Nr. 50 i gazetës në print

0
Intervistë me Kryetarin e Partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë, kandidat për Kryetar Bashkie – Shkodër, avokat Fran Dashi

Shqipëria Etnike: Zoti Dashi, ju jeni Kryetari i PKD të Shqipërisë. Si e pritët vendimin e kryesisë së partisë për të kandiduar për Kryetar Bashkie për qytetin më të madh verior të Shqipërisë, njëkohësisht qytetin më problematik në të gjithë parametrat, duke filluar nga problemet sociale, infrastruktura, kontrabanda, korrupsioni, mungesa e ujit dhe e dritave?

F. Dashi: Duke qenë qytetar i Shkodrës, madje dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, problemet e qytetit tim i njoh shumë mirë, aq më tepër duke qenë dhe jurist. Gjithashtu jam i ndërgjegjshëm se kjo detyrë është mjaft e vështirë. Megjithatë, unë vendosa të kandidoj dhe të vë në dispozicion të bashkëqytetarëve, të gjitha aftësitë dhe përkushtimin tim, për t’ia ndryshuar fytyrën këtij qyteti plot vlerë, por që mjerisht, si një “ari” i plagosur, rënkon nga dhimbjet që shkaktoi ky tranzicion i tejzgjatur dhe i pangjashëm.

Shqipëria Etnike: A do të jeni në gjendje të përballoni sfidat e mëdha që iu presin dhe nëse po, cila do të jetë mënyra e zgjidhjes?

F. Dashi: Siç u theksua më lart, sfidat janë të mëdha, por jo të pakapërcyeshme. Mbi të gjitha, arti i drejtimit ka specifikën e vet dhe mbështetet mbi disa kritere dhe komponentë të domosdoshëm, ai aftësia, përkushtimi, ndershmëria dhe guximi. Stafi që unë do të drejtoj do të jetë i plotësuar me këtë arsenal vlerash, gjë që më inkurajon dhe më bën optimist, në këtë angazhim kaq të përgjegjshëm. Ajo që për mua dhe për stafin tim do të jetë prioritare është administrimi me nikoçirllëk i çdo qindarke, që do t’i akordohet Bashkisë nga shteti, nga donatorët e ndryshëm dhe nga vjelja e taksave. Çdo fond do të shkojë në destinacion dhe destinacioni do të jetë i stacionuar në objektet më emergjente, duke aplikuar një kontroll të rreptë financiar.

Shqipëria Etnike: Cili do të jetë prioriteti numër një në punën tuaj?

F. Dashi: Do të bëjmë regjistrimin e rregullt të të gjithë qytetarëve të rinj dhe të pronave, pa asnj paragjykim krahinor, fetar apo klanor. Do të përpiqem, me një përkushtim të veçantë për plotësimin e nevojave të tyre, të cilat janë të shumta, por unë do të bëj gjithçka që mund të bëjë një njeri i përkushtuar. Integrimi i tyre në rrjedhën e qytetarisë shkodrane është detyrë shtetërore dhe humane.

Shqipëria Etnike: Cilat do të jenë marrëdhëniet e Kryetarit të Bashkisë me Prefekturën dhe me pushtetin qendror?

F. Dashi: Në këtë pikë kam një avantazh të madh, sepse nuk do të marr direktiva nga lart për vetë faktin se jam vetë kryetar partie. Gjithashtu, duke patur një eksperiencë jo fort të këndëshme nga paraardhësit, unë do të ndërtoj marrëdhënie sa më të mira me pushtetin qendror, pavarësisht se cilës forcë politike i përket Prefekti apo Kryeministri. Qytetaria shkodrane duhet të shkëputet nga “prangat” e partive, ajo duhet të mendojë më shumë për veten se sa për partitë. Gjendja faktike e Shkodrës është sinjifikativi i mendimit tim. Shkodra është në gjendje mjaft kritike.

Shqipëria Etnike: çfarë projekti keni për të ardhurit në dhjetëvjeçarin e fundit, gjendja e të cilëve lë shumë për të dëshiruar?

F. Dashi: Më keni prekur në pikën më të ndjeshme. Duke qenë vetë djalë i Dukagjinit, e përjetoj me dhimbje gjendjen e bashkëkrahinorëve të mi dhe të të gjithë të ardhurve të periudhës së tranzicionit. Ata zbritën nga bjeshkët dhe fshatrat dhe bashë me “thesin” e ngarkuar me halle sollën dhe aromën e këndëshme të maleve, por që për fat të keq, pushtetarët paraardhës, në këmbim të një thesi miell (për votën), iu kanë shkarkuar plehërat e qytetit!… Pra, në këmbim të një thesi miell iu sollën nga një ton pleh para banesave të tyre modeste. Unë nuk do t’u premtoj (bashkëvëllezërve të mi) parajsën me rrugë të gjera, me parqe, shatërvane e disko. Por po iu premtoj, si fazë fillestare, heqjen e plehrave dhe në vend të thesit të miellit, një makinë zhavor për mbushjen e gropave të rrugëve. Të tjerat do t’i përkasin perspektivës, duke shfrytëzuar çdo mundësi financiare për t’i integruar në rrjedhën e kohës, si çdo qytetar.

Shqipëria Etnike: Qendra e qytetit ngjason shumë me qytetet e Irakut, të sapodalur nga lufta, rrugët me gropa dhe trotuaret me pllaka të thyera?

F. Dashi: Shkodra është e të gjithëve dhe përveç fondeve që do të marrim për regullimin e qendrës së qytetit, do të kërkoj dhe mbështetjen e biznesmenëve dhe tregtarëve me ato mundësi që kanë.

Shqipëria Etnike: Cilat do të jenë prioritetet e administratës suaj?

F. Dashi: Shërbim korrekt ndaj qytetarëve, zbatim të rreptë të çdo urdhëri dhe detyre, me korrektësi në zbatimin e orarit zyrtar. Do të zhduk nepotizmin, krahinorizmin, klanet dhe do të jem tepër korrekt në respektimin e raporteve fetare në përbërjen e administratës. Të aftit dhe të ndershmit gjenden brenda çdo religjioni.

Shqipëria Etnike: A ndjeni ndonjë kompleks inferioriteti nga prejardhja juaj fshatare, prej Dukagjinit?

F. Dashi: Përkundrazi, ndjehem krenar me prejardhjen time. Qëllimi im final është t’i shërbej Shkodrës dhe të lë emër të mirë, siç lanë paraardhësit e mi “shtatë shaljanët legjendarë”. Epitetet e ndonjë “pseudo” humoristi, nuk do të më shqetësojnë fare. Njeriun e bën të njohur vepra dhe jo emri apo krahina, religjioni, apo seksi. Këto paragjykime duhen kapërcyer, janë jashtë kohës.

Shqipëria Etnike: Së fundi, cili është mesazhi juaj për bashkëqytetarët?

F. Dashi: Votoni për Partinë Kristian Demokrate, votoni për alternativën që ju garanton të ardhmen. Votoni për kandidatin Fran Dashi dhe nuk do t’ju zhgënjejë, vota juaj do të jetë pesha më e rëndë në ndërgjegjen time.

Intervistoi: Mark Bregu

Më shumë dashuri… më shumë humanizëm…

Në një emision televizim, të dhënë në TV Klan, më 17 gusht 2003, u njohëm me një skenë mjaft dramatike, dhe që lë shumë për të dëshiruar, qoftë për shtetin, qoftë për biznesmenët dhe më në fund për të gjithë shoqërinë tonë qytetare. Në një familje fshatare me mbiemrin Hoxha, është lindur një fëmijë me defekt në zemër. Prindërit e vogëlushes, tepër të varfër, duke ndjekur shqetësimet e vajzës së tyre dy-vjeçare e kanë vizituar tek mjeku specialist në kryeqytet dhe ka rezultuar me defekt të lindur në zemër.

Sipas spikeres së TV Klan, (shqetësimi dhe dhimbja e së cilës, lexohej në mimikën dhe në sytë e saj), mjekët kanë konkluduar se kërkohet ndërhyrje kirurgjikale dhe se kjo ndërhyrje nuk mund të realizohet në vendin tonë, d.m.th. duhet të dërgohet jashtë shtetit.

Kamera televizive kishte fiksuar shtëpinë dhe prindërit e vogëlushes. Tepër e varfër kjo familje, për të përballuar këtë “dramë”, e cila shoqërohej me britmat dhe lotët e kristaltë që rridhnin nga dy sy të pafajshëm dhe që kërkonin ndihmë dhe mëshirë, duke na krijuar skena rrënqethëse. Askush nuk kishte reaguar, qoftë nga shteti dhe institucionet e tij, qoftë nga shoqëria qytetare! Çdo njeri me virtyt dhe ndjenja njerëzore, stresohet para këtyre skenave të trishtueshme, dhe në të njëjtën kohë shtron pyetjen “pse në “parcelat” e shpirtit tonë, çdo ditë po mbjellim farën e urrejtjes? Përse tek ne, çdo ditë jepen lajme të hidhura, vrasje për gjakmarrje dhe hakmarrje, dhunime, rrëmbime, etj., etj. Kush e shpërbëri njeriun shqiptar, kush na zhveshi “kostumin” e virtytit, të besës dhe të moralit, aq të lakmueshëm, që trashëguam nga të parët?!…” Dhe, kështu pse-të s’kanë të sosur. Dhe, natyrshëm pas këtyre lajmeve shokuese, menjëherë ndërrojmë stacionin, duke kërkuar ndonjë stacion tjetër me më pak dramë, me më pak dhimbje dhe ja, kalojmë në një botë tjetër: Në SHBA po ndërtohen hotele dhe motele luksoze, për trajtimin e qenëve! O Zot, pse kjo botë kaq e skajshme, kush vallë e mallkoi tokën e shenjtë të Kastriotit? Dhe kujtesa na kthehet në thellësitë e shekujve; dhe përsëri na vjen pyetja tjetër: “Pse Zoja e Shkodrës iku në Gjenacan? Pse nuk u kthye? Kur do t kthehet?” Dhe sërishmi pse-të na “trokasin” në portat e ndërgjegjes!… Kam lexuar diku, se njerëzit që i duan kafshët, janë njerëz të mirë. Një ditë, ndërsa po bisedoja me një mikun tim (i cili ishte kthyer nga Greqia për pushime), më tha se në plazhet e Greqisë më shumë shikon gra të shoqëruara me qenë, se sa me fëmijë dhe çuditesh se sa kujdesen për trajtimin e tyre. A nuk duhet t’u bëjmë thirrje pushtetarëve dhe biznesmenëve shqiptarë, që t’i duan dhe t’i ndihmojnë fëmijët dhe dashurisë së grekëve për qenët, t’i kundërvënë dashurinë për njerëzit dhe në veçanti për fëmijët…

Gjej rastin, që nëpërmjet gazetës “Shqipëria Etnike”, t’i apeloj ndërgjegjes së Qeverisë dhe Shtetit, mbarë të gjithë qytetarëve, për të kontribuar financiarisht për shpëtimin e jetës së kësaj foshnje. Jam gati të jap një pjesë të pensionit tim modest, duke u bërë nismëtar i një vepre humane, të cilën ma dikton ndërgjegja, si prind, si gjysh, si shqiptar me shpirt Kristian e Demokrat. (M.B.)

