Shkruan Zef Ndreka
Sali Berisha, pasi zhvilloi procesin jo demokratik për zgjedhjen e kryetarit të PD-së pa garë reale, të cilin shumë demokratë dhe jo vetm ato, e konsideruan një formalitet dhe një konkurrim jo të vërtetë, ka dalë tashmë me tezën e re të “ripërtëritjes” së Partisë Demokratike.
Por pyetja që lind natyrshëm është:
A mund të ketë ripërtëritje pa mendim ndryshe, pa debat dhe pa hapësirë për kritikën?
Ngjarjet e fundit në PD, tregojnë se paralelisht me thirrjet për rinovim, është shfaqur edhe tendenca për përjashtimin ose margjinalizimin e çdo zëri kritik brenda partisë. Demokratë të rinj dhe figura që kanë shprehur mbështetje për Ervin Salianjin apo dikë tjetër që thjesht kanë kërkuar një sjellje tjetër politike, po konsiderohen si të vetëpërjashtuar apo të padëshiruar në strukturat e PD-së!
Kjo është situata që ka krijuar një kontradiktë të dukshme. Sepse ripërtëritja, në kuptimin e saj politik, nënkupton hapje të partisë, qarkullim elitash, konkurrencë idesh dhe promovim të brezave të rinj dhe figurave të reja. Ndërsa përjashtimi i kritikëve dhe centralizimi i mëtejshëm i vendimmarrjeve të kujton më shumë ruajtjen e status quo-së sesa ndryshimin e pritshëm, pra mbajtjen e vëndit pa opozitë reale.
Asnjë parti politike nuk forcohet duke reduktuar pluralizmin e brendshëm. Përkundrazi, ajo bëhet më e aftë për të fituar besimin e qytetarëve kur arrin të bashkëjetojë me mendimet ndryshe dhe ta kthejë debatet në vlerë e jo në arsye për ndëshkim.
Kështu, kjo është arësyeja që sot, dilemat nuk mbetën nëse PD-ja do të ketë nevojë për ripërtëritje, pasi këtë e pranojnë pothuajse të gjithë demokratët. Por dilema e PD-së është nëse procesi që po paraqitet si ripërtëritje nga Berisha dhe një turmë.e vogël rreth tij, është realisht reformim i partisë apo do të mbetet thjesht një ripërpëlitje e re politike për të mbajtur të pandryshuar të njëjtin model drejtimi siç ka ndodhur prej më shumë se tre dekada.
Nuk do jetë e largët dita që votuesit demokratë do ta gjykojnë sjelljen e tyre të sotme jo nga sloganet, por nga veprat. Sepse pas këtyre thirrjeve për ripërtëritje po vijnë përjashtime, po vjen më tej mbyllja e PD- së dhe kontroll më i madh mbi partinë. Kështu pra kemi të bëjmë me një ripaketim të së vjetrës.
Pa zgjedhje të lira, pa garë të ndershme dhe hapje ndaj brezit të ri, nuk mund të flitet për një ripërtëritje të vërtetë. Ky është realisht ndryshimi dhe pikërisht këtu qëndron pyetja tjetër për demoktatët:
A po ndërtohet sot Partia Demokratike më e hapur dhe më moderne, apo po vazhdon ripërpëlitja e radhës për të mbajtur gjallë një model politik që ka konsumuar prej kohësh energjitë e veta?!







