Kur po afrohet ora e protestës dhe policia ka nisur dhe zbatimin e planit për dislokimin e forcave të policisë.
Do të jenë rreth 1200 punonjës policie të reparteve të ndryshme që do të angazhohen për këtë protestë.
Ndërkohë gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj sjell video të momentit kur 5 makina të policisë që transportojnë forcat e FNSH-së lëvizin tek rruga e Elbasanit. Ata do të vendosen tek parlamenti, do të qëndrojnë në gadishmëri dhe do të ndërhyjnë vetëm në një moment të dytë.
Në mbështetje të tyre do të jenë edhe agjentët e Policisë së Shtetit, civilë që do të raportojnë në çdo kohë tek grupi i tyre për persona me precedentë të theksuar kriminal, persona që mund të krijojnë trazira, si dhe për persona që janë të identifikuar nga ana e policisë si të dhunshëm apo për akte dhune të mëhershme.
Janë vendosur kontrolle dhe në hyrje të kryeqytetit.
Gjithashtu me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore.
Duke filluar prej orës 15:00, të datës 12.11.2022, deri në përfundim të tubimit, janë të bllokuar: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.