Këtë mesazh ua dërgoj të gjithë kristiandemokratëve shqiptarë, për të kthyer në vepër parimet kristiane, të cilave u kemi dalë zot.

Ndërsa atyre, që po ndërtojnë grataçela, e që i gëzofshin, (këtë e them me gjithë shpirt), u bëj thirrje, që nga një “tullë” të ndërtesave të tyre ta vendosin në themelin e ndërgjegjes e të shpirtit, duke kontribuar për të varfërit, se në këtë mënyrë edhe themelet e grataçelave do të jenë më solide ndaj çdo lëkundjeje sizmike.

Do ta ilustroj këtë shkrim modest me një shembull, sa konkret aq dhe domethënës: Para tre vjetësh, kur isha në Itali, miku im italian, Rugjero, më tregoi se si gjatë një vizite që kishte bërë në Afrikë, kishte parë se atje vdisnin njerëzit nga një epidemi për vaksinimin e së cilës mjaftonin 3000 lireta për një flakon. Me t’u kthyer në Itali, ai, nëpërmjet shtypit dhe televizionit, kishte sensibilizuar mbarë opinionin italian, duke bërë thirrje: “Kurseni një paketë cigare, që të shpëtoni një jetë njeriu”. Dhe kështu kishte mbledhur disa milion lireta për të shpëtuar qindra jetë njerëzore. Ky solidaritet me karakter human duhet të vlejë si apel për ndërgjegjen e çdo njeriu. Kurrë shqiptarëve nuk u ka munguar ndjenja e solidaritetit, dashurisë dhe humanizmit. Të ndihmojmë të gjithë për jetën e vogëlushes.

Mark Bregu

Speciale me… spec

I ndodhur në mërgim, malli për atdheun të shtyn të kërkosh çdo gjë që të kujton sadopak vendlindjen. Pa le pastaj po të ndeshesh në ndonjë gazetë në gjuhën tënde aq të përmallshme. Kurse, po të të bjerë në dorë ndonjë libër, botim i kohëve të fundit, duhet ta konsiderosh veten fatlum. E unë u ndodha dy herë fatlum këtë javë, sepse më ra në dorë një libër shqip, pra që do të më çmallte me vendin tim, por kur pashë që më sillte në kujtesë kujtimet e paharrueshme të qytetit tim, Shkodër-loces, lumturia qe e dyfishtë.

Kështu fillova të lexoj romanin humoristik të Ndrekë Zallit “Speciale me… spec”. Që në dedikim, pa hyrë në faqen e parë, më ngazëlloi, më përfshiu si qëmoti në botën gazmore shkodrane, më kujtoi atë që u thosha kolegëve të zyrës në Tiranë: “Çdo shërbim në drejtim të Shkodrës ma lini mua. Atje në një ditë unë gajasem së qeshuri sa për një muaj në Tiranë”. Nuk ekzagjeroja. Dhe Ndrekë Zallin e kam dëshmitar. Që në dedikimin e detyrueshëm “Çdo ngjashmëri me ngjarje apo njerëz…” zakonisht shkruhet “është krejtësisht i rastësishëm”, por jo për Ndrekën; ai vazhdon: “…vetëm rastësisht mund të mos jetë i vërtetë”.

Që këtu i thashë vetes: “Ruaju, o profesor i letërsisë italiane, se në çdo kthesë rreshti, pale paragrafi, Ndreka (gazmorìa, humori shkodran) të ka ngritur ndonjë kurth edhe më të fortë! Lëre mënjanë për një çast Dekameronin e Bokaçios!” Nuk qeshë gabuar. Në çdo pjesë të romanit, Ndreka të gajas së qeshuri. Nuk të jep kohë as të ngopesh me frymë. “Ngadalë, se do të mbytesh!” – më thonin familjarët e mi, kur dëgjonin gazin tim me klithma.

Humori i vërtetë, jo banal, mund të jetë vetëm ai që reflekton qartë e me ngjyra të theksuara realitetin e mjedisit, pra humori i krijuar nga filozofi popull. E, po qe se ky popull është shkodran, – djep në shekuj i traditës së “shpotisë”, – humori është edhe më i këndshëm.

E çfarë të përmendësh më parë në batutat “qit e prit” të Kin Bubës (që buba (dreqi) e marrtë!).

Kur fshikullon me kamxhikun e sarkazmës emrat që iu imponuan zonës sonë të veriut nga burokracia, apo leksionet e “akademikut” agronom përpara fshatarëve për vlerat ushqyese të perimeve: domate, speca.

“O agronom, po domatja nuk mbas as veten në këmbë e jo të na mbajë ne! Specat nuk ta mbushin barkun, ato janë barkbosh vetë”.

Gazi më shtohej edhe më tepër, kur më kujtonin ngjarje të vërteta, të ndodhura në Shkodër: Një ministër shkon në Shirokë për t’i bindur peshkatarët të shtojnë gjuetinë e peshkut; shpalos mbi tryezë një hartë të madhe të Liqenit të Shkodrës dhe fillon leksionin, me gjeste e me terma propagandistikë. Një peshkatar i vjetër shirokas, pasi zgjohet nga dremitja, i thotë: “Kqyre, kqyre, ky shoku i Tiranës po xen peshk përmbi tavolinë!”. Fat që ministri ishte shkodran dhe e mbylli shpejt mbledhjen, se do të kishte lënë kokrrën e namit!

 

***

Autori ka zgjedhur një formë mjaft origjinale për ta rreshtuar materialin e tij humoristik, duke ia vënë në gojë ato një kooperativisti hokatar. Kjo i siguron një linjë kompozicionale të natyrshme e të rrjedhshme. Më solli ndërmend 100 tregimet e Xhovani Bokaços, të ndara në 10 ditë. Aty mbisundon tregimi i veçantë, kurse te Ndreka, i gjithë mjedisi është tipik i realitetit kooperativist, që vë në pah personazhin tipik, fshatarin e përulur, të zgjuar e mendjemprehtë, nga njëra anë, dhe burokratët sundues, nga ana tjetër. Pra, një temë e qartë, e përcaktuar dhe e ndjekur me mjeshtërie, pse jo edhe me art, nga fillimi deri në fund.

Vlerë tjetër e pamohueshme e librit është se autori nuk shan e nuk shfryn kundër regjimit e sistemit kooperativist, ashtu si degjeneroi ai, por si vrojtues i mirë zbulon, veçon, vë në shënjestër e qëllon fort e drejt kundër çdo degradimi të sendeve e të fenomeneve, të çuara disa herë në ekzagjerim. Kështu p.sh., komisioni i derrave (marrë nga disa ngjarje të vërteta të kësaj zone: malësori ynë e dehu me raki dhe e vuri të flerë në krevat derrin – mishin e vetëm të familjes – që të mos ia vriste me pistoletë kryetari i komisionit – si ndonjë diversant).

Apo farsa e zgjedhjeve aq “demokratike”, e demaskuar me aq art, pa përdorur as edhe larg kritikën, pale sharje e banalitete që u dëgjuan aq shumë pas shembjes së Murit të Berlinit.

Mendoj se kjo është merita më e madhe e autorit, në brendësi. Si formë, ndërthurja e prozës me poezinë është shumë e goditur. Populli ynë është poet nga natyra. Kujtojmë dasmat mirditore – ku shakatë “qit e prit” bëhen me bejta, paçka se nganjëherë edhe tepër laskuriq, pa doreza. Si gënjeshtra e madhe e Ndrekës: 4 vjeç në bark të nënës, apo më thellë! Malësoret tona i vajtonin trimat e tyre të vdekur me poezi aq përmalluese, rrënqethëse, me një tetërrokësh të përpunuar, që të kujton poezinë e rrallë të akademikut At Gjergj Fishta.

Meritë tjetër e romanit (jo e vogël, po ta diskutosh realisht në kohë, hapësirë e mjedis) është përdorimi i gjuhës letrare shqipe. Me këtë, autori i ka shpëtuar tundimit, (dhe mendoj: jo të vogël), për të shkruar në dialekt, duke treguar kështu pjekuri, maturi e mençuri.

I parë me sy kritik, romani nuk është pa të meta, p.sh. personazhet e tjerë që shoqërojnë protagonistin, jo gjithmonë të bindin. Nganjëherë duken si të vendosur arbitrarisht dhe nuk e justifikojnë plotësisht vendin e tyre. P.sh. shokët e gotës nëpër klube, sa për të dhënë një shembull. Ndërsa Prenda mbetet personazh tipik në mjedis tipik, mjaft i goditur. Prania e saj vjen aq natyrshëm, sa natyra, realiteti vetë e ka sjellë. Autori veçse na e ka servirur këndshëm këtë element të domosdoshëm e të pranishëm të humorit rustikan (fshatar), që nuk ka munguar kurrë në çdo hapësirë shqiptare.

Çdo kapitull i këtij romani do të meritonte që t’i kushtohej një reçencë e veçantë, por do ta paralelizonim me librin. Në doni të qeshni, të kaloni orë të gëzuara, të mësoni (e jo pak), ju këshilloj që ta lexoni këtë roman humoristik të Ndrek Zallit (roman të cilin unë e kam lexuar disa herë), me urimin tonë, të lexuesve, që të mos jetë i fundit dhe që autori të na dhurojë shumë e shumë vepra të tjera.

Prof. Dr. Zef Çeli

Romë, 2003

Kristiandemokratët kërkojnë votën dhe ju garantojnë përkushtim

Nuk është ambicja apo karrierizmi ajo që më shtyu të kandidoj për të qenë qytetari numër një i Shkodrës! Është diçka tjetër, dashuria e përzier me dhimbje, kur shoh qytetin krenar të Rozafës të zhytur në errësirë dhe të mbuluar me plehra! Shoh rrugët me gropa dhe trotuaret me pllaka të thyera. Shoh një varfëri të tejskajshme dhe padyshim aty është varfëria, aty e kanë folenë krimi, korrupsioni, kontrabanda dhe të gjitha veset më perverse.

Duke qenë i diplomuar në drejtësi dhe në Akademinë e Rendit (sigurisht në vitet e demokracisë), besoj se zotërimi profesional i këtyre dy fushave, duke u shtuar këtyre edhe prejardhjen time, familjare dhe fisnore, besoj se këta komponentë përbëjnë një faktor sadopak modest për t’i ndryshuar gjendjen Shkodrës dhe për t’i kthyer shpresën e humbur nga streset e përditshme. E di mirë se unë dhe stafi që do të drejtojë Bashkinë e Shkodrës do të përballemi me vështirësitë dhe fenomenet e lartpërmendura për të udhëhequr, nga vepra e guximshme e Gurakuqit të Madh, i cili është miku më i mirë dhe më besnik i maleve, do të përpiqemi të jemi një pjesë e vogël e tij, guximi, vullneti, besa, ndershmëria dhe bujaria e këtij korifeu, do të jenë busull orientuese në punën tonë. Jemi të ndërgjegjshëm se kemi një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të bërë por do ta pranojmë të përballemime çdo sfidë për t’i shërbyer Shkodrës sonë.

Cilat janë prioritetet kryesore:

1-    Do të përmirësojmë infrastrukturën, kryesisht në zonën periferike të kemi të akomoduar qytetarët e rinj (të ardhur pas viteve ’90).

2-    Do të bëjmë regjistrimin e të gjithë të ardhurve (të paregjistruar), ata janë njerëz nevojtarë dhe duhen trajtuar brenda normave njerëzore.

3-    Biznesit dhe zhvillimit të ekonomisë së lirë do t’i japim prioritet, si garanci për zhvillimin e vrullshëm të kapitalizmit.

4-    Do të mbajmë nën kontroll konkurencën, që ajo të jetë e ndershme dhe do të ngushtojmë hendekun që ndan shumë të pasurit nga të varfërit, duke krijuar një ekuilibër me mirëqenie. Dhe kjo do të arrihet me një përkujdesje sociale, kështu do t’i vëmë pritë polarizimit të shoqërisë me komunitet.

5-    Do të zgjedh një staf të përgjegjshëm, ku do të mbizotërojnë tre komponentët e domosdoshëm, aftësa, ndershmëria dhe guximi qytetar.

6-    Do të eleminoj nepotizmin, klanizmin, krahinizmin dhe në veçanti dallimet fetare. Shkodra është e të gjithëve, i afti në krye të punës.

7-    Do të vendosim një disiplinë të hekurt me respektimin e orarit zyrtar dhe në pritjen me kulturë të qytetarëve.

8-    Do të bashkëpunojmë me strukturat e rendit dhe do të bëhemi faktorë në motivimin e shkeljeve ligjore, duke i siguruar jetën dhe pronën çdo qytetari, u premtoj qytetarëve të rinj se do t’u përmirësoj infrastrukturën dhe do i çlirojmë nga plehrat, të cilat ua sollën peshqesh në këmbim të një thesi miell, kjo është vetëm një pjesë e prioriteteve tona. Duke e ndjerë sublime peshën që do të mbajmë mbi supe. Kërkojmë votën tuaj duke ju garantuar përkushtimin tonë.

Nga Fran Dashi

Kandidat për Kryetar Bashkie – Shkodër për Partinë Kristian Demokrate të Shqipërisë

Panairi i Kabashit, traditë e hershme në zhvillimin tregtar

Kjo qendër tregtare ka ekzistuar që në shekullin II mbas Krishtit dhe ka vazhduar deri në ditët tona, me lindjen dhe organizimin e fiseve dhe më vonë me ndarjen në bajraqe. Kabashi njihet dhe respektohet si bajrak i parë, më vonë njihet si qendër kuvendesh fisnore dhe ndërfisnore, dhe njëkohësisht e panairit tradicional krahinor të Pukës. Është kjo bazë historike shoqërore që është bërë shkas për ruajtjen e traditës së pasur të kulturës popullore të Kabashit. Si brenda dhe jashtë Pukës, si shtrat i këtyre kulturave në Kabash ka qenë Panairi i Kabashit. Panairi zhvillohej çdo vit në fillim të pranverës në Grykë të Kabashit. Ky panair ishte një praktikë tregtare me rëndësi, siç u theksua lidhet me një traditë të hershme. Tradita gojore, si rezultat i fakteve historike thotë se ky panair është zhvilluar në Kabash që në kohën e Lek Dukagjinit.

Edhe Frang Bardhi në relacionin e tij më 1637 kur erdhi për të parë mundësinë e rindërtimit të Kishës Abaciale të Kabashit, ka pasë parasysh edhe panairin që po flasim. Ky panair mori përmasa të mëdha në shekullin 13 dhe zhvillohej ditën e dielë, një javë para të Dielës së Pashkëve. Tregu i panairit shtrihej në lamë Lushaj në të dy anët e rrugës së hershme të Karvaneve, ky vend tregu ishte Mera e katundit. Më parë ky vend ishte pronë e Kishës së Sh Gjones, ku sot është ndërtuar shkolla e re e Kabashit. Tradita thotë se dikur panairi shtrihej në tërë fshatin përbri rrugës së hershme të karvaneve prej Qafë Ajtyr deri në Qafë Rgjanë. Në panair mund të merrte pjesë kush të dëshironte, pa dallime fetare, fisnore, krahinore, shoqërore. Në panair vinin nga të gjithë fshatrat e krahinës së Pukës duke përfshirë edhe zonën e Gjegjanit e Kashnjetit. Kabashi ruante lidhje të mira me Kashnjetin. Ngaqë aty ka shumë gazullorë, degë kjo e vëllezërve Lushaj, në këtë panair thuhet se kanë ardhë edhe nga Shkodra e Lezha. Ky panair kishte rëndësinë e vet si për malësorët dhe sundimtarët e vendit dhe për Kishën e Sh Palit, gjithashtu për tregtinë e gjerë që bëhej aty, në sajë të këtij panairi ishte dhe gjendja e mirë ekonomike e saj. Në panair vinin vetëm të zotët e shtëpive, ndërsa nga fshatrat e afërta vinin edhe pjestarë të tjerë të familjes, si gra, të rinj e të reja, këto ishin më tepër të besimit katolik, sepse vini për të marr pjesë në meshën e madhe të të Djelës së Larit. Mjaft fshatarë të varfër nuk vinin në panair ngaqë s’kishin për të shitur as për të blerë. Lidhjet dhe marrëveshjet me tregun për pritjen dhe përcjelljen me bujari nga kabashasit bëheshin përherë pa ndonjë dallim fetar. Edhe kur banorët e fshatit u ndanë në dy besime, Panairi i Kabashit vazhdoi rregullisht, sigurisht pjesëmarrja ka qenë më e madhe e besimit katolik, për arsye se panairi zhvillohet çdo vit të Dielën e Larit, ose quhet edhe e Diela e Luleve. Kabashasit në bazë të rregullave të kanunit, pleqësia e fisit Kabash nxori një sullë për vendosjen e rregullit dhe vendosi pleqësia e fisit dhe bajrakut të Kabashit të vendosë rregull dhe qetësi në treg. Gjatë ditës së tregut njerëzit rrinin lirisht dhe ata që ishin me frikë ose hasmëri ishin në besë të Kabashit. Brenda territorit të fisit, për ditën e panairit, fshatarët përgatisnin pjesë artizanale. Kabashi nxirrte në treg punime prej druri, leshi dhe balte. Gojani kishte zanat vegshat, Lumbardh-Gojan enët prej druri, etj. Punimet prej hekuri ishin ato më të zakonshmet në jetën e malësorit. Këto prodhime vinin zakonisht nga kovaçët e Kryeziut, Saktit, Kçirës, (kovaçët e Pistës së Shënmarisë kishin bërë pjesë për toka që u përdorën me sukses më 1912 në luftë kundër serbo-malazezëve). Tregu i këtij panairi kishte edhe vegla muzikore, si çifteli, lahutë, fyell, zumare etj. Blerësit e këtyre veglave i merrnin këto vegla dhe i provonin, duke krijuar një farë atmosfere muzikore ku blerësit thyenin monotoninë e krijuar në treg. Në këtë treg shumë malësorë tregtonin farishte të ndryshme perimesh se edhe koha ishte shumë e përshtatshme, fillimi i pranverës, prandaj farishtet ishin malli i parë që kërkohej në këtë treg. Në këtë panair, përveç shitblerjes së rastit, bënin edhe porosi për vitin e ardhshëm. Mallrat e porositura, shitësi ua dërgonte në shtëpi, sipas adresës së lënë më parë. Transporti bëhej me kafshë dhe me shpinë. Të gjithë ata që vinin në panair vishnin rrobat më të mira që kishin ose që mund t’i siguronin për atë ditë. Krerët e pasur vinin me rrobat më të mira se të tjerët, duke rënë në sy prej së largu. Gjatë zhvillimit të panairit, argëtim për malësorët ishte edhe gjuajtja e shenjit me pushkë. Në këtë shenjë ata provonin aftësitë e tyre si qitës të mirë. Nga mjaft malësorë pjesëmarrës në këtë panair, përdorej si vend takimi me njëri-tjetrin për shitblerje, për lidhje krushqie, marrëveshje për ndërtim shtëpishë, argatë për punët e pranverës në bujqësi, blegtori, etj.

Një rëndësi të veçantë i jepnin panairit kuvendet e malësorëve, të karakterit zonal, fisnor dhe krahinor, që bëheshin po atë ditë me qëllim që të zgjidhnin probleme të natyrës shoqërore, ekonomike. Edhe tek Kisha e Shën Palit, mbas meshës kalonin në kuvende, kuptohet të fesë katolike. Abati i kësaj kishe organizonte rezistencën kundër pushtuesve turq, këtë e tregon prelati trim e patriot, Pjetër Budi.

Kuvende të tilla krahinore për çështje të tilla kombëtare vazhduan të zhvillohen në Kabash, gjithmonë me organizimin e klerit katolik. Përgjithësisht këto ishin tiparet kryesore të fizionomisë së panairit tradicional të krahinës së Pukës, që mbahej çdo pranverë në Grykë të Kabashit. Prandaj mund të themi se Panairi i Kabashit, ndryshe nga disa pazarë të vegjël, ishte një shembull konkret që vërteton se kjo krahinë e mbrendshme malore e veriut të Shqipërisë me kushtet e një farë autonomie që kishin fituar në një luftë të pandërprerë me pushtuesin turk.

Në mbyllje të këtij shkrimi për historikun e Panairit të Kabashit, mendoj se kam thënë diçka me rëndësi për traditat e lashta të popullit tonë në shekuj.

Zef Koliqi

 

Kronikë për dy evenimente në kulturën durrsake

Artdashësi durrsak, veçanërisht të rinjtë e ndjejnë vakuumin që në 13 vjet tranzicion ka qenë prezent edhe në fushën e artit. Por kjo verë ka qenë disi ndryshe dhe kjo s’përbën slogan. Një investim modest nga Fondacioni Soros dhe agjensia KAD, për trurin e larguar u dhuroi durrsakëve një mbrëmje vërtetë të rrallë. “Takimi muzikor i Kukuzelit” ngjiti në skenë talente të muzikës që jo vetëm studiojnë në shkolla prestigjioze europiane, por janë spikatur në veprimtari ndërkombëtare dhe të vlerësuar me çmime. Edicioni i parë “Takimi muzikor i Kukuzelit” mblodhi rreth 200 shikues në sallën e koncerteve të liceut artistik, me të njëjtin emër, në mbrëmjen e 23 gushtit. Dhe ishte vetëm fillimi, është fillmi i një tradite të bukur për ata që na mungojnë dhe kjo s’është thjeshtë çështje malli…

Udhëheqja artistike e kompozitorit të mirënjohur, “Artistit të Merituar”, profesorit Haig Zaharian me profesionalizëm dhe regjia plot fantazi e regjisores së re, të apasionuar Driada Jani, krijuan ngrohtësi për muzikantët e rinj në një lidhje të drejtpërdrejtë jo vetëm nëpërmjet muzikës, por edhe intervistave dhe portreteve të tyre artistike. Rikthimi i muzikantëve shqiptarë që studiojnë jashtë, si në Francë, Austri, Gjermani, Itali, Rumani, etj., ishte njëherazi një dritë e re mbi figurën me përmasa botërore, muzikantit të shek. 11-të, Jan Kukuzeli. Këta muzikantë të talentuar si A. Xhoja, I. Nanushi, E. Alicka, G. Myshketa, D. Dervishi, K. Gjezi, M. gjollma, K. Konomi, O. Caku, etj., kanë me vete këtë emblemë të ndritshme që s’duhet harruar. Pjesët e ekzekutuara në këtë aktivitet, i përkisnin periudhave të ndryshme muzikore që nga Moxart deri tek Shonberg. Me kuriozitet u ndoqën pjesët e kompozitorëve bashkëkohorë që s’ishin ekzekutuar më parë dhe i dhanë larmi të veçantë mbrëmjes muzikore që nuk i munguan duartrokitjet.

