Shkruan Xhevat Mustafa
Parlamenti i Greqisë më 22 prill miratoi kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe nënshtrimin e hetimit për korrupsion me fondet e BE për fermerët helenë të 13 deputetëve të partisë në pushtet, pra të partisë “Demokracia e Re”!
Përbën arsye për t’u theksuar dhe përshëndetur fakti se 10 nga 13 deputetët e akuzuar për korrupsion, votuan edhe vetë për heqjen e imunitetit të tyre! Merret me mend se kjo nuk mund as të fantazohet se mund të bëhej e bëhet nga Olta Xhaçka, Frida Krifca, Linda Balluku dhe shoqe e shokë të tyre në tufën e Edi Ramës e në Parlamentin e Shqipërisë!
Mesazhi lehtë kuptohet: Mitsotakis, ndryshe nga Edi Rama, që ndjehet më shumë se kryetar e kryeministër edhe ndaj “kopesë” që prin, nuk i kundërvihet prokurorisë dhe gjykatave në vendin e tij, sepse kanë pavarësi të vërtetë e në jetë e jo vetëm në letra, në tekstin e kushtetutës…!
Nuk mund të përjashtohet prerazi edhe dyshimi se Mitsotakis e ka planifikuar apo ruajtur këtë votim pikërisht për ditën dhe orët kur të ishte në Athinë homologu i tij nga Shqipëria fqinjë, Edi Rama!?
Për koincidencë ky akt demokracie nga kryeministri helen, ndodhi pikërisht ditën kur në Athinë ishte për pjesëmarrje në Forumin Ekonomik të Delfit edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Gjatë takimit miqësor mes tyre ra në sy se ndryshe nga kryeministri helen, ai i Shqipërisë, si shpesh herë apo të shumtën e herëve, ishte i veshur po me atlete të bardha, thua se do të dilte në një bahçe të Surrelit me vjel apo “vjedh” kumbulla apo dardha!?
Këtë herë, për qenien e tij veshur më shumë si turist apo sportist, na ishte “viktimë e mos njoftimit” disa orë më parë nga protokolli apo nga ambasada e Shqipërisë, për këtë takim mes dy kryeministrave!?
Megjithatë, nuk po ia bëjmë mizën buall për atletet, sepse tashmë, gjatë mbi 12 viteve të kryeministërllëkut të tij, prej atleteve është bërë një kope me buaj. Është më e rëndësishme se “rastësia” e atleteve, një përkim tjerër!
Siç dihet, më 12 mars, me 82 votat e tufës së deputetëve apo kukullave të tij, Edi Rama hodhi poshtë publikisht dhe partishmërisht, në sallën e parlamentit dhe para kamerave, kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe bashkëpunëtores së tij më të afërt, ose hijes apo maskës së tij, Linda Balluku, me një balluk të madh mbush me dosje korrupsioni!?
Njëherazi i dha SPAK- ut, po publikisht dhe edramisht, edhe mesazhin se sipas mendjes, vullnetit, interesave të tij shumëformëshe e shumëplanëshe, “dosja Linda Balluku është e mbyllur”!
Nënkuptueshëm, do të ketë të bëjë me atë si kryeministër-Zeus kushdo prokuror e gjykatës që mendon dhe guxon ta hapë!?








