Shkruan Paulin Zefi
Gjatësia e përgjithshme e mureve mbrojtëse të zbuluara deri në vitin 1988, sipas përllogaritjeve të K.Zhekut, është 2.500 m.
Deri vonë ka qenë e fiksuar se sipërfaqja e përgjithshme që rrethojnë muret antike është rreth 20 ha. Mirëpo, nga matjet që janë bërë kohëve të fundit, rezulton se muret e Lisit qarkojnë një sipërfaqe prej 22.3 ha, duke krijuar një fortifikim të klasit të parë. Sistemi mbrojtës i Lisit përbëhej nga katër mure mbrojtës transversalë (diateichisma), të cilët segmentonin hapësirën urbane në katër breza të fortifikuar, duke krijuar një organizim të brendshëm defensiv me karakter të shkallëzuar: Akropolin, që përkon me vendbanimin e Epokës së Hekurit (2.3 ha); Qytetin e Sipërm (11 ha), Qytetin e Poshtëm (9 ha), si dhe zonën e portit (1.5 ha), e cila shërbente gjithashtu si treg i jashtëm. Për të ndërtuar një vëllim murature të tillë me gurë të gdhendur, janë nxjerrë nga guroret e ndryshme rreth 100.000 m³ gurë, prej të cilëve janë gdhendur në forma dhe në përmasa të ndryshme më tepër se 80.000 copë blloqe.
Blloqet në murin e jashtëm kanë përafërsisht këto përmasa: 162 x 0.54 x 0,42 m.; 1.58 x 0.54 x 0.45 m.; 0.82 x 0.30 x 0.40 m.; 0.58 x 0.52 x 0.30 m etj. Ndërsa blloqet në murin e brendshëm, i cili ka një gjatësi rreth 200 m dhe trashësi 1.70 m, kanë përafërsisht këto përmasa: 1.10 x 0.64 × 0.47 ; 1.38 x 0.55 x 0.57 ; 0.80 x 0.60 x 0.50 m. Pesha mesatare e blloqeve në muraturë varion nga 650 kg deri në 1.200 kg, pra 0.65 – 1.2 ton. Është përllogaritur se për ndërtimin e plotë të këtyre strukturave murale madhështore janë dashur në total 5 vite kohë dhe brenda kësaj periudhe del se numri i fuqisë punëtore që ka marrë pjesë ishte rreth 800-1.000 specialistë të ndryshëm, si gurëgdhendës, muratorë, hekurpunues dhe 1.800-2.000 punëtorë të ndryshëm.
Po ashtu, është përllogaritur se për prodhimin e veglave të ndryshme prej hekuri, që janë përdorur për ndërtimin e kësaj vepre, është shkrirë dhe është përpunuar rreth 20 ton hekur. Kjo kryevepër inxhinierike ndërtimore kaq madhështore, e ka bërë Lezhën një ndër qytetet antike më të fortifikuara në Pellgun e Mesdheut. Shumë shpesh më është shtruar pyetja, se: “Ku janë marrë të gjithë këta gurë ciklopikë”?!.. Analizat laboratorike tregojnë se gurët janë të marrë nga gurore të afërta, duke sugjeruar një përdorim shumë efikas të burimeve lokale. Pra, është përcaktuar se origjina e tyre gjeologjike lidhet me masivet shkëmbore me të njëjtën përbërje, që gjenden me shumicë pranë qytetit të Lezhës dhe në rrethinat e tij. Me pak fjalë, muret janë ndërtuar me gurë gëlqerorë vendas, gri në blu, të Periudhës së Triasikut , që krijon forma të thikëta në shtresat e sipërme të Malit të Shëlbuemit dhe maleve të tjerë këtu pranë dhe si themele janë përdorur shpesh herë blloqe shumë të mëdhenj kuadratikë, prej gurësh të fortë konglomeratë, të nxjerrë prej shkëmbinjve të kodrës së Kështjellës së Lezhës.