Tek shihje këta muzikantë të talentuar, dhe duhet të theksojmë muzikantë shqiptarë, të vinte në mendje pyetja, të cilën ia bëri dhe prezantuesi, aktori i mirënjohur, “Mjeshtri i Madh i Punës”, “Artisti i Merituar”, Mirush Kabashi:

-A do të ktheheni pas studimeve në atdhe?

Përgjigja ishte një heshtje e shoqëruar me një buzëqeshje. Është afërmendjes që kjo përgjigje varet nga një përgjigje më e madhe që i përket të gjithëve:

-Vallë, a do e kalojë Shqipëria këtë krizë të gjithanëshme dhe a do të vijë dita, kur të vlerësohet arti serioz, ai i vërteti???

Pa u shuar mbresa e Takimit të Kukuzelit, u pasua nga aktiviteti “Netët e muzikës klasike” më datat 20-23 shtator, që u drejtuan nga violinisti i mirënjohur edhe në botë, Florian Vlashi, i cili për fat të keq zhvilloi aktivitetin me bashkëshorten e tij violonçeliste në një orkestër larg atdheut, në Spanjë.

Nata e parë, si asnjëherë u zhvillua në ambjentet e Muzeut Arkeologjik. Në program, ku morën pjesë violinistja M. Ikonomi dhe violinistja O. Gripshi dhe ekzekutuan kuinteti i parë dhe i dytë për harqe nga W. A. Moxart. Një mbrëmje violinistike elitare mes statujave dhe tempujve të lashtësisë befasuese dhe loja në violinë e virtuozit F. Vlashi, që thyente shurdhërinë e kupolës rezonuese të arkeologjikut, do të mbeste gjatë në kujtesë.

Nata e dytë “Kontrast”, u zhvillua në sallën e Teatrit “A. Moisiu”, “albanian dance theater company”. Ishte një bashkëpunim me koreografët italianë Silvano Mozzini, Christiane Loch dhe koreografin shqiptar, pedagogun e Akademisë së Arteve të Bukura, Gj. Prevazi. Z. Mazzoni, përveç koreografisë i kishte bërë dhe një përshtatje mjaft origjinale lëvizjeve koreografike me muzikën. Ajo që goditi më shumë publikun e pakët, qe simbolika e kësaj pjese, ku jepeshin të sintetizuara në gjuhën konvencionale të baletit, periudhat e ndryshme që ka kaluar Shqipëria dhe përpjekjet, sakrificat, sloganet dhe flijimet në emër të ardhmërisë…

Nata e tretë e kishte të veçantën që në njoftim: Zona Industriale, Shkozet… Një kujtim, një dekadë e ca braktisje… harrim dhe heshtje vrasëse… retrospektivë… në diktaturë. Koncerti do të zhvillohej brenda rrënojave të fabrikës së gomëplastikës “Kozma Nushi” “një hero me kokë të prerë në hyrje të ngjallte edhe tmerr… Në muret e kësaj fabrike ishin vënë dhe punimet e piktorëve si I. Kodra, R. Ferri, G. Priftuli, Sh. Beqiraj, N. Vasia, Z. Vlashi dhe një miting pranë oxhakut të fabrikës. Premtimet që fluturonin e pëlcisnin si tollumbace sikur rivalizonin. Duke parë që kjo pengonte konertin u detyruam të prisnim. Ç’krahasim të vjen ndër mend: art dhe politikë, dhe është e ditur se kësaj të dytës në vendin tonë nuk i mungojnë fansat e shumtë, por edhe dallimi dihet: Arti mundohet në mënyra të ndryshme të na japë të vërtetën lakuriqe dhe të përcjellë mesazhe humane, ndërsa politika ta fshehë të vërtetën.

Në këtë mbrëmje ekzekutoheshin pjesë të autorëve kontemporanë të pa ekzekutuara ndonjëherë, madje të panjohura për publikun. Pjesa e parë, adagio për harqe, ishte marrë nga autori amerikan Samuel Baber që përbën dhe një nga veprat e tij më të njohura në të gjithë botën. Pjesa e dytë për kuartet harqesh ishte e kompozitorit spanjoll Julian Samuel, që titullohej “letra e katërt nga Kosova”. Ideja e kësaj ishte marrë nga mbresat prej letrës dërguar kompozitorit nga miku i tij i ngushtë fotograf, i rënë në luftë. Para se të ekzekutonte pjesën e tretë solo të kompozitorit Manuel Quiroga, të titulluar “Emigrantët keltë”, F. Vlashi tregoi tri arsyet që e kishin shtyrë të realizonte këtë koncert, në këtë vend të harruar nga njerëzia. E para: faza industrializuese e shoqërisë që gjen shprehjen e vet edhe në muzikën bashkohore, le të themi përshtatja e muzikës me vetë kohën. E dyta: Shkatërrimi, harresa dhe braktisja e kësaj fabrike është dëshmi e Shqipërisë në tranzicion. Për ta mbyllur dhe me një kujtim të njerëzve të cilët kanë punuar në këtë fabrikë dhe kanë vdekur përditë pak nga pak…

Tila Dervishi

Akademia e Arteve të Bukura – Tiranë

Dega: Muzikologji

Akademiku kosovar Mark Krasniqi viziton Mirditën

Me ftesë të Partisë Kristiandemokrate të Shqipërisë dhe me interesimin e vazhdueshëm të Kryetarit të saj, z. Fran Dashit dhe të kryetarit të degës së kësaj partie për Mirditën, z. Zef Lleshit u bë e mundur që Akademiku i shquar, personaliteti i letrave shqipe, Mark Krasniqi, prej datës 11. 9. 2003 deri më 13. 9. 2003, të bëjë për herë të parë një vizitë miqësore në trevën e Mirditës. Siç është shkruar edhe herë tjetër ka qenë një vizitë nismëtarëve të lëvizjes kristiandemokrate në Kosovë, ku është pritur zyrtarisht nga Kryetari i Partisë Demokristiane Shqiptare e Kosovës me selinë e saj në Prishtinë. Z. Krasniqi ka pranuar këtë lëvizje kristiandemokrate në Shqipëri si programin dhe alternativën e saj për njësimin e Kristiandemokracisë shqiptare.

Në sallën e madhe të Qendrës Kulturore në qytetin e Rrëshenit, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artisëve, dega e Mirditës, në bashkëpunim me Bashkinë e Rrëshenit, organizuan prezantimin e librit më të ri të Akademikut kosovar, Mark Krasniqi. Në këtë moment historik për Mirditën, morën pjesë poetë, shkrimtarë, intelektualë, drejtues të forcave politike si dhe banorë të qytetit, miq dhe dashamirës të shumtë të Akademikut Kosovar. Fjalën e hapjes e mbajti Pjetër Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dega Mirditë. Nderuan në këtë takim me pjesëmarrjen e tyre Ylli Popa, Akademik, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Dr. Mark Tirtja, deputet dhe shkrimtari shkodran, Pjetër Arbnori, Kryetarja e Bashkisë, Marie Biba dhe të tjerë përfaqësues të artit dhe kulturës në Mirditë.

Në fjalën e tij, Dr. Nikolla Toma prezantoi vlerat dhe kontributin kombëtar të Mark Krasniqit në librin “Rrënjët tona etnike”. Ky libër është një punim virtuoz i autorit i cili trajton origjinën e shqiptarëve, kundërshton në mënyrë të prerë tezat sllavo-serbe dhe të Kishës Ortodokse Serbe, për pretendimet territoriale ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Akademiku Mark Krasniqi, personalitet i letrave shqipe argumenton shkencërisht dhe me fakte historike hedh poshtë tezat e shkencëtarëve serbo-sllavë se Kosova nuk ka qenë dhe as është tokë serbe. Gjithashtu, autori mohon shpifjet për shqiptarët duke i kushtuar vëmendje politikës shoviniste të Serbisë. Hidhet poshtë ajo tezë e historianëve serbë se më 1620 serbët paskan qenë në Kosovë.

Poeti dhe studiuesi Dodë Pjetri, pasi vlerësoi lart plejadën e shkëlqyer të intelektualëve dhe të studiuesve kosovarë, u ndal tek vlerat njerëzore, kristiandemokrate dhe ato shkencore e profesionale të akademikut, etnografit, historianit, pedagogu i universitetit, si një eksplorues i shkallës europiane. Mark Krasniqi, është dhe një patriot e atdhetar i shquar për çështjen kombëtare shqiptare.

Autori në fjalë e vlerëson librin “Rrënjët tona etnike” si udhërrëfyes për gjenezën e shqiptarëve kudo që janë në botë.

Z. Bardhok Pulaj në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi figurën e z. Mark Krasniqi, si njeri i palodhur, i guximshëm në polemikat me serbët. Serbët kanë dy shtylla të forta, tha autori i përshëndetjes. Kisha Serbe Ortodokse dhe Akademia e Shkencave të Serbisë, të cilat pa asnjë bazë shkencore dhe fakte historike shpifin dhe manipulojnë historinë duke shkruar e thënë se Kosova është e Serbisë! Kjo tezë antishqiptare kundërshtohet dhe mohohet me fakte dhe në mënyrë bindëse, se Kosova është tokë shqiptare ashtu siç janë dhe kosovarët popull shqiptar në trojet e veta etnike që para 4000 vjetësh. Në shek. 7-të ka ndodhur kolonializimi sllav. Në shek. 14-të u krijua Perandoria e Madhe e cila jetoi 12 vjet. Pra më 1620 nuk ka pasur serbë në Kosovë. Dardania e atëhershme ka qenë trevë e Arbërisë.

Në librin “Rrënjët tona etnike” një vëmendje të veçantë autori i kushton luftës çlirimtare më 1990, ku Kosova pësoi dëme të mëdha, u vranë 15.000 njerëz të pafajshëm, u dogjën 220.000 shtëpi, pa përmendur këtu të burgosurit dhe ata që kanë humbur.

Z. Pjetër Arbnori, në përshëndetjen e tij, falenderoi për ftesën dhe uroi z. Mark Krasniqi për librin e tij me vlera kombëtare.

Treva e Mirditës është sa interesante aq edhe me vlera kulturore, tha shkrimtari disident, deputeti dhe miku i Mirditës, Arbnori.

Në fjalën e tij përshëndetëse, akademiku Ylli Popa, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, tha se e quante privilegj ftesën në këtë ditë kulturore kushtuar akademikut të nderuar kosovar, Mark Krasniqi, i cili është dhe anëtar i Akademisë së Shqipërisë. Vepra e Krasniqit, shtoi në bisedë Popa, është pasqyrë e ideve dhe e punës së tij nëvite. Në librin “Rrënjët tona etnike”, autori shtron shumë probleme, që hedhin dritë mbi teza dhe fenomene të kundërta në etnogjenezën, në historinë e trazuar të shqiptarëve, që nga lashtësia e deri në ditët tona. Shqiptarët, fqinjët dhe e gjithë bota e qytetëruar i di dhe i njeh padrejtësitë historike që kanë përjetuar shqiptarët në shekuj si pasojë e politikave shoviniste të fqinjëve ballkanikë.

Z. Marie Biba, Kryetare e Bashkisë Rrëshen, përshëndeti mirëseardhjen e akademikut Krasniqi dhe të ftuarve të tjerë. Zotit Krasniqi i tha që të mos e harrojë udhën për në Mirditë. I uroi atij shëndet dhe punë të mbarë.

Në fund të takimit, disi i emocionuar e mori fjalën akademiku Mark Krasniqi, icili falenderoi organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në prezantimin e librit të tij “Rrënjët tona etnike”.

Jam shumë i lumtur sot, si asnjëherë tjetër, që ndodhem në mesin tuaj, që kuvendoj sot në Mirditën e besës, të burrërisë, të mikpritjes, të luftës, në Mirditën e dijes dhe të kulturës, në Mirditën e Fishtës, Mjedës, Pashko Vasës, Anton Çetës, Abat Doçit, figura këto të përmasave kombëtare që e lartësojnë Mirditën në panteonin e historisë dhe kulturës kombëtare.

Kam kundërshtuar dhe do të kundërshtoj, sa të jem gjallë, politikat dhe synimet e serbëve, mashtrimet dhe manipulimet që i bëjnë ata realitetit ballkanik, dhe sidomos realitetit me Kosovën. Nuk kanë ardhur shqiptarët në Shqipëri dhe as në Kosovë më 1690, siç pretendon propaganda shoviniste serbe. Shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë, përpara këtij viti të sajuar nga pseudoshkencëtarët në akademitë sllave, 900 vjet përpara kanë pranuar besimin kristian. Dhe unë vetë kam lindur e rritur në katundin Shëngjon të Kosovës. Unë e kam shkruar këtë libër, jo për të kurdisur polemika me akademikët dhe shkencëtarët e Serbisë, apo të ndonjë vendi tjetër këtu përreth, por për t’u treguar dhe argumentuar atyre me fakte dhe me argumente shkencore, se shqiptarët, kudo që janë në Ballkan rrojnë në trojet e tyre etnike. Kundërshtimet e këtyre tezave janë antikombëtare.

Pas prezantimit të librit, pjesëmarrësit në takim vizituan Galerinë e Arteve Figurative, ku piktorët mirditorë: Pjetër Marku, Zef Lleshi, Gjokë Pepa dhe Martin Koka, me punët e tyre të përbashkëta kanë hapur një ekspozitë pikture enkas për këtë ditë kulturore.

Zoti Mark Krasniqi, para se të largohej për në Kosovë, vizitoi Komunën e Oroshit, Katedralen e re në Rrëshen, kishën 900 vjeçare në Rubik dhe në mbyllje të vizitave, një qëndrim i veçantë në Kishën e Shnandojt, në Laç të Kurbinit.

Ndue Bushkola

 

Xhoana Nano edhe pëllumbeshë e bardhë, edhe korb i zi

Greqia, si “mike” e përhershme e shqiptarëve, për të ruajtur këtë miqësi, ruan të pastër si sytë e ballit tash 60 vjet ligjin e luftës. E ky ligj i duhet fare pak, vetëm për të pasur dorë të lirë “për të larë lesh e bërë përshesh” ndër shqiptarët e mjerë që kanë marrë rrugët e kurbetit. Madje si shenjë dashurie për shqiptarët ajo shpesh bën kurbane (si rasti i të riut nga Kukësi, Vullnet Bytyçi). Gjithsesi, shqiptarët duke mos pasur ende një qeveri vërtetë të vetën, vazhdojnë të “pranojnë” ato çfarë u servir “mikja” e madhe, Greqia. Frut i kësaj miqësie është jo vetëm një tufë ministrash, u thënçin, por mbi të gjitha i ngarkuari nga qeveria greke, Fatos Nano, që për modesti këtij i thirrin Kryeministër. Dhe si kryeministër i “grekëve”, po nga Greqia iu “dhurua” edhe gruaja aktuale me emrin Xhoana Nano (unë nuk përmenda ato që thoshte z. Klosi, ish Shefi i SHISH-it dhe e hëngri). Dhe në vazhdën e “miqësisë” së madhe këto ditë Greqia ka urdhëruar të dërguarin e saj të zbresë pëllumbeshën e tij në Shkodërlocen. Ku me të zbritur znj. Xhoana si një “pëllumbeshë” e vërtetë takoi Misionin Mbarëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve (me qendër në Shkodër), ku me pjestarë të këtij misioni u takua me një grup të mjerash shamizeza, të cilat kishin humbur të dashurit e tyre në përgjithësi gjatë ditëve të “lumtura” që qeverisë çifti Nano. E pëllumbesha që fluturoi nga “Greqia”, kërkoi t’i ndihmojë këto të mjera materialisht e moralisht, ku për këtë të fundit u tha se solli mesazhe paqeje (kuptojeni paqeje nga Greqia). Unë nuk e di nga kush vetëm nga Shkodra TV1 e dëgjova se znj. Xhoana u quajt Pëllumbeshë Paqeje. Madje iu tha mirësevini Pëllumbi i Paqes. Natyrisht pas kësaj pritje dhe reklame të vijnë në mendje shumë pyetje por dy a tri janë si më sigluese, si për shembull:

Ky pëllumb paqeje, përse fluturoi në Shkodër kaq vonë, apo për të ndihmuar sadopak fushatën elektorale të të shoqit???. Kur misioni i pajtimit të gjaqeve e di se gruaja e Kryeministrit i shërben në gjithçka politikës të të shoqit, përse merret aq shumë me Xhoanën?? A thua shkodranët (qofshin edhe hallexhinj) janë kaq miopë sa nuk e shohin se fluturimi nga “Greqia” i Pëllumbeshës së “Paqes”, vetëm me paqen nuk ka asnjë lidhje?? Gjithsesi, Shkodra ishte më me fat, pasi kishte në gjirin e saj Pllumbeshën “Greke” Xhoana, ku të paktën nuri i saj të kënaqte disi, ndërsa ne malësorët po këtë ditë, më 27. 9. 2003 kishim në “gjirin” tonë jo një pëllumbeshë, por një “korb”, që u soll jo pak nëpër trevat tona. E ky korb mjerisht u paraqit e premtoi si Kryeministër, ku në fakt dihet se korbat kur sillen kërkojnë kërma e kërma vjen nga vdekja apo më ke nga ngordhja…

 

Pleqtë pakësohen, veteranët e luftës “shtohen”

Titulli i këtij shkrimi mund të duket paradoksal, që në fakt është, por paradoksin nuk e “shpika” unë, por po e realizojnë ata (pushtetarët socialistë), që çdo ditë miratojnë statuse të reja të veteranëve të luftës Nac.-Çl. Unë nuk jam kundër dhënies së këtij statusi të gjithë atyre që e meritojnë, por pushteti komunist ua kishte mohuar për arsye të ndryshme. Në këtë rast të fituarit do të ishin nacionalistët e vërtetë që milituan në çetat balliste e legaliste, ndërsa komunistët apo njerëzit e tyre në përgjithësi e kanë “gëzuar” këtë status edhe gjatë regjimit komunist. Gjithsesi “ngatërresat” për të përfituar statusin e veteranit të luftës kanë filluar që pas vitit 1991, por në atë kohë kërkesat vinin me shumicë nga ish-nacionalistët, për të cilët ta themi hapur edhe është abuzuar. Por abuzimi katastrofal ka filluar pas vitit 1997, kur në pushtet u rikthyen të majtët. Vetëm një analizë e përciptë dhe në listën e veteranëve sheh burra që nuk i kanë kaluar sot (2003) as 63 vjetët, madje më i vjetri veteran i ri, kap moshën 70 vjeç. Vetëm një llogari e thjeshtë të jep të kuptosh se këta veteranë të luftës Nac.-Çl., në vitin 1944 paskan qenë më i moshuari 8-11 vjeç. Pra në këtë moshë a mund të besohet se këta “trima” paskan rrokur armët për vatan e për të luftuar armikun! Madje në këtë moshë nuk mund të bëhet fjalë as për shërbime të tjera, si korrier etj. Tashmë edhe këtij “budallallëku” të këtij shteti, populli ia ka gjetur “barcaletën”, duke thënë se këta janë vërtetë veteranë të luftës, por ama të luftës së klasave…

Në fakt veteranët e vërtetë janë fare pak pasi mosha ka bërë punën e saj, (lufta ka rreth 60 vjet që ka përfunduar). Por më interesantja po shfaqet këto ditë të fushatës, kur veteranët (e rinj e të vjetër), janë pozicionuar hapur në mbështetje vetëm të kandidatëve socialistë. E pas kësaj ec e mos e beso se edhe pleqtë po pakësohen (vdesin), veteranët e “luftës” shtohen…

 

Malli i keq reklamohet

Në popull, prej kohësh qarkullon “fjalia” se ai mall që reklamohet shumë, është mall i keq, e pikërisht për këtë nuk blihet, ndërsa për të ndërsyer klientët i fusin reklamë papushim. Natyrisht media në përgjithësi e ajo elektronike në veçanti fitimin më të madh nga reklamat e ka. Duke u nisur nga kjo “fjali” e popullit (e populli thonë është sovrani), mediat elektronike, etj., (në shumicë me orientim të majtë) po reklamojnë papushim kandidatët e Partisë Socialiste. Reklama po përsëritet aq shumë, sa vetë “populli” ka filluar të shfryjë me fjalët, he ma se këta kandidatët e majtë na mërzitën duke i reklamuar, e se reklama e madhe i bëhet vetëm mallit të keq. Gjithsesi, ende nuk e dimë deri më 12 tetor nëse e ka seriozisht sovrani…

 

Të vegjlit e djathtë, nënkëmbësen PD-së

Duke pasur parasysh se në zgjedhjet vendore të 12 tetorit, nga partitë e djathta, por edhe të djathtë të vetë PD-së kanë shpallur kandidaturën shumë kandidatë për kryetarë komunash apo bashkishë, unë kam dëgjuar shumë debate nga kampi i djathtë, madje për këtë merret si model kampi i majtë i cili ka “firo” fare pak në krahasim me të djathtët. Gjithsesi unë si model të debateve vendosa të shkruaj vetëm një.

I djathti i parë (PD) i thotë një të djathti (të partive të vogla): He mor burrë, po ti si e shpalle kandidaturën për kryetar komune, kur e din se partia jote është parti që nuk e kalon 2% kurrë dhe kaq do të marrësh edhe ti?

I djathti i “vogël” i përgjigjet: Po, more zotëri, por ju të PD-së boll keni abuzuar me ne, ku si shembull po të kujtoj atë shprehjen e dy burrave, që i thonin njëri-tjetrit të rrëzoj sot e të rrëzoj mot, por që kurrë nuk kapeshin bashkë. E pikërisht për këtë le ta provojmë njëherë…

I djathti i PD-së, i kundërpërgjigjet: Po, more zotëri, po të ishte ashtu të drejtë ke, por në këtë rast ata burrat që do të kapen për t’u rrëzuar do të jenë PD-ja dhe PS-ja dhe jo ju, ndërsa roli juaj mund të krahasohet me një të tretë që pret t’i fusin nënkëmbësen njërës palë, ku në këtë rast jemi ne. Kështu, pra nënkëmbësja juaj bën që burri (PS) të na “rrëzojë” ne, e kur ai të jetë sipër nesh e ne poshtë, ju jeni edhe më poshtë, pra nën ne, e zor të përballoni peshën e dy të mëdhenjve, ju burrat e “vegjël”… Mos e merrni krejt me humor…

Ndue Bacaj

Vrasja e komisarit të policisë, Gani Malushi, është ndihmuar nga policia

Nga vendi i ngjarjes është” zhdukur” për 20 min. makina e zv/Drejtorit, Agron Hysi

Pashk Tusha dha dorëheqjen, pasi u kërcënua nga vrasësi Agim Pepa

Ligji – i shtrembëruar! Dhe forca policore e shtetit e shtrembëruar bashkë me të!

Ligji – bashkautor në padrejtësitë që ka për qëllim të gjykojë.

Frederik Bastiat

Këto sentenca filozofike të filozofit, gazetarit, të personalitetit politik francez, Bastiat i kam shkëputur nga “libri i rrezikshëm” “Ligji dhe shteti i krimit” (botuar në 1845).

Sot jetojmë në vitin 2003 dhe këto sentenca janë shumë të freskëta, pasi krimi në Shqipëri vazhdon “kokëfortësinë” e tij në “mbrojtje” të ligjit të shtrembëruar në praktishmërinë e gjykimit dhe ekzekutimit… Krimi ordiner ka marrë forma të sofistikuara. Ai nuk kursen as “kokat” e uniformave blu. Dhe shteti s’është i zoti t’i mbrojë, duke mbetur një Nocion i pabesuar para “mbrojtësve” të tij.

Konkretisht: Para pak kohe në qytetin e Durrësit u vra komisari i policisë, Gani Malushi, së bashku me shoferin e tij. Ishte një vrasje spektakolare, e organizuar mirë nga vrasësi Agim Pepa. Media e shkruar dhe elektronike dha “alarmin”. Shteti përgjigjet përvajshëm, duke mos e “fshehur” faktin: “Komisari i policisë është vrarë “aksidentalisht”. Gani Malushi është viktimë e ligjit kanunor, pasi shoferi i tij ishte gjakësi i vrasësit A. Pepa”. Dhe drejtori i prefekturës Durrës, Pashk Tusha jep dorëheqjen. Reflektim ky, profesionalo-qytetar, për të mos mbajtur mbi gradat “peshën” e krimit. Një gjë e tillë duhej të jepej, edhe nga Ministri i Rendit, Luan Rama, por Ministri e ka të vështirë se karriget i kanë të përjetshme. Logjikisht lind pyetja: Në një vend ku jeta e vetë policëve është e pasigurtë, po e qytetarëve të thjeshtë, si do të jetë???

Dhe brenda kësaj logjike, duke dashur për të hedhur pak dritë (pa dashur të luaj rolin e hetuesit e gjykatësit, të cilët i ka zënë ngërçi në “ringun” e interesave), i rikthehem edhe njëherë vrasjes së komisar Gani Malushit.

(sipas burimeve shumë të besuara)

      Ditën që është vrarë, Gani Malushi kishte ardhur në drejtori të policisë së Durrësit, për të kërkuar lejen e zakonshme të vitit. Sipas zërave të kësaj drejtorie, komisari do të emërohej shef i komisariatit në prefekturë (edhe në Krujë ishte shef i komisariatit).

      Gani Malushin e kërkon zv/drejtori i prefekturës, Agron Hysi, i cili i kërkon që të dorëzojë makinën gjatë periudhës që të jetë me leje. Po atë ditë, komisar Malushi vritet, shumë pranë drejtorisë së policisë Durrës.

      Ditën e ngjarjes, makina e zv/drejtorit zhduket për 20 minuta nga vendi i ngjarjes, pasi zv/drejtori shkoi në vendngjarje pa shoferin e tij. Si u zhduk makina e zv/drejtori, në vend të ngjarjes, ku aty kishin mbërritur dhe shumë forca të policisë???

      Pyesim: A e “vodhën” makinën, apo i është dhënë “dorës” së kompromisit me krimin? Pasi pas 20 min., makinën e zv/drejtorit në vendngjarje e ka sjellë një person i paidentifikuar, ku shoferi i zv/drejtorit po kërkonte makinën dhe ka konstatuar një person tjetër në makinën e tij. Shoferi i ka kërkuar spjegime, ku e ke marrë makinën, dhe i kërkonte njëkohësisht të ulej dhe t’i dorëzonte çelësat. Personi i panjohur nuk ka pranuar t’i dorëzojë çelësat shoferit të zv/drejtorit, duke i thënë se: “ma ka dhënë dikush makinën, dhe se unë jam një dikush”. Në këtë kohë shoferi i zv/drejtorit ka kërkuar ndihmën e furgonit të forcave të gatshme të policisë me radio. Të cilët bënë të mundur zbritjen e “dikushit” nga makina, pa mundur ta arrestonin. Krejt natyrshëm lind pyetja: Kush është ky “dikushi”? Kush ia dha makinën e policisë??? Pse s’e arrestuan në vend “dikushin”?

      Pasi në kohën që shoferi i zv/drejtorit ka kërkuar me radio forcat e gatshme, sinjalin e radios e dëgjojnë shumë policë që mbulojnë sektorin e zbulimit të krimit, pasi kanë të njëjtin “kod”. Po zv/drejtori, Agron Hysi, nuk e dëgjoi alarmin e shoferit të tij, që makina ndodhej në duar të një civili, që quhej “dikushi”?

      Apo nga të gjithë elementët e ngatërruar të situatës, lidhur me këtë ngjarje kemi të drejtë të aludojmë: se makina e zv/drejtorit të policisë është përdorur për transportimin dhe fshehjen e autorit të vrasjes së komisar Malushit?

Kujtojmë se:

Zv/drejtori, Agron Hysi, është përgjegjësi i krimit në sektorin e kriminalistikës. Pra Agron Hysi është shefi i zbulimit të krimeve, që mban përgjegjësi direkte për zbulimin, ose jo, të krimit. Dhe zv/drejtori vazhdon punën i qetë, i patrazuar edhe nga sytë e oficerëve policë që punojnë në këtë drejtori, që shohin, dëgjojnë e s’flasin, se kanë frikë se humbasin vendin e punës. I vetmi që dha dorëheqjen ishte drejtori i prefekturës, Pashk Tusha (edhe pse është përballur shpesh herë me zv/drejtorin, ku ky i fundit ka fituar, pasi edhe këtë herë e kaloi “barrierën” e bashkëpunimit me krimin). Për Pashk Tushën ruhet respekti i kolegëve të tij, të cilët e adhurojnë drejtorin e tyre për ndershmërinë profesionale në detyrë, të pakomprometuar me krimin.

      Por këtë radhë e “pësoi” për dy arsye:

E para: Për mos koordinim reciprok me kolegun e tij Hysi, sipas disiplinës që kërkonte Pashk Tusha në punë, në luftë kundër krimit.

E dyta: Vrasësi Agim Pepa i ka bërë presion në familje. Nëse realizohej kapja e tij, do të kishte vetëm dorën e Pashk Tushës, pasi Agim Pepa ishte kushëri i bashkëshortes së Pashk Tushës, dhe ai e njihte mirë forcën profesionale të Tushës.

      Dhe Tusha i ndodhur nën trysninë e frikës dha dorëheqjen, edhe pse ditën e ngjarjes ishte me lejen e zakonshme.

      Pra, të gjitha këto insinuata na çojnë drejt hijes së dyshimit se: vrasja e komisarit të policisë, Gani Malushit është ndihmuar nga policia.

Fatime Kulli

12 tetori, prapaktheu, vendnumëro, apo ecje para e shkëputje nga varfëria, krimi, korrupsioni, ushtria politike e rrugaçëve? Gjergj Leqejza, Mustafa Lici apo Artan Haxhi?

Dita e zgjedhjeve nuk merr përsipër të përgjigjet, nëse do të jenë kthim prapa, mbete në baltë, pra në vendnumëro, apo ecje përpara drejt shkëputjes nga varfëria, nga krimi, nga korrupsioni, nga ushtria politike e rrugaçëve që i druhen ligjit, zgjedhjet lokale. Pra, para së gjithash, 12 tetori, do të ndërgjegjësojë opinionin shkodran për atë që meriton, produkt ky i vetëdijes politike që ka asimiluar populli përgjatë këtij kalvari pësimesh dhe mësimesh me… klasën politike, përgjatë këtyre sukseseve apo zhgënjimesh me… klasë politike, përgjatë kohës së humbur apo të fituar po me klasë politike.

Njeriu para se të jetë partiak, është njeri që don ta jetojë jetën, Shkodra para se të jetë nocion gjeografik, krahinor, kulturor, artistik, qytetar, është një shprehje e vetëdijes së koherencës politike, e mishëruar kjo tek të gjithë ata, të cilët më 12 tetor, do të lënë nga një punë pa bërë, ndonjë qejf pas dore, nga një angazhim apo erz pa realizuar dhe do t’i drejtohen qendrave të votimit, për të shprehur vullnetin e tyre për veten, për njeriun që do të jetë jo vetëm qytetari i parë i Shkodrës, por edhe njeriu që do të merrte mbi supe barrën e rëndë të halleve e derteve të komunitetit të tyre.

Zgjedhje lokale, si çdo përballje tjetër politike, si kudo, por veçmas në Shkodër, hamendësohen prej nesh, si një rutinë që sundon ditën e zhurmshme me rrugaçë që mund të tentojnë të vjedhin votën, me shkodranë të lodhur nga ky karvan i gjatë 13 vjeçar maskaradash politike. Në këto kushte, natyrshëm lind pyetja se kush do të jetë vlera përfundimtare e këtyre zgjedhjeve, Gjergj Leqejza, Mustafa Lici apo Artan Haxhi, apo ndonjë tjetër? Gjithsesi, Shkodra do meritojë atë që do zgjedhë, siç edhe ka  merituar deri tani atë që ka, kjo e fundit statusquo politike e përcaktuar në kushtet e një marramendjeje dhe dehjeje të opinionit. Si kudo në Shqipëri, por veçanërisht në Shkodrën që i duhet punë e jo rrena për t’u krahasuar edhe me Pukën, kjo pyetje retorike shqetëson edhe qytetarin më indiferent, të cilit i është borxhli cilido që ka kurajon politike të përfaqësohet si pjesë e betejës elektorale, si alternativë perspektive politike. Nuk do ishte mirë që sërish pas tre vjetësh kryebashkiaku të shfajësohej si tërë këta që ishin deri tani, duke na kujtuar me fjalë të tjera proverbin “et taibu minedh dhembi qemen la dhemble luhu”, e stërpërkthyer nëshqip “kush pendohet nga mëkati është si ai që s’ka mëkat”.

E vënë re me kujdes, me paanshmëri për këtë moment delikat, klima politike në këto zgjedhje, përgjithësisht nuk paraqitet e tensionuar, me disa përjashtime që të shikuara në vizionin e zgjedhjeve, mund të pagëzohen edhe normalitet, edhe histeri e fodullëk. Kjo paqe, ndoshta, e theksojmë ndoshta, e vendosur pa asnjë marrëveshje paraprake mes palëve në betejën elektorale, mbase nuk ka kërçik të marrë përsipër të na rrëfejë sadopak optimizëm që duhet të frymëzojë rreth 2.800.000 shqiptarët, të cilët do t’u drejtohen kutive të votimit më 12 tetor për të shprehur vullnetin e tyre për një të ardhme ndryshe. Pozitiv ngelet vetëm fakti se opinioni ushqen idenë, se aktualisht kemi të bëjmë me një klasë politike më të moderuar, më të qetë, larg tensioneve, larg konfliktualitetit, larg zullumit social e qytetar, ku natyrisht viktimat do ishin si gjithherë të pafajshmit.

Shkodra, për nga natyra ofrohet si një rast tepër i komplikuar për përfaqësimin politik, atë që i përket të majtës, apo atë që ashtu u pëlqen ta etiketojnë disa, komunistëve. Por ajo, ndaj së cilës duhet të jenë shumë të kujdesshëm, pikësëpari ata që kanë hyrë në këtë betejë elektorale për të fituar, për të premtuar apo punuar, është ndërgjegjësimi me realitetin, njohja e rrethanave dhe angazhimi, jo elektoral, por në radhë të parë qytetar, dhe mëpastaj politik, që pas mandatimit nga vota e popullit të jenë iniciatorë të ndryshimeve, të rikthimit të dinjitetit të nëpërkëmbur përgjatë këtij tranzicioni të pafund.

Natyrisht, nuk është e lehtë për t’u fituar asnjë betejë, aq më pak kur nuk mësohet të ketë rregulla të barabarta loje, por me vullnetin për t’u thirrut të tjerëve “eja me ne” apo edhe me vullnetin për të qenë “një nga ata” që zgjedhin edhe ai që zgjidhet, gjithçka mund të bëhet e mundshme, e realizueshme.

Meqë na ka djegur aq fort qumështi, duhet t’i fryjmë edhe kosit dhe të dyshojmë se ajo që është promovuar gjatë këtyre ditëve të prezantimit të kandidatëve dhe alternativave të tyre politike, mbase do jetë diçka tjetër nga ajo për të cilën duhet të përgatitet ai që më 13 tetor do të hedhë rrugëve militantët dhe fansat, aktorët e sfidës elektorale…

Editorial nga Sokol Pepushaj

Albert Vataj

Konfliktet e pronësisë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish dhe të mbajnë familje të ngujuara

Konfliktet e pronësisë vazhdojnë të mbeten çështjet më problematike për shoqërinë shqiptare. Gjatë këtyre viteve tranzicioni ka shumë familje që kanë rënë pre e këtyre konflikteve për arsye pronësie.

I riu Lekë Kola, i datëlindjes 20. 04. 1978, lindur në fshatin Mazrrek, komuna Guri i Zi dhe banues në lagjen Mark Lula të rrethit Shkodër, vazhdon të jetë i ngujuar që nga shtatori i vitit 2001, vetëm dhe vetëm se babai i tij mbrojti me forcë pronën e tij që të mos ia rrëmbenin të tjerët.

Babai i Lekës, ndonëse në moshë të thyer, për të mos përfshirë fëmijët e tij në konflikt detyrohet që vetë ai të marrë në mbrojtje pronën e tij, të cilën e administron me të gjithë dokumentacionin e rregullt ligjor.

Bashkëfshatari i tij, nga familja Zefi, disa herë ka tentuar të marrë në mënyrë të padrejtë pronën e familjes Kola. Konflikti në mes të familjeve ka zgjatur për disa muaj me radhë. Me datë 27. 09. 2001 familja Zefi ka tentuar për të goditur me mjete të forta babain e Lekës, i cili në rrethana vetmbrojtjeje plagosi një pjestar të familjes Zefi.

Pas kësaj ngjarje 3 familje të fisit Kola detyrohen të vetëngujohen nga frika se familja e dëmtuar mund të hakmerrej ndaj tyre.

Ato që po e vuajnë më shumë këtë dramë janë të rinjtë dhe në veçanti Leka, i cili duke mos duruar më të qëndrojë brenda mureve të ngujimit, ndonëse i pafajshëm, detyrohet të largohet nga Shqipëria duke marrë rrugët e mërgimit për një jetë më të lirë.

Korresp. i “Shqipëria Etnike

 

Mark Ferra dhe diktatura

Mark Ferra është një ndër ata që kanë investuar për një Shqipëri të lirë, pa diktaturë, pa dhunë, pa diferencime mes njerëzish. Por diktatura komuniste i lufton njerëzit si Marku. Është pikërisht Mark Ferra i cili lindi në fshatin Sermë, komuna Shosh më 8. 06. 1978, ku që në moshë të re u edukua me ndjenja të forta për atdhe e urrejtje të madhe ndaj sistemit komunist. Disa herë në moshën e tij të fëminisë kujton se si komunistët kontrollonin babanë e tij për festa fetare, se a kishte ndezur qiriun e thënë rruzaren e shenjtë në ceremoni fetare. Mjaft festa një pestar i familjes nuk ulej në sofër për të ngrënë por duke ruajtur se kur po vinin për kontroll. Të nesërmen mësuesit e provokonin, a ke hëngër mish mbrëmë, po qirin a jua ndezi baba! Kjo jetë plot vuajtje u rrit Mark ku që më 10 shkurt 1998 është aktivizuar si anëtar i PD dhe aktivizohet në të gjitha fushatat elektorale politike si komisioner dhe përfaqësues i PDSH. Është kërcënuar se qëndrimi i tij i vendosur në komisione do t’i kushtojë shumë shrenjtë për jetën e tij. Megjithë vendosmërinë e tij, komunistët, punonjësit e sigurimit e ndoqën hap pas hapi. Fitorja prej 12 vitesh në komunën e Shoshit e PD bëri që nga 1 janari 2001 deri më 1 qershor 2003 të jetë në punë në zyrën e shërbimeve. Por duke parë që zgjedhjet lokale po afroheshin ai kërcënohet nga persona të panjohur se nuk do të qëndrojë më në Shosh në asnjë fshat, apo ndonjë qendër votimi, se jeta e tij do të jetë e shkurtër. Kështu, drejtuesit socialistë, bandat e deputetëve socialistë, e detyruan të largohet nga vendi, për të shpëtuar jetën. Ai ende nuk jep informacione se ku ndodhet, por shpreson në ndryshimet e zgjedhjeve të 12 tetorit që të ketë ndryshime, por i coptuar moralisht se nuk do të jetë më mbrojtës i votës së lirë, i idealit që u edukua për shpresën në një siguri për jetën. Kthimi në Shqipëri do të jetë vdekja e tij, sepse është në shënjestër si një demokrat i flaktë e i vendosur që nuk pranon asnjë nënshtrim. Prandaj mbetet nën shënjestër ku prania e tij sjell pasoja edhe për prindërit, ku tashmë njihet si mbrojtës i të gjithë trevës të idealeve demokratike.

Zef Nika

Lec Bzhetaj në kërkim të mbijetesës

Jo vetëm gjatë viteve të diktaturës por edhe tani e në veçanti pas vitit 1997, kur në Shqipëri u rikthyen dhunshëm në pushtet ish komunistët, të emëruar socialistë, shumë antikomunistë e posaçërisht anëtarët e Partisë Demokratike janë të detyruar që të largohen nga vendi i tyre, në drejtim të vendeve perëndimore për të siguruar mbijetesën. Dhe e gjithë kjo ndodh sepse ato kërcënohen, largohen nga puna, pra e thënë ndryshe diskriminohen, pse jo edhe deri me jetën e tyre për bindjet politike që kanë. I tillë është rasti i zotit Mark Bzhetaj, nga fshati Dobër, komuna Qendër në Malësinë e Madhe. Lec Bzhetaj, që në vitin 1990, kur në Shqipëri filluan proceset demokratike, u bë anëtar i Partisë Demokratike, duke dhënë një kontribut mjaft të çmuar për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Por edhe problemet i filluan shumë shpejt. Më datën 2 prill të vitit 1991, gjatë demonstratave për largimin e diktaturës, plagoset në këmbën e djathtë dhe jo vetëm kaq, por edhe më pas Lec Bzhetaj është arrestuar disa herë dhe është mbajtur i izoluar për shkak të veprimtarisë së tij, mbasi ai vazhdonte aktivitetin pranë Partisë Demokratike si anëtar, propagandues dhe komisioner zgjedhjesh. Dhe problemet, duke iu rrezikuar sërish jeta, për Lecin vazhdojnë. Më datën 6 tetor të vitit 2001, rreth orës 2100 duke u kthyer nga një mbledhje partie, së bashku me shokun e tij Preç Deda, ku po udhëtonin me makinë në aksin rrugor Dobër-Koplik dhe pikërisht në hyrje të rrugës në Dobër, disa persona u dalin përpara të veshur me uniforma policie, duke i qëlluar. Në këtë rast Leci shpëton por mbetet i plagosur shoku i tij, Preçi. Pra kjo është tragjedia e Lec Mark Bzhetaj nga fshati Dobër i Malësisë së Madhe, vetëm për bindjet e tij politike.

Vasel Gilaj

Në Shqipëri shkelen hapur të drejtat e liritë e njeriut

Janë të shumta rastet që gazeta jonë ka prekur shkeljet e shumta të të drejtave dhe lirive të njeriut që i bëhen shoqërisë shqiptare. Ajo që bie më shumë në sy aktualisht është fenomeni i konflikteve të gjakmarrjes dhe hakmarrjes, konfliktet e pronësisë deri dhe grabitjet me armë që u bëhen qytetarëve të këtij vendi, si rrjedhojë e paaftësisë së shtetit për të mbrojtur jetën e tyre.

Rasti i të riut Betim Nazim Kubaj, i datëlindjes 24. 04. 1981, lindur dhe banues në fshatin Shoj i Ri, komuna Rethina të rrethit Shkodër, i martuar, është detyruar që të ngujohet që me datë 03. 11. 2002. Ngujimi i të riut ka ardhur si rrjedhojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur vëllait të tij nga shtetasi E.P. i cili pas aksidentit me makinë ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar duke plagosur shtetasin Qemal Kubaj, vëllain e Betimit. Ngjarja ka ndodhur pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Theksojmë që autori i ngjarjes është oficer pranë divizionit të Shkodrës, gjithashtu edhe i dëmtuari është punonjës policie pranë togave të gatshme të Komisariatit të Shkodrës dhe ngjarja ka ndodhur ndërkohë që i dëmtuari ndodhej në shërbim.

Shtetasi Betim Kubaj është anëtar i Partisë Demokratike të rrethit të Shkodrës si dhe një nga aktivistët më të rëndësishëm të kësaj partie. Rrjedh nga një familje e varfër por me parime demokratike për një shoqëri të hapur dhe të civilizuar si dhe për futjen e frymës pro-amerikane ku dhe bindjet e tij janë shumë të forta në përkrahjen e luftës kundër terrorizmit dhe të gjithë atyre që kërkojnë të mohojnë të drejtat e liritë e tjetrit. Ajo që i ka vështirësuar jetën të riut është ngujimi dhe kërcënimi i vazhdueshëm që i bëhet nga familja e E.P. vetëm dhe vetëm se i riu Betim Kubaj i shpëtoi jetë të vëllait të tij në momentet e plagosjes. Lidhur me këtë konflikt një i afërm i Betimit ka tentuar për t’u hakmarrë duke qëlluar mbi vëllain e autorit të ngjarjes. Kjo ka vështirësuar kthimin e paqes tek dy familjet.

Pas disa muajsh familja Kubaj ka kërkuar ndërmjetësimin e misionarëve të paqes, por deri tani nuk ka ndonjë shpresë në mirëkuptimin e tyre, në këto rrethana i riu Betim Kubaj është detyruar të largohet nga Shqipëria për të ruajtur jetën e tij dhe të familjes së tij. Lidhur me këtë dramë të madhe konfliktuale ku kanë mbetur me qindra nëna të veja dhe të veshura në zi, me datën 30. 09. 2003, kjo organizatë ka zhvilluar një takim me 300 nëna, ku në mes tyre ka qenë edhe bashkëshortja e Kryeministrit Shqiptar, znj. Xhoana Nano.

Situata vazhdon të jetë problematike për të gjitha këto familje të prekura nga konfliktet. Ne si media e shkruar i urojmë të riut Betim Kubaj lirim sa më të shpejtë nga ngujimi dhe kthimin e paqes në mes këtyre familjeve.

Korresp. i “Shqipëria Etnike

Pse e lëshojnë vendin artistët shqiptarë

Përveç mijëra shqiptarëve të larguar nga vendi i tyre për arsye ekonomike dhe politike, gjatë 13 viteve të fundit, ajo që e ka pësuar më së shumti është kultura shqiptare nga e cila janë larguar shumë artistë. Për shkak të të bërit art, por që sunduesit dhe pushtetmbajtësit socialistë nuk e duan dhe as nuk e pranojnë kritikën në skenë nga artistët me emër, ku një rast i tillë shumë i dhimbshëm dhe majft flagrant është edhe kërcënimi që i është bërë aktores Valbona Babaj, mjaft e njohur në komunën e Kastratit të Malësisë së Madhe dhe më gjerë, për rolet e saj në gjininë e humorit. Veçanërisht Valbona shquhet te Sofra Bajzjane, spektakël që organizohet për çdo fund viti, por ja që siç e thamë, pushtetmbajtësit socialistë nuk e kanë pranuar humorin e Valbonës, sepse me interpretimin e saj, Valbona Babaj ka goditur të metat dhe dobësitë e pushtetarëve socialistë dhe është dashur që të vijë spektakli i Vitit të Ri 2002, që përkon dhe me fundin e vitit pra në javën e fundit të muajit dhjetor, ku me datën 25 dhjetor 2002 do të jepej shfaqja, por Valbona ka mundur që me prova të vazhdojë vetëm deri më datën 29 tetor, sepse prej kësaj dite ajo nuk është lajmëruar për të shkuar në shfaqjen e këtij viti, duke iu ndërprerë përfundimisht provat dhe  e gjithë kjo ka ndodhur sepse me humorin e saj Valbona bënte humor kundër qeverisë në pushtet dhe pikërisht për këtë ajo është kërcënuar disa herë që ta ndërpresë rrugën e saj se për ndryshe do ta pësonte keq, çka e tregoi edhe ndërprerja disa herë e energjisë elektrike, kur në skenë dilte Valbona. Biles në një rast tek po jepte shfaqje në Bajzë, qendër e Komunës së Kastratit, është sharë dhe ofenduar rëndë, ku i është thënë se po ta dinin se çfarë do të paraqiste në atë program, do ta kishin hedhur ndërtesën në erë. Prandaj e ndodhur në këto kushte ku Valbonës i duhej të linte jo vetëm profesionin, por edhe vendin e saj, ajo është detyruar ta lërë Shqipërinë, çka ne si gazetarë na e kanë vërtetuar edhe kolegët e Valbonës dhe posaçërisht vetë drejtuesi i grupit, zoti Qazim Çela, i cili flet me majft keqardhje për largimin e Valbonës e jo vetëm të Valbonës, thotë Qazimi, por edhe të një tjetri aktor të këtij grupi, siç ishte Vebi Kurti, të cilët edhe pse ishin më të mirët, nga kërcënimet e herë pas hershme u detyruan që të largoheshin nga Malësia dhe Shqipëria.

Vasel Gilaj

Në Shqipëri mungon gjykimi, ligji, shteti

Kaluan 13 vjet që Shqipëria hapi portat me Perëndimin, ku liria e fjalës, ekonomisë së tregut, besimit triumfuan mbi ligjet e rrepta komuniste, por gjithsesi gjakmarrja, hakmarrja mesjetare pësuan rritje shumë galopante. Veçmas në veriun shqiptar, ku ligji e shteti janë inkopetentë, kanuni i para gjashtëqind vjetëve vendos e vepron, duke marrë përditë jetë të pafajshme njerëzish. Edhe për një fjalë goje, edhe pse pula kalon nga një kopësht në tjetrin, pushka vrastare merr jetë. Aq i rrezikshëm po bëhet ky fenomen, saqë ditët e fundit gruaja e Kryeministrit shqiptar, zonja Xhoana Nano, vendosit vetë të marrë mbisupe një barrë, duke qenë në krye të Lidhjes së Misionarëve të Paqes, si presidente nderi. Gazeta jonë herë pas here ka trajtuar këtë temë rrënqethëse, ku shumë vriten e më shumë detyrohen të ngujohen. I tillë është edhe rasti i shtetasit shqiptar Tonin Deda. Ai për disa kohë qëndroi i fshehur deri një ditë që mori rrugët e ikjes nga Shqipëria. Po pse ngjau kështu?

I ati i Toninit, kohë më parë në një ngatërresë të çastit, kish vrarë dy vetë, A.P. dhe N.K. Por vjen dita, ajo e 2 korrikut të këtij viti që një person nga njëra familje e gjaksit e vret. Por sipas zakonit, Tonin Deda kishte edhe një gjak tjetër borxh, kështu që megjithëse nuk ka asnjë faj personal, përkundrazi është shumë njeri i mirë e i respektuar, me njerëzit e ligjin, detyrohet të marrë rrugët pa rrugë, vetëm për të shpëtuar nga plumbi.

Zog Hysenaj

Plagët e Prishtinës

Kosova përgjithësisht nuk po gjen ende rrugët që e keqja, hakmarrja, madje edhe terrorizmi të ngelen vetëm si relike të së keqes nëpër muzeume. Në kujtesën kosovare janë të freskëta masakrat e kriminelit të njerëzimit Sllobodan Millosheviç, por përditë krimet jo vetëm po marrin jetë njerëzish, por edhe po e largojnë shumë Kosovën nga integrimi në Perëndim. Ditët e fundit në Prishtinë u vra një djalë iri, Selim Xhemali dhe vrasësit nuk u zbuluan. Ai djalosh, sipas burimeve të besueshme u vra për arsyen banale se babai i tij, mendohej të kishte spiunuar anëtarët e UÇK-së tek serbët. Pra Selimi ishte djali i spiunit, djali i tradhëtarit, sipas UÇK-së, ku sipas suvestigimeve tona janë në listë shumë të tjerë. UÇK-ja, ku pas saj, madje edhe në radhët e saj kanë qenë të përfshirë edhe terroristë, e kish dënuar me vdekje Selim Xhemalin dhe të atin e tij Hakinë. Selimi kish shkuar për disa kohë në Gjermani dhe kohët e fundit kish ardhur në vendlindje, në Prishtinë me leje. Por e priti pushka, vdekja. Në Prishtinë, por edhe në zona të tjera të nxehta të Kosovës, ish anëtarë të UÇK-së, herë pas here kryejnë vrasje të tilla, të specializuara. Natyrisht këto plagë e largojnë Kosovën nga rruga e pavarësisë e të drejtave të tyre dhe bëjnë që interesimi i Perëndimit të jetë më i kujdesshëm edhe në dhënien apo njohjen e atyre gjërave që kërkon qeveria e Kosovës. Normalisht që të kërkosh pavarësi duhet të kesh siguri dhe të reflektosh punë e përkushtim për të bërë shtet, qoftë edhe brenda federatës ish-jugosllave. Plagët kaq të rënda, krimet kaq çnjerëzore, nuk janë një ogur i mirë për të ardhmen e Kosovës.

Sokol Pepushaj

Rritet numri i krimeve

Kohët e fundit, jo vetëm “temperatura” politike është rritur, por edhe kriminaliteti, madje tepër makabër, ka përfshirë tërë Shqipërinë. Rastet janë të shumta dhe secili më i shëmtuar se tjetri. Një i tillë është regjistruar edhe në pasdreken e datës 29. 05. 2003, kur plaku 77-vjeçar Mark Kol Pepaj, teksa po kthehej nga një vizitë nga një miku i tij, qëllohet me tre plumba dhe mbetet i vdekur në vend. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kushe-Hot të komunës së Kastratit të qarkut të Malësisë së Madhe. Interesimi i familjes dhe të afërmve të tij mbi motivin e vrasjes dhe identifikimin e kriminelit ka mbetur i pazbardhur. Ndërsa shteti, jo vetëm është treguar i pazoti për zbulimin e krimeve dhe identifikimin e prangosjen e kriminelëve, çka ne na jep rastin të themi publikisht se vetë ky shtet është i inkriminuar, vetë ky shtet vret, vetë ky shtet masakron.

Mark Kol Pepaj, lindur më 1926, ka qenë baba i pesë vajzave dhe dy djemve, të gjithë të martuar. Ai nuk ka qenë anëtar i asnjë partie përgjatë gjithë jetës së tij. Si tërë malësorët e tjerë hotjanë, ai ka qenë një punëtor që ka rritur fëmijët vetëm me forcën e krahut, me djersën e ballit. Por vjen dita, që plumbi i pushkës, pa i patur askujt asnjë borxh, i pret jetën.

Është kjo një tablo e zymtë e jetës në Shqipërinë postkomuniste, ku krimi të merr jetën jo vetëm në mes të natës, por edhe ditën.

Vasel Gila

 

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu