Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Zhuri paditi në Prokurorinë e Shkodrës shefin e komisariatit të policisë të këtij qyteti Bardhy Saliut. Ky hap u hodh prej tij pasi prej disa ditësh e ka denoncuar publikisht zyrtarin e policisë së Vaut të Dejës për bashkëpunim me grupet kriminale, favorizim të kultivimit masiv të kanabis në fshatin Temal, korrupsion dhe shantazh ndaj qytetarëve për të lejuar ndërtimet e paligjshme. Pas dorëzimit të padisë, ai deklaroi për mediat se është kërcënuar personalisht nga shefi i policisë së Vaut të Dejës, Bardhyl Saliu. Jo vetëm kaq, por ai bëri me dije se ka sinjalizuar autoritetet e pushtetit lokal dhe qendror mbi veprimtarinë abuzive në policinë e Vaut të Dejës të Saliut. Në 2 gusht, zyrtari i bashkisë së Vaut të Dejës denoncoi veprimet e paligjshme të Bardhyl Saliut te kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, duke kërkuar në përfundim shkarkimin e tij.
Zhuri: Shefi i policisë më kërcënoi përballë, shteti s’bëri asnjë reagim
Përpara mediave, ish-administratori i njësisë administrative të Temalit deklaroi se është kërcënuar para disa ditësh nga vetë shefi i policisë së Vaut të Dejës për denoncimet publike ndaj tij për veprimet e sipërpërmendura.
Zhuri shtoi se Saliu e ofendoi, madje e akuzoi dhe shkelje në një tender. Ai bëri me dije se ka njoftuar të gjitha instancat shtetërore shqiptare për veprimtarinë korruptive të kryepolicit të Vaut të Dejës, Bardhyl Saliut, por nuk ka marrë asnjë përgjigje deri më sot. “Uli xhamin e makinës dhe më kërcënoi mua. Pasi na ofendoi, na akuzoi edhe për një tender. Unë nuk kisha asnjë njohuri për këtë rrëfim. Me thënë të drejtën, ishte shumë i irrituar dhe shkëmbyem ofendime me njëri tjetrin. Unë e kam denoncuar në prokurorinë e Shkodrës edhe si rrjedhojë e kësaj, denoncimi i saj është bërë për aferat e tij korruptive. E kam denoncuar edhe për ndërtimet me të cilat ka abuzuar ai dhe stafi i tij. E kam denoncuar edhe për sjelljen arrogante ndaj qytetarëve. Për këtë situatë, unë kam informuar të gjitha instancat e shtetit sh- qiptar duke filluar nga kryetari i bashkisë e deri tek kryeministri i Shqipërisë me një shkresë. Nuk ka ardhur asnjë reagim”, u shpreh për mediat sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Zhuri.
Denoncimi në Facebook në 10 tetor i Mark Zhurit kundër Bardhyl Saliut
Në një status në profilin e tij në Facebook ditën e hënë, zyrtari i Bashkisë së Vaut të Dejës akuzoi publikisht shefin e policisë në këtë bashki, Bardhyl Saliun duke i renditur shumë veprimtari të rënda si: kanalizim të zonave malore të Vaut të Dejës, mbrojtjen e parcelave me kanabis, favorizimin për ndërtimet sipas interesave personale, mbështetjen e kontrabandistëve të ndryshëm, dekonspirim të informacioneve dhe operacioneve policore, si dhe për djegien e qëllimshme të mbi 200 ha pyjeve, kullotave, etj për të maskuar operacionet e sekuestrimit dhe djegies së parcelave me kanabis. “Është shefi i komisariatit Vau Dejës, i quajturi Bardhyl Saliu, i cili ka mbi 5 muaj që denoncohet, akuzohet për shumë vepra penale: për kanabizim të territorit te njësive administrative të zonave malore dhe më gjerë, për mbrojtjen që u ka bërë parcelave të kanabisit që menaxhohen nga trafikantët, për ndërtimet me dhe pa leje që i ka faturuar sipas dëshirës dhe sjelljes së ndërtueseve, për mbështetjen ndaj kontrabandistëve të çdo lloji, për sjelljet arrogante,ndaj pushtetarëve lokalë, për dekonspirim informacioni, per djegien e mbi 200 ha pyje, kullota, gështenjë, kryesisht në Temal, gjoja në emër të djegies së kanabisit”, shkruan Zhuri.
Pjesë nga denoncimi publik: Bardhyl Saliu mbrohet nga lart
Sipas tij, Saliu ka mbështetje nga kupola e policisë pasi në dy raste kontrollesh nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka rezultuar pa probleme. Ai shtoi se një prokurore i konfirmoi se korrupsioni në policnë e Vaut të Dejës është i shtrirë në të gjithë hierarkinë. “Nga Drejtoria e Mbikqyrjes Policore, janë ushtruar dy kontrolle dhe ka dalë i pastër,sepse është i vetmi shef komisariati ne Shqipëri që ka realizuar planin e kanabisit 150%,dhe deklaron se nuk ka kontroll qa me ban, se i kam b… rana. Ky është Bardhyl Saliu, i cili vazhdon i qetë detyrën e tij, i mbështetur nga lart. Kërkoj që ose të penalizohet, ose te ngrihet në detyrë. Takova një prokurore dhe ia shpjegova veprimtarinë e tij kriminale dhe m’u shpreh keta janë të tanë bashkë,dhe nuk kemi ç’a të bëjmë, vetem me media, sepse korrupsioni shkon zinxhir”, mbyll statusin e tij në Facebook sekretari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Zhuri.
Reagimi i kryepolicit të Vaut të Dejës: Kam paditur Zhurin në 9 shtator për shpifje
Pas akuzave të Zhurit, reagoi dhe shefi i Policisë së Vaut të Dejës, Bardhyl Saliu. Ai bëri me dije se e ka kallëzuar për shpifje në prokurori zyrtarin e bashkisë në 9 shtator. Saliu i konsideroi të pabaza akuzat dhe denoncimet e Zhurit duke deklaruar se profesionalizmi i lartë i tij është konfirmuar nga grupet e kontrollit të Policisë së Shtetit dhe karrierës së tij të gjatë 37 vjeçare. “Unë zotit Zhuri i kam bërë kallëzim në prokurori që më 9 shtator të këtij viti. Ato që ai shkruan dhe akuzon nuk qëndrojnë. Për këto pretendime, ka patur grupe që kanë ardhur dhe kanë kontrolluar territorin nga Tirana jo vetëm njëherë, por disa herë. Unë nuk kam ndërmend të merrem me akuza e kundërpërgjigje të tilla. Kam 37 vite në Policinë e Shtetit dhe jam në këto detyra me integritet pa ndihmën e askujt, por duke dhënë kontributin tim profesional”, u shpreh shefi i policisë së Vaut të Dejës, Bardhyl Saliu.