Kreu i Policisë i është shmangur pyetjeve rreth vdekjes së Lear Kurtit, gjatë një seance në komisionin e sigurisë.
Komisioni paralamentar për Sigurinë Kombëtare është mbledhur sot për një seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakun, me kërkesë të 1/3 së deputetëve, për sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS dhe ndërprerjen e sistemeve kompjuterike qeveritare.
Seanca është përfshirë nga debatet dhe përplasjet midis deputetëve, një pjesë e të cilëve nga opozita, të cilët kanë kërkuar se ishte e turpshme të flitej sot për sulmet kibernetike kur kishte çështje të mprehta në fokus, siç është vdekja e të riut Lear Kurti në një komisariat.
Kreu i Policisë së Shtetit, Rrumbullaku, i shmangu komentet për temën, duke thënë se mund të flasë në një moment të dytë.
“Për të ruajtur dinjitetin e organizatës së Policisë, – tha Rrumbullaku, – sot kam ardhur me një axhendë të përcaktuar nga Komisioni i Sigurisë, i kërkuar në kohë. Nuk i jam përgjigjur Komisionit sepse kam pasur një angazhim në SHBA. Së dyti, për sa kërkohet nga grupi i deputetëve për çështjet që lidhen me ngjarjet e fundit të të ndjerit Kurti, jam i gatshëm të paraqitem brenda 48 orëve dhe të jap shpjegime në lidhje me sa kërkohet nga ana juaj. Edhe për çështjen e të ndjerit Rasha, duke qenë në detyrën e Drejtorit të AMP, jam në gjendje të jap të gjitha shpjegimet e duhura për sa kërkohet. Do t’ju lutesha që jo çdo gjë që mediatikisht shpërndahet për opinionin, nuk do të thotë se janë të vërtetat reale të hetimeve që kryejnë institucionet e Drejtësisë. Ju lutem, na respektoni mundin, djersën, gjakun që punonjësit e Policisë dhe organizata jep në shërbim të qytetarëve”, tha ai.