Ish-deputeti Myslim Murrizi thotë se certifikatë kanë marrë vetëm viktimat dhe jo xhelatët e komunizmit.
Ai tha se Arben Kraja, kreu i SPAK ka qenë hetues në Shkodër, duke përmendur edhe emra të tjerë krahas tij si ish-bashkëpunëtorë.
“Certifikatë kanë marrë vetëm viktimat dhe jo xhelatët. Venusi nuk ka marrë certifikatë. Ben Kraja nuk ka certifikatë, se ka qenë hetues në Shkodër. As Sokol Sadushi, Ben Rakipi, Ilir Panda. Ju jeni të tredhura nga kurajoja sepse ai shefi i certifikatave për 800 gjyqtarë e prokurorë që lëshon për pastërtinë është një ish-oficer i sigurimit e ju nuk e hiqni dot.
Ai që kontrollon 800 gjyqtarë dhe prokurorë është ai që jep certifikatat e pastërtisë, por ka qenë oficer sigurimi në Peshkopi. Vazhdon që të ketë pushtet akoma.”, tha Murrizi.
Ndërkohë kanë mbetur vetëm 8 ditë nga momenti kur mbaroi afati për të kandiduar për pozicionin e kreut të SPAK-ut, deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë.
KLP ka bërë me dije se deri tani asnjë prokuror i strukturës nuk ka paraqitur platformën apo interesin për të garuar si pasues i Arben Krajës.
“Deri ditën e sotme më datë 24.10.2022, pranë KLP-së nuk ka shprehur interes asnjë prokuror, për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme . Afati maksimal është 2 nëntor 2022 ora 00.00”, thuhet në njoftimin e KLP.
Arben Kraja përfundon mandatin në datën 19 dhjetor. Më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite. Drejtuesi i SPAK nuk ka të drejtë rizgjedhjeje, gëzon vetëm 1 mandat.