Gjyqi në Apel për vulën e PD duket se po e lë pa gjumë Sali Berishën. Procesi është shtyrë disa herë dhe Berisha po e ndien se dera e PD mund të mos i hapet më kurrë. Për këtë arsye ka zbritur te ajo që di të bëjë më shumë: kërcënimi dhe shantazhi..
Berisha ka qenë i ftuar në një emision televiziv dhe ka kërcënuar hapur se do të ngrejë njerëzit në revolta nëse gjykata i jep vulën Alibeajt. Por ndryshe nga sa ndodhi më 8 janar ku Berisha sulmoi selinë e tij, sot ka thënë se shënjestër do të jetë Kryeministria.
“Unë shoh Edi Ramën në çdo skemë që bën, e bën për të grabitur zgjedhjet. Do të grabisë opozitën. Do që të asgjësojë PD-në, ta kthejë atë në parti 2%. Nëse na prek flamurin atëherë unë besoj se demokratët do dinë t’i përgjigjen. Nëse mendon të konfiskojë flamurin, demokratët do të reagojnë, është betejë për jetë a vdekje. Nuk është flamur për t’u dorëzuar, është një flamur që ka përmbysur komunizmin. Nuk është flamur për t’u dorëzuar apo rrëmbyer. Një njeri që në mënyrën më të pacipë, shtyn gjyqin tre herë dhe e cakton gjyqin në datën 6 dhjetor, ditën e Samitit dhe ne do t’i përgjigjemi. Beteja për flamurin është e shenjtë. Ne kemi filluar përgjigjet“, tha ai.
Nga ana tjetër Berisha po bën gati terrenin për protesta nëse humbet zgjedhjet. Ai tha se Rama ka filluar të vjedhë zgjedhjet, por e paralajmëroi se do përgjigjet nëse i shkon deri në fund këtij misioni.
“Edi Rama po vazhdon me të njëjtën strategji dhe taktikë të vjedhjes së zgjedhjeve dhe unë po e ndjek. Unë po e ndjek dhe e konsideroj si një mision më të rëndësishmit që mund të bëhet. Ne duhet t’i rikthejmë votën shqiptarëve. Nuk është çështje e pushtetit të Sali Berishës, nuk është çështje interesi, është çështje e jetike e shoqërisë shqiptare. Ose do të votojnë ose do të dizintegrohen totalisht dhe do të marrë fund ky vend, gjë që nuk meriton”, tha Berisha.
Nga ana tjetër ai pranoi se dështoi me misionin për rrëzimin e Ramës. Sipas tij, “me një të rënë nuk rrëzohet lisi”.