Marrëzi dhe shpresë

0

Shkruan Ilir Kalemaj

Rëndom sapuni shitet për djathë nga propagandistët qeveritarë dhe spin doktorët e tyre që e kanë sa pasion, aq edhe profesion pikërisht të bërit e të zezës së bardhë. Ndoshta sepse e kanë përvetësuar fare mirë moton se nuk ka fakte alternative, por vetëm opinione të tilla. Ndonëse dihet që nuk ka të vërtetë përfundimtare në ligjësitë e shkencës, politikës dhe shoqërisë. Ndërkohë në Shqipëri kjo është zevendësuar nga propaganda që të paktën nga koha e Gëbelsit e këndej është të përsërisësh fjali të thjeshta dhe gënjeshtra të mëdha deri sa të bëhen bindëse.

Por pjesët e shoqërisë që janë ose vuajnë nga anomia, ose janë të ngërthyera nga analfabetizmi funksional, ose janë militantë trushkulur që nuk bëjnë llogaritë e intreresit personal, ose e bëjnë këtë të fundit por janë thjesht rrogëtarë fatkeqësisht mund të kthehen në shumicë brenda një kohe jo fort të gjatë. Sepse përherë e më tepër ata që janë të mirëedukuar, me një sens lirie individuale, me një kapital social të konsiderueshëm, janë duke marrë sytë këmbët për të ikur drejt një Perëndimi që ndoshta nuk ofron shumëçka, por së paku të ofron sigurinë e ecjes në korsinë tënde dhe një shans real që mund t’ja dalësh në jetë dhe pa qenë puthador, batakçi apo i kërcënuar në ekzistencën e përditshme. Se në fund të fundit, nuk mund të jesh i lirë të bësh zgjedhjet e tua, përfshirë ato politike, pa liri ekonomike.

Ato vende ku po emigrojnë e kanë kuptuar qyshkuri se nuk mund të ketë barazi të ardhurash por vetëm mundësish apo shansesh të barabarta. Këtë e siguron vetëm një shtet i së drejtës, një sistem politik demokratik dhe një sistem ekonomik kapitalist. Ndërkohë që premtimet politike shpesh duhen marrë si metafora apo siç ndodh rëndom në Shqipëri: si batuta me të cilat mund të gajasesh.

Thonë që qeveria është mesatarja e inteligjencës së popullit nga del. Por është dhe mesatarja e virtyteve dhe veseve të tij. Nga ferra nuk mund të dalë trëndafili dhe anasjelltas. Një qeveri e mirë është ajo që mendon pak për vete dhe shumë për shoqërinë. Një qeverisje e mirë është ajo që lë sa më pak vend për përvetësim fondesh publike dhe lë sa më shumë të holla në xhepat e qytetarëve. Ndërkohë këtejpari e kanë kuptuar së prapthi këtë aksiomë. Por së paku do shpëtojmë nga ky keqkuptim i elitës politike kur njerëzit të kuptojnë që qeveria është problemi dhe t’ia kufizojnë kujdo që do ketë radhën për të qeverisur, mundësinë për të bërë zullume dhe t’u hipin në qafë. Në fund të fundit, individi sado impakt të ketë nuk mund të korruptojë dot sistemin. Por është sistemi ai që korrupton individin. Natyrisht vetë sistemi është shumatore individësh por edhe rregullash dhe ligjësish. Dihet që korrupsioni nuk është fe por ka më shumë pasues dhe se vetë fetë tradicionale. Pa dallime ideore apo krahinore.

Jetojmë në një botë paradoksale ku sa më shumë shtohet informacioni, aq më pak lexohet dhe akoma më pak kuptohet gjësendi. Gjithsesi ka ende shpresë. Interesimi i njerëzve për panairin e përvitshëm të librit, pavarësisht statistikave zhgënjyese se sa pak lexojnë shqiptarët, ka një gjë të mirë, që pavarësisht cilësisë së asaj që ofrohet, dëshira për të njohur sadopak realitete të ndryshme, qofshin këto realë apo imagjinarë (pra libra studimorë apo letërsi), ekziston ende. Çdokush që shkruan një libër, pavarësisht cilësisë, sjell një kontribut. Çdokush që lexon bëhet pjesë e një qerthulli më të gjerë. Minimalisht ai që shkruan apo lexon ka më pak gjasa të përfshihet në krim dhe më shumë mundësi të jetë një qytetar i vlefshëm dhe kontribues në sendërtimin e një shoqërie me kapital social. Se në fund të fundit, vetëm dija të bën të lirë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu