riprodhim i kompleksit të Edipit, Lacan e zgjeroi këtë për të eksploruar se si personazhet janë të bllokuar nga gjuha, imazhet e tyre dhe ndjekja e pamundur e dëshirës. Sipas Lacan, tek drama“Pesë fytyrat e vdekjes”, heshtja lidhet me dështimin e hyrjes së plotë në rendin simbolik (gjuhën). Personazhet nuk arrijnë ta artikulojnë traumën, prandaj mbeten të kapur në realen atë që nuk mund të thuhet. Gjuha është e thyer, dhe ku mungon fjala, shfaqet dhuna. “Pesë fytyrat” mund të lexohen si fragmentime të subjektit, që nuk arrin të krijojë një identitet të qëndrueshëm në pasqyrën e tjetrit. Drama tregon se kur shenja (fjala) dështon, trauma flet përmes heshtjes dhe subjekti shpërbëhet midis dëshirës, frikës dhe kujtesës së pashprehur. Në teatër qasja analitike/semiotike që lexon kuptimet nga jashtë drejt brendësisë dhe përjetimet përmes përvojës së drejtpërdrejtë në sallë, aktivizon një qasje emocionale që e përjeton kuptimin nga brenda drejt jashtë. Këto dy rrugë shpesh takohen, analiza kërkon të zbërthejë shenjën, emocioni e jeton atë shenjë. Dhe kur përfundojnë në “një linjë kuptimore”, do të thotë që shfaqja ka arritur diçka thelbësore, ka krijuar një kod të përbashkët, ku mendimi dhe ndjenja përkojnë. Në rastin e dramës “Pesë fytyrat e vdekjes, kjo përputhje është edhe më domethënës, sepse vetë tema është pikërisht tensioni midis asaj që ndjehet dhe asaj që nuk mund të thuhet. Në një farë mënyre, spektatori e “ndjen” heshtjen, ndërsa analisti e “lexon” atë. Domethënë të dy arrijnë në të njëjtin kuptim, në të njëjtën frekuencë kuptimore. Këto lloj dialogjesh e bëjnë interpretimin më të gjallë sepse arti nuk mbaron në skenë, por vazhdon te mënyra si e lexojnë dhe e ndajnë, analistët dhe spektatorët. Vënia në skenën e Teatrit ‘Migjeni e dramës’ ‘Pesë fëtyrat e Heshtjes’, ishte një arritje artistike inovative, ndërmjet regjizorëve dhe aktorëve nga Kosova dhe aktorëve të Teatrit ‘Migjeni’ Shkodër. Kjo drame eshtë shenjë shumë e mirë për të ardhmen e teatrit në Shkodër dhe Kosovë, që është edhe ndryshimi i paradimës së teatrit në shekullin e XXI-të.
Dërguar
Shkruaj te

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu