Nr. 92 i gazetës në print

0
Të qeverisësh më duart e ligjit

Kjo verë do të jetë më e ftohta në historinë 15-vjeçare të postkomunizmit shqiptar. Prangat po u vringëllijnë para syve, atyre që deri dje ishin shtet brenda shtetit. Bindja se vullneti për të bërë shtet përmbys çdo paragjykim, dërmon edhe themelet më të forta të skepticizmit, sa vjen dhe faktorizohet duke u bërë pjesë organike e kësaj qeverisjeje, me mjaft gabime e shume arritje. Berisha, të cilin shumë po e mveshin me petkun e gogolit të politikës, po kristalizohet si faktor i shtetbërjes. Pas një ser gabimesh në rrugën e marrjes së pushtetit, riformatimit të strukturave dhe hallkave të tij, ai po shfaq edhe portretin e një burri shteti, një politikani të vendosur dhe stoik në bindjen e tij për t’i kthyer shqiptarëve Shqipërinë dhe Shqipërisë shtetin ligjor. Këtë ai po e faktorizon dita-ditës me shembuj konkret, me vendosmërinë e strukturave të shtetit për të vendosur ligjin dhe për të ekspozuar të gjithë shtetasit para drejtësisë si të barabartë, larg ledhatimeve politike, imunitetit apo ombrellave të kredos partiake dhe fshehjes pas duarve të ngritura.

Pas një ser arrestimesh të kryekriminelëve të shumëkërkuar, pas krijimit të një imazhi premtues të rikthimit të besimit tek shteti, policia para pak ditësh ka vënë nën pranga kryetarin e Komunës së Golemit në Kavajë, Demir Lika, dhe drejtorin e Turizmit, Arben Golemi, ky i fundit i pezulluar pak ditë më parë nga detyra. Mësohet gjithashtu se në shtëpinë e kryekomunarit janë gjendur qindra milionë lekë dhe fatura transfertash në shumën prej 40 milionë lekë. I akuzuari Golemi është filmua gjatë marrjes të një ryshfeti.

Shit-blerjet e paligjshme të trojeve në zonat turistike, këto rezultojnë të akuzat që rëndojnë dhe për të cilat do të përgjigjet para drejtësisë Kryetari i Komunës së Golemit në Kavajë, Demir Lika, që njëkohësisht është përfaqësues i Partisë Demokratike. Vetëm pak orë pas këtij aksioni, një tjetër zyrtar, drejtori i Turizmit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë, Turizmit dhe Sporteve, Arben Golemi. Ne prononcimin e tij për median ministri i Brendshëm Sokol Olldashi është shprehur se, prej disa javësh, ai po hetohej nën akuzën e “mitmarrjes”. Duke vijuar ai ka shtuar se “Gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën 11 mijë e 700 euro, 13 mijë USD dhe një vlerë tjetër prej 10 milionë lekë”. Gjithashtu Olldashi ka sqaruar se, në banesën e Likës i janë gjetur edhe disa transaksione bankare, për të cilat ka filluar verifikimi. “Rreth 40 milionë lekë janë transferuar nga Demir Lika”, tha ai. Olldashi informoi se çështja tashmë ka kaluar në duart e prokurorisë.

Këtë demonstrim force të shtetit nuk e ka anashkaluar pa koment kreu i ekzekutivit, Berisha. “Këto janë ‘Aldo Bare’-t e urbanistikës shqiptare. Ata që djegin pishat natën. Ata janë kriminelë më të zinj se çdo kriminel tjetër. Dua të garantoj se ligji do të kthehet me të gjithë forcën e tij. Ne do t‘u japim një përgjigje të merituar këtyre zotërinjve që nuk kanë asnjë ligj apo moral, por vetëm të shkatërrojnë çdo gjë që kemi, për të përfituar”, mësohet të jetë shprehur Berisha.

Aksionet e policisë me dy arrestime VIP të ditëve të fundit e kanë kthyer edhe një herë fokusin e opinionit publik te korrupsioni dhe përpjekjet qeveritare për të qenë të vendosur dhe për ta luftuar atë e të gjitha mjetet dhe pa asnjë kompromis. Pas arrestimit të disa prej drejtuesve të bandave të famshme në Shqipëri, goditja ka këtë radhë ka vënë në shënjestër abuzuesit me detyrën. Duke dërguar pas hekurave një përfaqësues të Partisë Demokratike, kryetarin e Komunës së Golemit në Kavajë, Demir Lika, shefi i qeverisë kërkon të zhveshë nga çdo paragjykim politik veprimet e deritanishme apo të pritshme të forcave të drejtuara nga Olldashi për të vënë para përgjegjësishë të gjithë ata që kanë abuzuar më pushtetin. Opozitës nuk i mbetet veçse të përshëndesë për herë të parë sinqerisht operacionet e strukturave të specializuara për zbatimin e ligjit. Në këtë mënyrë, ajo duhet të konfirmojë edhe mohimin e çdo mbrojtjeje për ish-zyrtarë të akuzuar për korrupsion. Kjo do të ç’tensionojë të paktën aktivitetin hetimor të prokurorëve dhe agjentëve policorë, të cilët kanë në dorë dosjet e ish-pushtetarëve apo të zyrtarëve aktualë.

Arrestimet pa paragjykime politike e vendosin shtetin në pozita të forta, bindëse dhe premtuese për të qenë efikas në luftën ndaj korrupsionit dhe të gjithë fenomeneve që kanë shpërbërë deri në degradim autoritetin e ligjit dhe shtetbërjes. Duke mos u ndalur as para atyre që Berisha i detyrohej politikisht, ai dëshmon hapur para gjithë shqiptarëve se të gjithë ato deklarata, i gjithë ai premtim gjatë fushatës së zgjedhjeve, nuk ishte dhe tash së fundi nuk rezultojnë të kenë qenë premtime elektorale, oratori politike për konsum popullor, por platforma dhe bindje të palëkundura për të bërë shtetin. Se kështu dhe vetëm kështu do të bëhet e mundur, jo vetëm realizimi i premtimeve para elektoratit, por më shumë, kthimi i besimit të qytetarëve shqiptarë tek politika, shteti. Kjo ndodh atëherë kur pakkush kishte konservuar në bindjen e tij, se do të vijë një ditë kur shteti do të dëshmojë më gjithë prezencën e tij, se ka forcë që të jetë shtet dhe ligjvënës. Vendosmëria e Berishës që sa vjen dhe plazmohet në koloritin e panoramimit të ri të shtetit, ka kohë që vepron. Qeverisja me dorën e ligjit nuk e ka ndalur Berishën të padisë për abuzim me pushtetin kreun aktual të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për të vijuar me ish-ministrin e Rendit Publik, Igli Toska, ish-ministrin e Ekonomisë, Anastas Angjeli, ish-zv/ministrin e Industrisë dhe Energjitikës, Arben Ahmetaj, ish-drejtorin e Albtelekom, më pas ish-zv/ministrin e Transporteve Dhimitraq Raftin, për të vijuar më pas me ish-ambasadorin e Shqipërisë në SHBA, Fatos Tarifa, ishi-ministrin e Financave, Arben Malaj, ish-Drejtoreshëne Përgjithshme të Postës Shqiptare, Luiza Hoxha. Në këtë listë të “deleve të zeza” të shtetit dhe të drejtës për të qenë të gjithë të baraartë para ligjit dhe drejtësisë vijojnë; Viktor Mato, ish-kryetar i Bashkisë së Himarës, Vasil Hila, ish-kryetar i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës, Dule Harizaj, zv/kryetar i Bashkisë të Vlorës

Osman Pëllumbi, kryetar i Komunës së Paskuqanit (Tiranë), Gjergj Toma, kryetar i Komunës së Zejmenit (Lezhë), Andon Bita, kryetar i Bashkisë së Patosit dhe administratori i Call Centër, Makashi.

Pas kësaj liste tët të paditurish, dosjet e të cilëve i janë dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme për hetim dhe të prangosurish, është shumë e vështirë të shohësh vetëm pushtetin e Berishës, pushtetin e një hakmarrje politike, siç guxojnë ta artikulojnë devocionin e vendosjes së shtetit ligjor disa syresh të opozitës. Qeverisja me dorën e ligjit është e qartë tashmë si drita e diellit. Mbase në këtë rrugë, dhe në vijim jo gjithçka është, mund dhe do të jetë perfekte. E rëndësishme mbetet se shteti ka filluar të lëviz. Frika e sundimit të këtij vend nga njerëzit e parasë dhe të krimit gradualisht sa vjen dhe fashitet. Drejtësisë dhe ligjit po u kthehet autoriteti dhe personaliteti i nëpërkëmbur këto 15 vite postkomunzmi. Mbase është ende heret të klasifikojmë se ky është një sukses i qeverisjes së Berishës. Por nuk është e parakohshme të shpresohet si më në fund këtij vendi ju kthye frymëmarrja e shtetit ligjor. Rrugëtimi në këto shtigje të ngushta dhe në një reliev shumë të thyer, e pse jo dhe me mjaft rreziqe, mund të konsiderohet i sapunisur. Populli thotë “Fillimi i mbarë, gjysma e punës”. Larg pretendimeve dhe pasioneve të kundërta politike mund të themi se ky është një fillim i mbarë. Ardhja deri këtu natyrisht nuk ka qenë dhe aq komode, sikurse vijimi më tej, kurrsesi nuk duhet të pretendohet se do të jetë në favor të atyre që kërkojnë të bëjnë ligjin, të bëjnë shtet në këtë vend ku gjithçka mund të pretendoje se kishte me përjashtim të shtetit, të ligjit dhe të drejtësisë së drejtë.

Albert Vataj, Sokol Pepushaj

 

Tre institutet e Kanunit që e definojnë shpirtin shqiptar

Kanunet njihen tek shqiptarët si sisteme të pashkruara juridike dhe thirrja në ato rregulla, edhe sot në shekullin 21, janë trajtuar si negative brenda botës shqiptare por edhe nga studiues të jashtëm si të dëmshme për rrjedhat moderne me arsyetimin, se rregullat që sanksionon ky sistem juridik janë “jopërparimtar” të “vjetruar”, “arkaike e mesjetare”.

Tendenca e paraqitjes së rregullave të kanunit (kanuneve) si kontraproduktive, që pengojnë zhvillimin e shoqërisë, vjen si pasoj e shumë ngjarjeve që kanë përshkruar proceset e zhvillimit në shoqërinë shqiptare duke i bashkangjitur, sidomos, keqinterpretimin, keqpërdorimin e deri në shkallën sa është plasuar si sistem shkatërrimtar për shoqërinë shqiptare.

Por a është kanuni (kanunet) me të vërtetë i tërë i tillë? Cili ishte qëllimi i së drejtës së pashkruar shqiptare? A reflekton ai (ato kanune) elemente identifikuese tipike shqiptare, apo formuluar ndryshe, cilat janë institutet themelore që sipas këtij sistemi paraqesin edhe elementet tipike shqiptare dhe a janë të përdorshme për aktualitetin e sotshëm?

Të fillojmë me përgjigjen e pyetjes së parë. Sistemi juridik i kanunit (kanuneve) në gjirin e tij (tyre) përmbajnë elemente që, varësisht prej interpretimit, pa asnjë mëdyshje mund të klasifikohen si moderne për kohën kurë ai sistem aplikohej me intensitet. Elementet që mund t`i gjejmë në ato rregulla mundemi t`i krahasojmë, sidomos disa institute, me trendet aktuale moderne të rregullave e ligjeve.

Lidhur me pyetjen e dytë që në fillim duhet të precizojmë një të vërtetë elementare të qëllimit të rregullave kanunore. Pra, duhet theksuar, sidomos faktin, se ato rregulla kanë pasur për qëllim primar luftimin/sanksionimin e vetive negative në shoqërinë shqiptare për ta ruajtur qetësinë nëpërmjet caktimit të disa rregullave që nuk jepen nga një instancë ligjore por vijnë dhe formësohen nga një proces historik në formë të pashkruar nga gjiri i popullit. Si të tilla rregullat e kanunit gërshetojnë në vete elemente tipike shqiptare që definojnë shpirtin e shqiptarëve, e karakteristike, të cilat janë vlerësuar lartë nga studiues të ndryshëm.

Tani të ndalemi te përgjigja e tretë. Të identifikojmë cilat janë elementet specifike që dalin nga kanunet që njëkohësisht e definojnë edhe “shpirtin shqiptar”. Le të marrim këtu  juristin kosovar, Krist Maloki, i cili ka jetuar e vepruar në Graz të Autrisë që ka bërë një përsiatje unikate në këtë drejtim duke prekur thelbin e çështjes që po e trajtojmë. Shpirti shqiptar sipas Malokit përkufizohet me tri fjalë: besa, nderi dhe burrnia.  T`i shtjellojmë këto institute veç e veç, të shohim nëse ato përkojnë me realitetin, kontekstin aktual, sa janë të aplikueshme ato sot?

Besa

Instituti i besës tek shqiptarët, sipas Malokit është kuptuar si një fjalë e dhënë edhe e mbajtur, armëpushim sipas kanunit, besnikëri, mbështetje, siguri e sa e sa elemente tjera që respektoheshin me përpikëri qoftë kundruall shqiptarit ndaj shqiptarit, qoftë shqiptari ndaj armiku e mikut. Dhënia e besës ishte një institut aq i rëndësishëm sa ai që e jepte atë, kurë dhënësi ishte i qëndrueshëm e i pathyeshëm, ishte në gjendje të humbiste gjithçka, por jo edhe ta thej atë. Besa definohet si “fuqi morale e teorisë dhe e vetëmohimit” që vështirë kuptohet nga të tjerët, e që vështirë e gjejmë te ndonjë popull tjetër.

Sot çka po ndodhë me besën? A nuk është kthyer sot në nocionin e kundërt pabesi?

Nderi

Instituti i nderit  do ta quaja se kulmon(te) për shqiptarin, ai qëndronte mbi të gjitha. Marrja e nderit ishte vdekje, edhe pse ati që iu ishte marrë ishte gjallë, ishte i vdekur, sipas kanunit. Ky institut është deformuar nga interpretimet e ndryshme që i janë bërë me tendencë të njollosjes, mbase edhe prej atyre të pa nder.

Semantika nderit nënkupton “jo vetëm largimin prej shka ka të përpjekun me flligshti, por gjithshka i siell nderim faqe të tjerëve dhe ja nalton çmimin dinjitetit personal të tij”, thotë Maloki. Nga ky definicion dalin edhe elemente që lidhen drejtpërsëdrejti me aktualen dhe modernen. Nderi sot nuk është institucion i prapambetur. Përkundrazi! Ai është i sanksionuar, varësisht prej sistemeve dhe ligjeve, edhe në vendet më moderne perëndimore. Këtu mund të theksojmë nderin që lidhet e sanksionohet në të drejtën penale, pastaj edhe në konstelacion me personalitetin e njeriut që është shprehje moderne e sanksionuar po ashtu edhe në aktet më moderne ndërkombëtare që lidhen me mbrojtjen e individit, personit, si shembull të drejtat e njeriut.

Tek shqiptari ky institut nënkupton njëkohësisht “një sumë ndjesish të veçanta, të cilat kanë lidhni me gjithshka e rrethon e i përket atij drejt për së drejti a tërthoras: person, familje, gjak e gjini, votër e vend-lindje e sidomos doket e të parëve “dy gisht nderë në lule të ballit na i njiti Zoti i Madh”” na thotë kanuni. Ky institucion ishte, vlerësohet, vendimtar edhe për ruajtjen e identitetit, traditës dhe gjuhës. Ishte element që ndikoi në përballimin dhe mbijetesën nga “robnia e pamëshirshme”. A nuk e kemi shtuar ne shqiptarët hapësirën e atyre dy gishtave në lule t`ballit? Detyrojmë gratë në prostitucion, shesim fëmijë, presim në besë e fjalën e dhënë – dhe kurë ndodhin reagimet, kryesit e këtyre veprave thirren në kanun! A s`është ky ç`rregullim?!

Burrnija

Burrnia krahasohet me fjalën  angleze “Gentleman” e cila është tipike angleze që si fjalë përfshinë një kulturë në vete më shumë se sikur të përkthehej. Andaj burrnia trajtohet si koncept tipik shqiptar që nënkupton shumë elemente të lidhura ngushtë ndërmjet veti.

Si nocion, na shkruan Maloki, rrjedh prej fjalës burrë që “ka nji vështrim aqë të hapun, sa âsht jeta dhe të pjekunit e tij me shka e rrethon” për të shtuar më tutje, sa një analist i hollë a psikolog, shprehet ai,  do të gjente “krejt shprehjen e dinjitetit njerëzuer”. Me të drejtë është vërejtur, se përkthimi i kësaj fjale në gjuhë “të gjalla a të dekuna” do të dilte krejt qesharake. Po cilat janë elementet që e përshkruajnë këtë institut dhe shprehje tipike shqiptare? Maloki thotë se burrnia përfshinë “në tê krejt shka mund të veprojë mashkulli: vullnesë, guxim, qëndresë, bujari e çdo virtyt që e plotëson shpirtnisht e njerëzisht”. Ky nocion përshinë po ashtu edhe “trimin” por edhe “zotnimin e vetvetiu, nderimin për nder të vet e të tjerëve, qetësinë`e duresës ndër të papritura e rreziqe, papërkulninë e pathyeshme kundrejt të mitosonush”.

Këto elemente që vlerësohen si “shpirti shqiptar” e që dalin drejtpërsëdrejti nga gjiri i popullit dhe kanunet, sa po praktikohen sot? Sa përshkruajnë sot jetën e shqiptarit?

Po si të ruhen ore këto elemente mesjetare? Do të ishte një përgjigje e mundshme! Po a janë vërtetë veti vetëm mesjetare? Një mik më tha një ditë, sot këto elemente kanë marrë anën e kundërt – a nuk do të ishte më mirë të flitet për pabesi, pandershmëri dhe jo-burrni?

Këto tri elemente, duhet theksuar, në vete përmbajnë disa principe të pashmangshme moderne që luajnë një rol shumë të rëndësishëm edhe në trendin e normave juridike aktuale perëndimore si ato që rregullojnë ekonominë, tregtinë, si ato që lidhen me kodin civil, penal e deri te të drejtat e njeriut.

Interpretimi i besës, nderit dhe burrnisë në kontekstin aktual nuk hasë në asnjë vështirësi. Përkundrazi!  Këto elemente të identifikuara si “shpirti shqiptar” do të ndihmonin edhe integrimet evropiane, dhe fundja janë specifika që kundërshtojnë fenomenet negative që po i kërkon Evropa.

Ato mund të sillen në lidhje të ngushtë me standardet dhe ecjet moderne. Kërkesat e Evropës në adresën e shqiptarëve do të plotësoheshin në një shkallë të lartë vetëm me (ri)aktivizimit dhe marrjes para sysh të këtyre elementeve që janë pjesë e identitetit shqiptar, në kontekstin aktual. Ne nuk duhet që t`a shkelim atë traditë të shëndoshë që ka ky popull. Fundja, a duhet forcë e jashtme t`na imponojnë ato specifika që në të vërtetë janë vetë kulturë e jona?

Zef Ahmeti, St. Gallen

Festohet me madhështi në Shkodër 60-vjetori i Festës Kombëtare të Italisë

Konsullo Roberto Orlando – diplomati me qytetari shkodrane

Në ceremoninë e organizuar me rastin e kësaj feste, konsulli Orlando jo pa emocion ka njoftuar mbarimin e mandatit të tij në Shkodër. Pas 5 viteve karrierë më se të suksesshme diplomatike në Shqipëri, prej të cilave 3 në qytetin më të madh verior, vijon rrugën e tij në Ambasadën e Italisë në Britaninë e Madhe

Pa më të voglin dyshim, pas tre viteve karrierë diplomatike dhe një kontribut të pakrahasueshëm për zhvillimin e gjithanshëm të veriut të Shqipërisë, konsulli i Italisë në Shkodër, Roberto Orlando, mund të konsiderohet me të gjitha efektet një qytetar shkodran.

Gjithçka vjen spontane, teksa jo pa keqardhje mësojmë se në rrugën e tij të gjatë diplomatike, Orlando do të lërë pas tre viteve pune Konsullatën e Shkodrës për një ngritje të dukshme profesionale dhe të karrierës, drejt Ambasadës së Italisë në Britaninë e Madhe.

Në fakt gjithçka u mësua në Festën Kombëtare të Italisë më 2 qershor, kur në traditën e krijuar që me rihapjen e saj, Konsullata e Italisë organizoi edhe këtë vit një pritje të një niveli shumë të lartë. Vlerësimi për punën e Konsullatës dhe të Konsullitg Roberto Orlando, u pa qartë nga densiteti i madh i autoriteteve të ndryshme jo vetëm nga rrethi dhe qarku i Shkodrës, por edhe nga qarqe të tjera që janë nën juridiksionin e selisë diplomatike.

Emocionet e shumë prej të pranishmëve u ndërthyen me ato të vetë Konsullit Orlando, teksa mbante fjalën e rastit para të pranishmëve. Për herë të parë zëri i dridhej dhe fytyra i rrezatonte emocione të veçanta. Megjithatë, si një diplomat i sprovuar, ai ka arritur të paraqesë brenda pak minutave ecurinë e Konsullatës që drejtoi me shumë kompetencë e profesionalizëm për 3 vite, vite të cilat do mbeten në memorien e gjithë popullit të veriut shqiptar.

Siç është e natyrshme, ai ka filluar me falënderimet, të cilat kanë qenë për një numër të konsiderueshëm jo vetëm individësh, por edhe shtresash të shoqërisë. Kështu, Orlando ka falënderuar për bashkëpunimin autoritetet vendore të të gjitha niveleve, duke uruar që një bashkëpunim i tillë të vijojë edhe me pasardhësin e tij. Një tjetër mirënjohje diplomati ka rezervuar edhe për shoqata të ndryshme shqiptare, italiane, biznesmenë të të dy vendeve, që së bashku i kanë dhënë udhë një starti të fuqishëm për zhvillimin e rajonit tonë. Sigurisht edhe stafi i Konsullatës, vërtet në një nivel të lartë profesional, nuk mund të mos ishte në axhendën e falënderimeve të Konsullit italian. Gjithsesi, duhet theksuar se është meritë e Orlandos edhe përzgjedhja e një stafi të tillë.

Gjatë këtyre viteve, mediat dhe gazetarët kanë patur një vend shumë të veçantënë të gjithë aktivitetin e Konsullatës së Italisë. Asnjë nga gazetarët e pranishëm në festë nuk mund ta kundërshtonte faktin e një fryme të re dhe krejtësisht transparente me publikun, realizuar pikërisht në sajë të një bashkëpunimi dhe strategjie të studiuar mirë nga Konsulli Orlando. E, në këtë drejtim ai u ka drejtuar falënderim publik të gjitha mediave, duke vënë në dukje jo vetëm profesionalizmin në pasqyrimin e punës së selisë diplomatike, por edhe në dashamirësinë e shprehur nga mediat. Orlando ka uruar që e njëjta gjë të ndodhë edhe me pasardhësin e tij, gjë që do e dëshironte edhe gazeta “Shqipëria Etnike”.

Në këtë kuadër, një surprizë mjaft interesante ishte edhe akordimi i një titulli. Në emër të redaksisë së gazetës “Shqipëria Etnike”, gazetë kjo tashmë e njohur në gjithë botën, e vetmja gazetë shqiptare që botohet në tre gjuhë, shqip, italisht dhe anglisht, drejtori i saj, Sokol Pepushaj i ka dorëzuar Konsullit Orlando një diplomë, “Mik i Gazetarëve”. Motivacioni i kësaj diplome nuk tregonte asgjë më shumë se një pjesë të vogël të kontributit të pamohueshëm të këtij italiani, që tashmë do ta marrë me vete edhe si një pjesë nga qytetaria e fituar shkodrane. Në këtë diplomë është vlerësuar raporti i shkëlqyer që diplomati krijoi në vite me gazetarët dhe mediat, por njëkohësisht edhe kontributi në të gjitha fushat, duke u përqendruar tek kultura dhe afrimi në mes Italisë dhe Shkodrës. Vlen të përmendet se është diploma e dytë e mirënjohjes që Orlando ka marrë nga gazetarët, pas asaj që i është akorduar nga Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV). Ne jemi të ndërgjegjshëm se ai meriton tepër më shumë. Ka qenë transparent dhe mik i yni. Madje, gjatë ceremonisë, meqë biseda po zgjatej, kolegu Pepushaj më tha shqip “A largohemi, pasi ka edhe probleme të tjera?”. Unë i thashë: “No!”, pasi Orlando qeshi dhe vlerësoi xhestin tonë.

Gjatë ceremonisë së organizuar nuk kanë munguar edhe nderimet për figura me kontribut në shoqërinë shkodrane e shqiptare. Këtë herë, dy qytetare italiane, pikërisht Silvana Vignali, drejtuese e Projektit “Shpresa” dhe prof. Ester Romagnoli, pedagoge e nderuar e Italianistikës në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, kanë merituar plotësisht medaljen e “Yllit të Solidaritetit Italian”, akorduar nga Presidenti i Republikës së Italisë, Carlo Azelio Ciampi, pas propozimeve që ishin drejtuar nga Konsulli Orlando. Ndërsa është vlerësuar kontributi i Vinjalit në integrimin e personave me aftësi të kufizuara dhe kontributi i Romagnolit në shërbim të arsimit shkodran, dy zonjat i kanë drejtuar me shumë mirësjellje falënderime Konsullit Orlando, jo vetëm për propozimin e bërë për to, por edhe kontributin gjatë viteve të shërbimit diplomatik në Shqipëri. Kjo ka qenë pjesa zyrtare e aktivitetit. Më pas, nën tingujt e bandës ushtarake të Tiranës dhe të një kokteili, të gjithë kanë patur mundësi të bisedojnë lirshëm dhe të shkëmbejnë mendime.

Si një njohës i afërt i aktivitetit gjatë këtyre viteve të Konsullatës dhe të Konsullit Orlando, në një shkrim është e pamundur të përmblidhen 3 vite pune intensive. Ndërsa prioritete të aktivitetit diplomatik të tij, që me ardhjen në krye të selisë diplomatike, ishin stimulimi i zhvillimit social-ekonomik, biznesit dhe kulturës, në shërbim të afrimit mes dy popujve, mund të themi se Orlando i tejkaloi të gjitha parashikimet. Ndër arritjet më të freskëta është projekti i “Parkut Industrial” në Koplik të Malësisë së Madhe. Duhet pranuar se ishte këmbëngulja e Konsullit, i mbështetur fuqimisht edhe nga Ambasadori në Tiranë, Attilio Massimo Iannucci, që solli miratimin e këtij projekti si bashkëpunim me Rajonin e Puglias, duke ftuar edhe biznesmenë të tjerë të fuqishëm italianë. Një kontribut të paharrueshëm, Orlando dhe stafi i tij dhanë edhe për kulturën, organizimin e shumë aktiviteteve serioze dhe dobiprurëse, që gjallëruan jetën kulturore-artistike të Shkodrës e më gjerë. Si qytetarë shkodranë, por edhe si gazetarë, nuk mund të mos shprehim keqardhje për heshtjen e pushtetit vendor ndaj aktivitetit të Konsullit Orlando. Paraardhësi i tij, Stefano de Leo, i cili duhet thënë se iku nga Shkodra jo pa lënë pas polemika në lidhje me transparencën e punës së tij, u paraqit në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, si i propozuar për titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Arsyeja e vetme për këtë titull në atë kohë ishin marrëdhëniet private dhe me interesa të ngushta të disa këshilltarëve me de Leon dhe asgjë më shumë. Ndërsa, për një kontribut të dukshëm dhe të madh në favor të zhvillimit të gjithanshëm të rajonit, i pranuar nga të gjithë, edhe vetë pushtetarët vendorë, pa kaluar asnjëherë në media për të keq (rast ky unikal), askush nuk është kujtuar të paktën t’i japë një titull “Mirënjohje”, minimalisht. Sa nuk është ende vonë, përmes këtij shkrimi tentojmë të grishim qytetarinë e një pjese të këshilltarëve, pasi ka ende kohë për të rregulluar një gabim, i cili nuk duam të besojmë se është bërë me dashje. Nuk duhet bërë asgjë tjetër, mjafton të kthesh kokën pas dhe të ecësh në tre vitet e mandatit të Orlandos dhe gjen jo qindra, por mijëra arsye për ta shpallur atë “Qytetar Nderi” të Shkodrës. Gazeta jonë ju garanton se do fitoni shumë pikë duke bërë ndonjë akt që materializon dëshirën e të gjithë komunitetit të Veriut shqiptar, të atyre që do u rikërkoni votën.

Tashmë edhe pak javë apo muaj dhe miku i mediave dhe gazetarëve, i Shkodrës dhe i shkodranëve, por edhe i Shqipërisë dhe shqiptarëve, do të largohet drejt Ambasadës së vendit të tij në Britani të Madhe. Është vërtet një kënaqësi për të, shpërblim për një karrierë diplomatike të panjollosur asnjëherë. Edhe ne jemi krenarë, pasi Shkodra modeste ndikoi të evidentohen aftësitë diplomatike të Orlandos. Ndjejmë edhe keqardhje, siç edhe e shprehu vetë Orlando gjatë fjalës së tij, por diplomacia ka rregullat e saj.

Në mes të mediave dhe “Shqipërisë Etnike” në veçanti, me Konsullatën e Italisë në Shkodër janë krijuar raporte shumë të mira pune dhe bashkëpunimi reciprok. Tashmë janë hedhur hapat e parë në drejtim të forcimit të vazhdueshëm të tyre. Ne jemi të gatshëm të vijojmë të njëjëtën linjë, por ka jo pak në dorë edhe pasardhësi i Konsullit Roberto Orlando. Urojmë dhe shpresojmë që bashkëpunimi të thellohet, edhe pse për të qenë realistë, duket e vështirë pas një eksperience që kemi përjetuar me Orlandon për tre vite. Me sa duket, pozicioni i tij në Ambasadën e Tiranës si i ngarkuar me marrëdhëniet me median, ka ndikuar në këtë drejtim. Ka qenë një diplomat, mbase i papërsëritshëm. Nuk mund të themi asgjë tjetër, veçse t’i urojmë karrierë të gjatë dhe të suksesshme Roberto Orlandos në Britaninë e Madhe, pse jo një ditë të kthehet jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ambasadën e Tiranës. Ne kemi fituar një mik, i cili do të jetë i tillë për të gjithë jetën. Mendojmë se edhe Orlando na konsideron të tillë.

Blerti Delija

President i “Gazetarëve të Veriut Shqiptar”

 

77935 shtetas i kërkojnë Presidentit Alfred Moisiu që Ismail Ahmeti të nderohet me titullin “Nderi i kombit”

Kërkesë:

“Shoqata e Ndërtuesve Veteranë të Veprave të Dritës”, përfaqësuese e ligjshme e 77935 punëtorëve, specialistëve dhe kuadrove që kanë kontribuar me djersën dhe gjakun e tyre në ndërtimin e hidrocentraleve, duke filluar nga Selita (1949-1951) dhe deri në Banjën (e papërfunduar), parashtrojmë kërkesën tonë, si vijon:

Duke patur parasysh punën e palodhur, aftësitë e shquara profesionale, organizuese dhe drejtuese të inxhinierit të talentuar shkodran, z.Ismail Ahmeti; komunikimin e tij tepër njerëzor (si me vartësit, ashtu dhe me eprorët), cilësi këto tepër të rralla, që nderojnë çdo drejtues të çdo niveli qoftë, dhe që zoti Ismail Ahmeti i aplikoi me shumë efikasitet. Drejtues tepër i preokupuar në zgjidhjen e problemeve dhe halleve të mëdha të cilat na i ofroi koha, si strehimi, shkollimi i fëmijëve të punëtorëve të thjeshtë, ku prania e tij në mbrojtjen e tyre ka qenë kurdoherë e pranishme dhe evidente. Inxhinier Ismail Ahmeti shquhet për kurajon e lartë dhe guximin e admirueshëm në çdo ballafaqim me eprorët, pak “i sertë”, por shumë i drejtë, i ndershëm dhe i pakorruptueshëm, deri në kuotën maksimale që mund të arrinte një kuadër i lartë i asaj periudhe aq të vështirë, kur lufta famëkeqe e klasave ndizej si një “vullkan”. Edhe në ato situata aq të vështira, asnjëherë nuk e pamë të përkulur, kurrizin e këtij burri shteti, para eprorëve, të cilitdo rrangu që mund të ishin. Ai sfidoi me zgjuarsi dhe guxim “gurakuqian” të gjitha vështirësitë e panumërta të cilat i ofroi koha dhe terreni tepër i vështirë. “Zyrat” e tij ishin tunelet, galeritë dhe skrapatat e shkëmbinjve të Fierzës e Komanit, ku çdo ditë dhe çdo natë ishte i pranishëm mes punëtorëve, gjithnjë në ballë, atje ku prania e tij plot autoritet ngrente në “zenit” moralin e punëtorëve. Do të duheshin volume dhe fantazia e Zhyl Vernit për të përshkruar shembullin e këtij “apostulli” të veprave të dritës, ku militoi plot vetmohim në fillim si inxhinier, k/inxhinier, drejtor dhe më në fund Ministër i Ndërtimit. Dy elemente cilësore, tepër të lakmueshme për kohën që po kalojmë dhe që ishin të “fermentuar” në moralin e të nderuarit Ismail Ahmeti janë: asnjëherë nuk bëri dallime krahinore, fetare apo mes qytetarëve dhe fshatarëve; nderoi dhe respektoi njeriun e punës, duke “amortizuar” në maksimum “luftën e klasave” (këtë e ritheksuam, si një element që ndriçon portreti e këtij “vigani” të cilin mund ta krahasojmë vetëm me figurën e shquar të bashkëqytetarit të tij, “Heroin dhe Mësuesin e Popullit”, të madhin dhe të papërsëritshmin Luigj Gurakuqi.

Ndaj dhe Ju propozojmë, zoti Presidenti ynë i nderuar, që: Ju, bashkë me stafin Tuaj të dëgjoni zërin e shoqatës tonë, të cilës i bashkohet dhe zëri i mbi 400 dëshmorëve të rënë në ndërtimin e veprave të dritës, që inxhinier Ismail Ahmeti të shpallet, ose të dekretohet “Nderi i Kombit”.

Me shpresë dhe bindje në konsideratën e kërkesës tonë,

“Shoqata e Ndërtuesve Veteranë të Veprave të Dritës”.

Zëdhënësi i Shoqatës, Mark Bregu

 

Kryeministri Sali Berisha i jep vlerësime të larta biznesmenit Paulin Radovani

Në nëntë muaj qeverisje të kristaltë, Qeveria shqiptare dhe personalisht Kryeministri Sali Berisha, të gravituar tek interesat e interesave të shtetasve shqiptarë, kanë bërë një shndërrim fenomenal që padyshim edhe për gjeneratat e tjera të politikës shqiptare do ngelen himn.

Paraqitja e planit të zhvillimit për qarkun e Shkodrës nga Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe pesë ministra ditë më parë në kryeqendrën e Veriut shqiptar, u shoqërua edhe me një eveniment tjetër që flet shumë, me vizitën e Qeverisë në fabrkën e këpucëve “Filanto”

-Përgëzoj ekonomistin Paulin Radovani, për modernizimin, drejtimin dhe rrugën e pastër të biznesit që drejton, duke rrezatuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Shkodër… – tha midis të tjerave Kryeministri.

Dhe këto fjalë kanë peshë të madhe në ditët që po kalon vendi ynë, ku mafia, politika dhe krimi ekonomik vijnë nga rrjedhoja politike me shumë pikëpyetje dhe ku Kryeministri është tepër i kursyer në fjalë të mira. Fabrika “Filanto”duket se është shembulli i biznesit shqiptar, pasi jo vetëm Berisha, por kohë më parë edhe ambasadorja amerikane Marsi Ries i pat dhënë “leksion” politikës dhe ekonomisë shqiptare pikërisht nga këtu.

Fjalët e Kryeministrit nga ambjentet e “Filanto” për modelet e biznesit dhe uljen e tatimeve e krijimin e një klime lehtësuese, duket konturojnë jo vetëm borxhin që i kanë qeveritë Shkodrës, anët jo dhe vetëm anët e së cilës janë kafshuar nga bizneset e pista, të dyshimta qysh në pamje të parë, nga shfrytëzimi skllavërues i bosëve të botës së krimit ekonomik, por edhe me frikshmërinë e qetësisë me të cilën pranon të jetojë vetë komuniteti.

Kryeministri Berisha shkëmbeu informacione dhe ide me ekonomistin Paulin Radovani, duke u thënë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që bizneset e pastra do i përkrahë, të pistat do jenë shënjestër e qeverisjes së kristaltë. Nëse nuk mund të themi se dominojnë bizneset e ndershme, mund të themi se krimi dhe mafia ekonomike janë përpjekur t’u vendosin bërrylin bizneseve të pastra, sfond këto i integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike.

Dhe vërtet, nuk përbën risi kur thua se Radovani që në embrion të lindjes së biznesit, kur Shqipëria nuk kishte përvojë, synoi për një transformim, ku përgjatë tërë viteve u tregua strikt në pagesën e doganave, të detyrimeve dhe me gjithë hapësirat e ngushta nëpër rrugë të kthesta, bazuar në ligjet, por edhe falë guximit intuitiv e profesionalizmit, arriti të shndërrohet në një promotor të zhvillimit ekonomik të Shkodrës. Sot të gjithë punëtorët ndjehen tepër më mirë se në bizneset e tjera. Pastërti, ambjente të bollshme, sigurim teknik, sigurim shoqëror, leje lindjeje, pasi thuajse të gjitha janë femra, shpërblime në raste festash etj. Të gjitha këto flasin siç flet kultura, njerëzit në nevojë, sporti, ligji, Kryeministri vetë.

Pra, shikuar në raport me bizneset e tjera në Shkodër, barra e detyrimeve ka qenë tepër më e rëndë për ekonomistin Radovani.

Kështu, nëse shumë biznesmenë në Shkodër janë bërë kapitalistë me rregulla komuniste, Radovani me ligje demokratike.

Ti, lexues mund të thuash se epokat kanë ndryshkur drejtësinë, mirësinë, njerzillëkun. Ne themi jo. Është qeveria demokratike që të gjithë ata që kanë spekulluar me djersën e njerëzve të thjeshtë, që kanë vënë miliarda në pak vite nga hiçi, që kanë abuzuar me dokumentacione, detyrime e dogana, që kanë bërë ç’kanë dashur, do jenë në sitën e kontrolleve dhe hetimeve dhe ne si gazetë do jemi të hapur edhe për mendimet e specialistëve dhe të intelektualëve, duke ndihmuar Qeverinë dhe Kryeministrin Berisha në zbulimin e lidhjeve të mafias me politikën.

Kushtet dhe stimulimi për jetë më të mi rë ishin postulati i Kryeministrit në fabrikën “Filanto”. Por në kontekstin e mosvyshkjes së fjalëve, e mosrënies si gjethe të thara, Shkodra do ketë hapje të hapësirave, pasi qeveria italiane është e interesuar në zhvillimin e rajonit të veriut shqiptar.

Sokol Pepushaj

 

“Ushujza” e Shkodres vazhdon te pasunohet me gjakun e shkodraneve!

Asht nji epitet qe nuk jam lodhe shume me e gjete. Ish- kryetari i opozites se atehershme, sot kryeminister i vendit Sali Berisha, ja njiti shume bukur kete emen mase te merituem Gjergj Leqejzes. Nuk kam asgja personale me kete individ, sic edhe me te tjere per te cilet kam shume materiale. Thjeshte perpiqem te cliroj Shkodren nga thonjte e kesaj ushujze por edhe te tjerave te ngjashme.

Ne fillimet e demokracise, ish- llogaritari i PPSH-se ne Puke e diku tjeter, u afrue me Partine Demokratike. U tregue i mencem dhe asnjihere, edhe pset pat mundsi, nuk mori poste dhe detyra politike, por shfrytezoi me mjeshtri kete fakt duke u paraqitur si njiri i besueshem i investitoreve te interesuar Italian per Shkodren tone. Kshtu, nji dite te bukur, Leqejza e pa vedin si administrator te Kotoneles, me nje rroge te majme 300.000 leke ne muej (per fillim ’90 shume e leverdisshme). Drejtoreshe e ndermarrjes, ishte nje zonje e bukur dhe shume e zonja ne shume pune, emnin e te ciles nuk po e permend. Mesa di une, asht jashte Shqipniet tashma. Ne fakt, edhe pse thuhes se sot e ksaj dite, ai nuk asht pronar i firmes se tij, ne vitin 1997 filloi njitja e vertete per Leqejzen. Ne menyre e cuditshme, ndersa te gjitha bisneset po falimentonin dhe ikshin nga Shkodra, bisnesi i tij lulzoi dhe u ba shume shume fitimprures. Arsyet ishin te thjeshta. Ne kohen e rrumujave, duke ushtru presione nga ma te ndryshmet,ai detyroi pronaret italiane te largohen dhe fabrika nder me luksozet per kohen, mbeti ne duert e administratorit Gjergj Leqejza. Per te mbajte ne kambe bisnesin, duke perfitue edhe nga koha e trazinave, Leqejza “punesoi” elemente te njohun kriminal nga rrethinat e Shkodres, nji pjese e te cileve tashme ose jane ne burgje, ose te vdekun. Me nji akumulim shume te madh dhe te shpejte te pasunise, ai e kishte shume te lehte qe pas dy viteve te “blente” me pare ne dore postin e prefektit te Shkodres, te cilin e mbajti per 4 vite e ma shume, si asnji tjeter deri tash. Me mjeshtrine e tij te sprovume, Leqejza e shfrytzoi postin per te pasunue veten dhe nji grup te vogel rreth tij, ne bashkpunim me kryetarin demokrat te Bashkise, Ormir Rusin (per te cilin kam nji tjeter material gati). Gjate ktij dualiteti, Shkodres i erdhen vertete disa investime, por nga ana tjeter, edhe u pasunuen shume jo vetem dy personat e lartpermendun. Gjithcka qi miratonte ne bashki me metodat e tija Rusi, edhe pse antiligjore, merrnin vulen e Leqejzes si prefekt. E Shkodra, u kthye ne nji bunker betoni sic asht sot, ku nuk mbeti asnji pllame toke e gjelber. Mafia e ndertimeve abusive, lulzoi pikrisht ne kete kohe. Kush asht I interesuem, mund te hape letrat ne bashki e prefecture dhe verifikon gjithcka. Ne emen te ndihmes per komunitetin e bisnesit Leqejza dergoi linjen 20 kv ne zonen industriale, gjithmone ne bashkepunim me Rusin. Arsyeja ishte e thjeshte, pasi ne ate zone kishte bisneset e tija Leqejza, por edhe miq dhe te njohun te tij e Rusit. Sesi vehet ne sherbim te individeve te inkrimunuem shteti, shembulli ma i kjarte asht ky. Ndoshta nuk e besoni, por sot ne Shqiperi, Leqejza asht nder njerezit ma te pasun, mos me thane me I pasuni. Kete e ka pohue jo vetem kryeministri Berisha, por asht e vertetueme me fakte. Kudo ku ndertohet ne Shkoder, asht dora e paret e tija. Emnat e vendosun ne tabela dhe ne hipoteka, jane thjeshte fallso. Duke fillue nga tjetersimi I ish- Muzeut Atesist dhe me rradhe, jane nga mekatet ma te vogla te Leqejzes. Kthetrat e tija prej kohesh, ne bashkpunim me “demokrate” jane shtri edhe ne Velipojen e bukur. Ne vargje dhe blloqe ndertesash kalojne pushime sheikesh te tane bashke, duke u servirun shkodraneve dokrra te “luftes” se eger mes tyne. Edhe ndertimi i nje kompleksi gjigant pallatesh, nga nji bisnesmen shumei fuqishem i Shkodres, e ka marre “isen” tek ky njeri, pavaresisht se vulen e fundit ia ka vue Lorenc Luka, kryetar i qarkut Shkoder.

Edhe pse ne Tirane, disponojme fakte per aktivitetin e tij si zv.minister i territ. Ai e shfrytzoi shume mire situaten e krijueme nga partia e tij socialiste qe martirizoi Shkodren demokrate. Te gjithe tenderat qe u dhane, kaluen permes duerve te ndyeme te Leqejzes. Megjithate, jo te gjitha paret e fitueme i mori per vete. Miq te tij te afert tregojne se me nji telefonate nga nje “i madh” ne Tirane, ai asht nisur nga Shkodra me 10.000 USD ne xhep dhe eshte kthyer bosh! Nje nga taksat e shumta qe ai asht msue me i pague, pa problem kur fitonte miliona jo leke, por euro.

Leqeza ka bashkpunue me elemente te njohun kriminal  te Shkodres per te shtue pasunite e tija, troje, ne qytet. Rasti i 46 dynymeve ne afersi te Kombinatit te Drunit dhe i ish- Divizionit, jane nder me flagrantet. Ketu ka nji pergjegjsi jo te vogel edhe Hipoteka dhe drejtuesi i saj Genc Uruci (edhe per te disponojme materiale te shumta kompromentuese) i cili asht bashkfajtor. Pervec dy fabrikave qe vete ka daklarue se kane nji xhiro 8 milion euro ne vit, ne menyre te cuditshme atij i vijne edhe si qeraxhinj: banka Italo- Shqiptare. Paradoksi ma i madh asht se rikonstruksioni dhe ndertimi i kesaj banke e pallati, u ba me leke kredi te shtetit, sifgurue permes mikut te tij te akuzuem edhe nga Berisha, Arben Malaj. Nderkohe, me qerane qe merr nga banka, ai paguen kredine duke kene “shaluar” sot e ksaj dite, pa harxhue asgja nga xhepi. Nuk duhet harrue edhe “pushtimi” qi ai i ka ba edhe Razmes, Boges, Thethit etj., ku po lulzojne tashma vilat e blloqet e “pashallareve te rinj te kuq”.

Rreth ktij personi, asht krijue tashma nji perandori e madhe financiare. Askush dhe asnji institucion i fuqishem nuk mund te justifikoje ket pasuni me djersen e ballit dhe ne rruge te ndershme. As edhe vete Leqejza, nese i kerkohet kjo gja, nuk ka se ku te mbeshtese fitimet e investimet perrallore. Un thjeshte kerkoj qe edhe ne Shkodren tone te zbrese dora e shtetit, duke u perpjeke te dale ne driten e diellit ajsbergu i krimit, i cili ka shume perfaqsues ne Shkoder. Ktu kam ceke vec disa nga informacionet qi jo vetem un, por edhe te tjere disponojme ma te detajueme, por asnjihere nuk i publikune. Ne shume raste, edhe mediat, vendose dhe te Tiranes, jane te blame, ose kane frike ng Leqejza dhe krahu I tij i armatosun, te kuptimin e plote te fjales. Nuk kane mungue dhe nuk do te mungojne kercenimet edhe per gazeten tuej, nese  e botoni kete shkrim. Por nese kete nuk e bani edhe ju, nuk ka asnji shprese per ta botue, rrjedhimisht edhe per te fillue luften konkrete ndaj krimit dhe perfaqsuesve ma te spikatun te tij.

Me respekt

Anti Krim Shkodran

 

 

Faktorizimi politik e parlamentar i demokristianëve

Politika shqiptare në përgjithësi dhe ajo e djathtë në veçanti në rrugëtimin e tyre politik, veç fraksionimeve dhe pjelljes së partizave të tjera apendikse, nuk kanë mësuar të orendisin tjetër në kuadrin e një mendimi ndryshe dhe reforme në dobi të gjallimit të jetës partiake. Duhet të behnin në këtë sfond kreu aktual Nikollë Lesi dhe deputeti reformator Nard Ndoka, të cilët me lëvizjen e tyre politike, i dhanë një leksion politikës së dakordësisë, politikës së nxënësit të urtë, politikës së fëmijës së bindur. Ata vunë një gur në themelin e një nisme të guximshme. Konkretisht të një prej sfidave politike, me tendencë faktorizimin politik të Partisë Demokristiane.

Politika e djathtë shqiptare ka qenë dëshmitare e një prej lëvizjeve më të pazakonta. Deputeti reformator Nard Ndoka ka pranuar ftesën e Nikollë Lesit, të marrë kreun e Partisë Demokristiane. Ndoka pas një buje mediatike për këtë manovër mësohet të jetë shprehur se “ ka vendosur që të pranoj kandidimin për kryetar të  PDK-së” duke vijuar të ketë “pasur një kontakt me kryesinë e kësaj partie. Sipas tij janë hapur negociata edhe me përsona që kanë dal nga kjo parti në vite që ti bashkangjiten kësaj lëvizje”.

Me kaq kuptojmë se Ndoka kërkon veç të tjerash ta hap partinë për të gjithë demokristianët, pjesa më e madhe e të cilëve janë larguar nga forumet drejtuese dhe nga anëtarësi, si rezultat i një jete të vakët dhe plogështie politike të PDK.

Nard Ndoka, pas përfaljeve për krijimin e një grupi parlamentarë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit, jo vetëm me demokristianë, por edhe me deputetë të PD-së. Ky grup, sipas tij, ndonëse mund t’i ketë numrat nuk do të kërkojë riformatim të qeverisë. Deri më tash vetë krijimi i një grupi parlamentar është bërë i njohur për publikun, si një ndër fillesat e kësaj reforme politike brenda kampit të djathtë.

Ajo që konsiderohet si mjaft pozitive në vijimsi të zhvillimeve politike të kësaj partie është vendosja e filozofisë demokristiane në podjumin e nderit, në radhën e partive politike, me autoritetin dhe personalitetin e tyre. Deri tani PDK ka luajtur rolin e një sateliti që vërtitej rreth Partisë Demokratike. Gjasat janë që tashmë ajo të jetë faktor shumë i rëndësishëm politik. Asaj do t’i jepet forca e vendimmarrjes, klasifikim që rrjedhon nga pozitat e reja dhe synimet që kërkohen të arrihen.

Fakti se rreth kësaj lëvizje nuk është pikasur ndonjë qëndrim kundërshtues, tregon se hapat e Nard Ndokës janë të matur dhe kjo maturi është kristalizuar edhe me deklarimin e këtij të fundit: “Lëvizja jonë do ti japë mbështeje maksimale qeverisë së Berishës, madje edhe nëse numrat do të ndryshojnë në favorin e demokristianëve, ne nuk do të kërkojmë një riformatim të qeverisë”. Berisha nga ana e tij nuk është ndalur të komentojë këtë fakt politik, megjithëse në vetëdijen e tij politike, ai është i bindur se tashti e tutje PDK-ja nuk do të jetë më një dorë që ngrihet, një votë pro, ajo është një realitet vendimmarrës politik. Pavarësisht se Ndoka përjashton mundësinë e vënies së Berishën përballë detyrimeve, në një rast të mundshëm të formatimit qeverisës, kjo automatikisht është një kusht dhe kreu i ekzekutivit këtë fakt nuk ka pse ta injorojë. Respektimi i rregullave të lojës është e njëjtë për të gjithë dhe në vartësi të numrave në Parlament.

Ardhja e Nard Ndokës në këtë artikulim politik e mediatik, nuk është krejt e rastësishme. Tendenca e tij pikas në zgjedhje ku fiton bindshëm. Më pas me qëndrimet e tij indipendente, tepër të matura dhe me një pjekuri të admirueshme politike, shumë shpejt do ta vendosnin Nard Ndokën në podiumin e kryefjalës së ditës në media dhe politikë. Jo mendimi kundër Berishës, apo tendenca për të thënë gjithnjë të kundërtën do ta dominonin atë si një figurë e pastër dhe e gjallë politike. Ai në kapërcyell të realitetit shqiptar, ndërsa mazhoranca nuk guxonte të dilte nga kori, u ngrit mbi këtë meskinitet politik dhe shprehu qëndrimin e tij. Hap pas hapi emri i tij do të vinte e të lazmohej më fort në dekorin e politikës së djathtë për t’u finalizuar me marrjen prej tij të kreut të Partisë Demokristiane.

Dedë Smakaj

 

Mirësia dhe paqja, afër apo larg për Shqipërinë

Çuditë që ndodhin në veriun shqiptar po na largojnë në rrugën drejt perëndimit. Shoqata apo individë që bërtasin për përfaqësim të komunitetit musliman dhe që kundërshtuan edhe vendosjen e bustit të shenjtores Nënë Tereza, e cila në emër të mirësisë dhe paqes, ka marrë edhe çmimin “Nobel”, nuk e dimë sa larg na çojnë. Por, ja që namët marrin dhenë, kur dëgjon se rrëzohet një kryq katolik në Bushat me dinamit, se një tjetër në Kastrat sharrohetme sharrë, se një grua në një fshat verior, ekonomiste, M.K. torturohet në zyrën e puns nga katër burra, duke ushtruar dhunë fizike dhe duke u shprehur, se “nuk jemi ne për t’u komanduar nga një femër kaurre dhe në emër të Allahut je e pushuar nga puna ose të zhdukim”. Sipas burimeve tona që nuk mund të dalin me emër, pasi jeta u rrezikohet, M.K., intelektuale me arsim të lartë, është rrahur shumë pasi ajo zonë që vërtet dominohet nga 95% të besimit mysliman është e vështirë të pranojë një katolike në një zyrë, pra në drejtim. M.K. është e besimit katolik roman, dhe edhe para një muaji është kërcënuar për të braktisur punën. Ajo, megjithëse e kërcënuar, është detyruar të vazhdojë punën, pasi si grua e vetme do të ushqente fëmijët e saj jetimë. Burimet tona thonë se atje edhe policia ka qenë e lajmëruar, por nuk është marrë asnjë masë për siguri jete. Nga rrahja barbare e dy ditëve më parë, M.K. ka pësuar fraktura të rënda dhe po mjekohet ilegalisht. Ata që na lutën të publikojmë këtë rast, duan të ngelen anonimë, por shprehen se edhe ata e ndjejnë veten të kërcënuar seriozisht. Gjithsesi, harmonizimi i jetës tashmë duket si ndërmarrje e vështirë dhe gjithçka mundet të ndodhë, kur ndodh që edhe busti i Nënë Terezës kundërshtohet haptas, botërisht.

Vasel Gilaj, Zohg Hysenaj

 

Ndoka, kryetar i PDK me 6 deputetë

Zgjidhet zyrtarisht kryetari i ri i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, duke dhënë sinjalet e para për krijimin e një grupi me 6 deputetë në Parlament. Gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të kësaj partie, delegatët kanë votuar dje pro Ndokës, i cili ishte edhe kandidatura e vetme për postin e kryetarit të PDK-së. Ndërkohë, në sallë ishin të pranishëm edhe deputetë të tjerë reformatorë, si Frrok Gjini apo Jak Ndoka, të cilëve u është lakuar emri për mundësinë e kalimit të tyre në PDK. I pranishëm në Kongresin e stafetës Lesi-Ndoka ishte edhe deputeti i Aleancës Demokratike, Pashk Ujka.

Gjatë fjalës së tij, Ndoka ka shprehur rezerva të mëdha për mënyrën sesi Partia Demokratike po e drejton koalicionin, njëkohësisht ka kërkuar që PDK-së t’i jepet vendi që meriton. “Qeveria e sotme, pa argumente serioze, bëri një zgjidhje të sforcuar, duke mënjanuar demokristianët antikomunistë e perëndimorë, duke i zëvendësuar ata me disa politikanë dhe parti që vijnë nga koha e komunizmit dhe izolimit”, ka nënvizuar ish-nënkryetari reformator. Më tej, Ndoka është shprehur se PDK-ja po merr parasysh edhe mundësinë e kandidimit të vetëm në zgjedhjet e ardhshme lokale, nëse kërkesat e tyre nuk mbështeten nga mazhoranca qeverisëse. “PDK deklaron se në çdo rast do të jetë e gatshme të konkurrojë me kandidatë të saj në të gjitha bashkitë dhe komunat e Shqipërisë”, theksoi Ndoka, kryetari i sapozgjedhur i kësaj partie.

Sipas tij, PDK-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e mazhorancës dhe grupit parlamentar me reformatorët, ashtu si dhe do të jetë e hapur të presë brenda vetes edhe deputetë të tjerë, qoftë nga mazhoranca apo opozita. Përveç kësaj, Ndoka ka argumentuar se qeveria aktuale ka nevojë për lëvizje plotësuese dhe riformatuese, në mënyrë që të mos lejojë kurrsesi kthimin në pushtet të opozitës. Ndoka nuk ka harruar të ironizojë deklaratat e ndryshme të ardhura në drejtim të tij, si rezultat i largimit nga PDR-ja, duke e justifikuar lëvizjen konform bindjeve politike që ai përqafon. “As më parë dhe as tani nuk i kam kërkuar askujt poste, jam distancuar nga PD-ja, kur fryma ime perëndimore u sulmua ashpër dhe u përjashtua nga lidershipi i saj, u distancova nga PDR-ja kur ndodhi e njëjta gjë”, konstatoi Nard Ndoka. Ai ka premtuar se nën drejtimin e tij, PDK-ja do të bëhet forca e tretë politike në vend.

DORËHEQJA

Lesi: Ika për të shpëtuar kokën e Berishës.

Ish-kryetari demokristian, Nikollë Lesi, ka shpjeguar gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm arsyet e dorëheqjes së tij nga drejtimi i PDK-së. Lesi e ka argumentuar dorëheqjen si një lëshim që i bën qeverisë së Berishës. Sipas tij, situata e krijuar si rezultat i mosrespektimit të marrëveshjes me PDK-në nga ana e Berishës, do të sillte një përplasje, që do të dëmtonte të dyja palët. “Unë ika nga drejtimi, pasi nëse do të qëndroja, atëherë përplasja me Berishën do të ishte fatale për të dy. Këtë radhë nuk do zbatohej formula e kudonjohur se nga përplasja e dy kokave, njëra kokë thyhet. Këtë radhë do thyheshin dy kokat”, ka nënvizuar Lesi.

Ndërkohë, botuesi i njohur nuk ka lënë pa bërë sulmet e radhës ndaj PAA-së dhe PBDNJ-së, të cilat sipas tij, gëzojnë vendin e demokristianëve në qeveri. “Unë ika, sepse kulla e kryeministrit nuk është ngrirë siç ka thënë Berisha për mua, është kallkanosur prej nëntë muajsh dhe po luan letra bixhozi me Xhuvelin dhe Dulen”, ka thënë ai. Sipas Lesit, duhen ritme të tjera qeverisjeje, në të kundërt nuk do mbahen premtimet e tre korrikut. “Ne demokristianët kërkojmë ritme të tjera të qeverisjes, në mënyrë që Berisha të mbajë premtimet e tre korrikut. Ende nuk kanë filluar investimet e premtuara, ndaj ka nevojë për një zë ndryshe brenda koalicionit qeverisës, dhe jo vetëm për ministra që përkulen dhe thonë vetëm “amin” para kryeministrit”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gazmend Oketa, Partia Demokratike ka hedhur poshtë mundësinë e rishikimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje, ndërsa ka cilësuar të parakohshëm diskutimit për zgjedhjet vendore.

Deputetët pranë PDK

Deputetët që priten t’i bashkohen PDK-së, pas lëvizjeve më të fundit që kjo forcë politike ka bërë, janë jo vetëm nga PDR-ja, por edhe nga partitë e tjera. Në këtë mënyrë, drejtues të kësaj partie deklarojnë që po zhvillohen bisedime me deputetë si të mazhorancës dhe të opozitës. Ndërkohë, përveç kalimit të Nard Ndokës nga PDR-ja, tek PDK-ja, si kryetari i kësaj të fundit, pritet të largohen edhe dy deputetë të tjerë po nga PDR-ja. Frrok Gjini dhe Jak Ndoka, janë deputetët të cilët pritet t’i bashkohen PDK-së, ndoshta në shtator kur të bëhet dhe rikonfigurimi i deputetëve brenda grupeve parlamentare. Deputeti i Aleancës Demokratike, Pashk Ujka, vlerësohet gjithashtu pranë demokristianëve, të cilët mund të mbërrijnë në 6 deputetë, bashkë me demokristianin Ndue Shpani.

Pashk Ujka, në një pronocim për “Korrieri”-n, është shprehur se ka pasur diskutime, por akoma nuk ka vendosur nëse do kalojë te PDK. ”Më është bërë oferta, akoma nuk e kam vendosur nëse do kaloj tek forca demokristiane. Po pres të diskutoj me kryetarin Neritan Ceka, dhe më pas do marr një vendim”, shprehet Ujka. Ndërsa ish-kryetari Lesi ka deklaruar se së shpejti këta  6 deputetë do të bëhen 10, ndoshta më shumë. Ndërsa kryetari i sapozgjedhur Ndoka nënvizon se një pikë e rëndësishme e programit të tij është thithja brenda PDK-së, e të gjithë atyre që në vite janë larguar nga kjo parti. Grupi reformator në këtë mënyrë mbetet me 2 deputetë, konkretisht kryetarin e PDR-së, Genc Pollon, dhe nënkryetarin e saj, Tritan Shehun.

Deputetët

Nard NDOKA

Nikoll LESI

Ndue SHPANI

Frrok GJINI

Jak NDOKA

Pashk UJKA

PLATFORMA

Kryetari i ri: PDR, jo parti fetare

Nard Ndoka deklaroi dje, se PDK-ja nuk është parti fetare. “Partia Demokristiane nuk është parti fetare, por një parti kombëtare që pranon dhe përfaqëson interesat e të gjithë atyre qytetarëve, të cilët pavarësisht besimit fetar dhe përkatësisë krahinore, besojnë tek forca e traditës, tek familja, tek dialogu, tek besimi në Zot, tek iniciativa e lirë dhe tek përkatësia evropiane e Shqipërisë”, ka nënvizuar Ndoka.

Pikat

1 – PDK në thelbin e saj është një forcë politike antikomuniste, demokratike dhe perëndimore.

2 – PDK përkrah dhe mbështet bashkëpunimin intensiv me PD dhe të gjitha forcat e tjera politike të djathta dhe të qendrës.

3 – PDK do të vazhdojë ta mbështesë qeverinë, do vazhdojnë të jetë pjesë aktive e mazhorancës parlamentare.

4 – Koalicioni duhet të merret pa humbur kohë me përgatitjen e një platforme të përbashkët të partive për zgjedhjet e ardhshme lokale. Për zhvillim ekonomik, zhdukjen e varfërisë, hapjen e vendeve të reja të punës, forcim të institucioneve dhe afrim më të madh me Evropën e Bashkuar.

5 – Mazhoranca duhet të njohë, të respektojë dhe të bashkëpunojë me të gjitha institucionet kushtetuese, që nga Presidenti i Republikës, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe deri tek Avokati i Popullit.

6 – Ndjekja e një politike hapjeje dhe reformimi të vazhdueshëm të PDK-së.

 

Krenaria e humbur

Ai po rikthehej sërish! Kishte zbritur nga trageti me valixhet në dorë duke shikuar horizontin. E, ndërsa shkonte të dukej sikur realiteti ndërroi ngjyrë befas përpara syve të tij në një mënyrë të pakuptimtë dhe të pashpjegueshme. Mbase çdo vend kishte dhe gëzonte një realitet të vetin dhe kjo gjë e qetësoi disi, por mënyra se si dukej në aparencë ky realitet, zymtësia që e karakterizonte atë e bënte që të mos ndihej reht dhe i qetë! Gjithsesi, pas kaq vitesh, thuajse më shumë se dhjetë vjet, ai po riktheheh për të parën herë në vendin ku kish lindur dhe ish rritur. Pikërisht në këtë vend ai po rikthehej. Gjatë atyre dhjetë viteve i ishte dashur të mbante mbi supe rrezikun kur kaloi detin në mënyrë ilegale, me një skaf, pa e ditur në do të jetonte të nesërmen apo trupi i tij do të bëhej mish për peshqit. Por ja që ai në këtë pikë kishte pasur më shumë fat se shumë bashkëmoshatarë të tij të cilët kishin përfunduar tragjikisht dhe nuk kishin pasur mundësi të shijonin realitetin e vendit të shumë-ëndërruar. Ata kishin mundur vetëm të shijonin realitetin e vendit të tyre, dhe pikërisht ky realitet sikur i kishte dëbuar dhe shumë prej tyre i kishte çuar deri në hapin tragjik. Gjithashtu pasi kishte shpëtuar gjallë i ishte dashur që të fillonte nga hiçi për të rindërtuar gjithçka që e rrethonte, madje edhe vetë jetën e tij. Më tej i ishte dashur të punonte me dhe pa orar për të fituar thërrimet e atij që ishte “padroni i tij” e shpesh herë së bashku me thërrimet “padroni” i bashkangjiste edhe njëmijë fjalë e për të mos thënë edhe sharje. Gjatë atyre viteve pa kuptuar dukej sikur ishte venitur edhe krenaria e të qenit shqiptar. Pikërisht kjo krenari ishte vrarë në mënyrë barbare dhe të pashpirt nga shikimet mospërfillëse, nga mentaliteti, nga… Po, njerëzit nuk janë të gjithë njëlloj. Po pse atëherë mentaliteti duhet të jetë i njëjtë për të gjithë?! Kjo nuk është e drejtë. Megjithatë ashtu kishte kaluar plot 10 vite duke lënë mënjanë krenarinë dhe duke vrarë me heshtje dhe punë poshtërimet dhe padrejtësitë. Koha, puna dhe paraja e kishin bërë “dikushi”. Po, ai ishte bërë me të vërtet “dikushi” por ky personalitet ishte përbërë nga grimcat e personalitetit të tij gjatë këtyre dhjetë viteve jetuar me një realitet krejtësisht të huaj. Toni ishte një emigrant legal, kishte një punë, kishte një shtëpi, kishte para… Por, këto dhjetë vite edhe pse kishte gjetur shumë gjëra që në realitetin e vendit të tij vetëm sa i kishte ëndërruar dhe asnjëherë shijuar, ai nuk kishte rigjetur asnjëherë, qoftë edhe një herë të vetme, atë që e kishte humbur siç duket në detin e madh. Dhe pikërisht këtë humbje ai e kishte vënë re vetëm kur kishte shkelur në realitetin e huaj. Ai nuk e kishte fituar sajëherë krenarinë e tij. Sado që ishte plotësuar si person. Po a ka kuptim një personalitet pa krenari?! Këtë pyetje e shtroi gjatë gjithë kësaj kohe në realitetin e huaj. Ecte me hap të ngadaltë dhe me kujdes si për të mos trazuar pikërisht atë ajër të rëndomtë. Kishte mallë dhe dëshirë njëkohësisht për të zbuluar çdo grimë të këtij ajri dhe për të njohur nga afër atë realitet që i dukej kaq i zymtë. Por e mbante shpresa se mos ashtu sikurse pa vetëdije kishte humbur krenarinë në detin e egër të asaj nate, po ashtu pa vetëdije të kishte rigjetur krenarinë gjatë rrugës së kthimit. Shpresonte shumë që realiteti i vendit të tij të ishte ndryshe nga ai ç’kishte qenë para dhjetë viteve, atëherë kur ai e kishte lënë këtë vend. E mbante mend mirë atë natë të tmerrshme dimri. E kishte pasur makth për shumë vite. Atë natë nuk kishte mundur ta vështronte për herë të fundit realitetin e vendit të tij, pasi një mantel i zi e i pistë e kishte mbuluar anë e kënd. Ndoshta nuk e kishte menduar një gjë të tillë atë natë. E vetmja gjë që mendonte ishte të ikte. Ndërsa mendimet i fluturonin nëpër kufinjtë e mendjes gjithnjë e më shumë po i largohej portit dhe gjithnjë e më shumë po afrohej realitetit të vendit të tij, atij realiteti që kishte aq dëshirë ta njihte, ta përqafonte, me mallin e 10 viteve. Kishte zbritur tashmë nëpër rrugët e qytetit të tij, Shkodrës. Dukej sikur qyteti ishte veshur me mantelin e indiferentizmit. Kjo ishte Shqipëria e tij, Shkodra e tij. Ky ishte realiteti i vendit të tij. Njerëz që ecnin nëpër rrugë të gjera e të ngushta, kafene që gumëzhinin të tejmbushura, shkolla me studentë që ecnin të shkujdesur e mbi të gjitha Shkodra e tij nuk kishte ndryshuar dhe aq. Por në pamje të parë asgjë nuk mund të njihet ndaj dhe donte t’i hynte më thellë këtij realiteti. Vendosi të shkonte në shtëpi. Apartamenti i vogël në katin e tretë e priste me një heshtje të shurdhër edhe pas dhjetë vitesh. Gjithçka ishte ashtu siç e kishte lënë vetë, vetëm se ishin vjetëruar. Pra, gjithçka ishte plakur pakëz. Ekrani i televizorit dukej sikur nuk kishte folur për shekuj me rradhë me një qenie njerëzore. Ashtu i fikur të jepte përshtypjen sikur kishte dëshirë të fliste! Edhe ai në ato momente kishte dëshirë ta dëgjonte. Mbase ai do të tregonte shumë gjëra. E ndezi dhe me ngadalë filloi të kalonte me rradhë stacionet televizive. Një spikere po jepte lajmet dhe pulti vetvetiu ndaloi aty. Informacione që flisnin për vdekje, aksidente, të vrarë, vjedhje, papunësi, varfëri, skafe të mbytur… Të gjitha iu shfaqën si një varg fjalësh sfilitëse, por ama të gjitha ato fjalë i dëgjoi mirë. Ja ku njohu edhe një pjesë të realitetit të vendit të tij. Ndërsa po i çonte në mendje të gjitha lajmet që sapo dëgjoi, papritur një sirenë policie po binte. Hodhi sytë me vrap nga dritarja dhe… një tjetër ngjarje kishte ndodhur. Kështu pra, pak nga pak po i paraqitej përpara syve tablloja e realitetit të zymtë të vendit të tij. Këtë realitet që ai e kishte pritur aq ndryshe. Po vallë, çfarë kishte ndryshuar gjatë gjithë kësaj kohe? Ndoshta asgjë! Ndoshta vetëm koha vetë kishte ndryshuar. Mbase i dukej atij por vendi sikur ishte plakur edhe më. Mbase kështu i ngjante atij. Kishte menduar që këtu do të investonte, të ndërtonte një jetë në vendin e tij. Por ai këto gjëra donte t’i bënte në vendin e tij të ndryshuar. Po qeveria vallë ç’kishte bërë?! Ai e dinte se ishin ndërruar qeveritë dhe se qeveritë kishin punuar intensivisht për të ardhmen e vendit. Po cila e ardhme e pret një njeri, kur e ardhmja të ngjason me një sfond gri. Po ku ishin rezultatet e qeverisësve tanë? Tani realiteti i vendit shtrihej përpara tij dhe ai tani e njihte atë çdo grimë të tijin. Kur ishte nisur ishte i sigurt se ishte rikthyer përgjithmonë, por tani nuk ishte i sigurt. Ah, edhe diçka të fundit, ishte në mëdyshje në e kishte gjetur apo jo krenarinë e humbur gjatë kthimit…

Emiranda Lukaj

 

1376 familje janë të ngujuara në Shqipëri

Gjakmarrja është një plagë tepër e rëndë për shoqërinë shqiptare. Sot në Shqipërinë e vogël me 3.700.000 banorë numërohen 1376 familje të ngujuara në 23 rrethe. Fëmijë të ngujuar janë 711. Nga këta 282 të moshës 1 deri 10 vjeç dhe 429 të moshës 11 deri 18 vjeç. Shkodra zë kryet e vendit për gjakmarrje. Janë 460 familje të ngujuara, ku 108 fëmijë nuk shkojnë as në shkollë, as dalin nga kulla e ngujimit, pasi sipas kanunit i pret plumbi i hasmit. Shteti nuk ka asnjë shans të shmangë tragjedinë e 1376 familjeve shqiptare të ngujuara, shifër kjo publike, por që në të vërtetë është tepër më e madhe. Një ndër këto familje të ngujuara është edhe ajo e Zef Margjinit, në Shkodër. Prej pesë muajve është në kullën e ngujimit, pasi një nip i Zefit, në vetëmbrojtje, goditi për vdekje shtetasin Zenel Muhamet Brahimi, nga Kopliku i Malësisë së Madhe. Që nga ajo ditë, tërë fisi i Zefit është ngujuar, pasi familjarët e viktimave, sipas kanunit, kërkojnë të marrin gjakun. Në të vërtetë Zef Margjini me djemtë e tij Marsel dhe Armand, nuk kishin asnjë faj, asnjë konflikt me familjen e Muhamet Brahimit, u detyruan të ngujohen njëlloj si nipi i Zefit që ka kryer vrasjen. Kanuni i lashtë i Lekë Dukagjinit, që qëndron mbi ligjin, përcakton ngujimin jo vetëm të vrasësit, por të gjithë fisit, ndaj sot numërohen kaq shumë familje të privuara nga liria, të ngujuara. Veprimtarë të Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar kanë bërë përpjekje për pajtim, por pa sukses, pasi familja e Zef Margjinit vazhdon e ngujuar ose e fshehur. Plumb i hasmit e pret gjithë këtë fis, pavarësisht se të pafajshëm. Suvestigimet tona, sipas një dëshmie të kishës katolike në Shkodër, kanë arritur të sigurojnë edhe një çertifikatë, ku lëshojnë alarmin se Armand Margjini e ka patur jetën të rrezikuar edhe nga grupe terroriste islamike. Në të vërtetë, në Shkodër u rrëzua një kryq katolik, u kundërshtua vendosja e monumentit të shenjtores Nënë Tereza, u thye kryqi në një varr në Shkrel, etj. Gjithsesi, ajo çka duam të themi është se jeta e shumë njerëzve rrezikohet fort, sidomos e komunitetit katolik që edhe provokohet e mëpastaj edhe kur vjen radha e zbatimit të kanunit, faljet janë tepër më të vështira.

Vasel Gilaj

 

Një jetë përmes dhunës

Historia shqiptare është një nga më të dhimbshmet jo vetëm në Ballkan, por ndoshta ndër rastet unikale edhe në botë. Në periudha të ndryshme të historisë, ajo është personifikuar nga dhuna në forma dhe në kohë të ndryshme. Shkak i vetëm ka qenë dhe mbetet anarshia, mesa duket tradicionale që personifikon shqiptarët.

Një nga historitë më tragjike është ajo e Violeta Kercunga, e cila ka vijuar të përjetojë edhe kalvarin e familjes së saj. Në lidhje me këtë, duke biseduar me z.Ndok Nika, kryetar i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë për Prefekturën e Shkodrës, mësojmë se gjyshi i saj, në vitin 1950 është dënuar politikisht dhe pasuria e tyre është konfiskuar. Në vitin 1985 kalvari i mundimeve dhe i vuajtjeve do të binte mbi shpinën e të atit të Violetës, i cili dërgohet në kampin e riedukimit në Vaun e Dejës për 6 muaj. Pas lirimit, deri në vitin 1990, ai është detyruar të raportojë një herë në muaj tek një agjent i sigurimit famëkeq të shtetit, pasi ishte i identifikuar si antikomunist. Doza e persekucionit është rritur ndjeshëm mbi këtë familje, pasi ajo ishte një familje me tradita të hershme në mbrojtje të katolicizmit. Edhe më të rinjëtë e këtij fisi, vijon rrëfimin e tij z.Nika, u lanë pa arsimin e duhur, edhe pse rezultatet në shkolla nuk u mungonin.

Në këtë panoramë dhe me këto bindje të thella antikomuniste dhe demokratike, u brumos edh e Violeta Kercunga. Sipas Kryetarit të Komunës Velipojë, z.Ded Kacaj, Violeta nga viti 2000 deri në vitin2006, ka punuar pranë kësaj komune në detyrën e punonjëses për zgjidhjen e ankesave të popullit, detyrë të cilën e ka kryer më së miri. Raportimet e saj në Këshillin e Komunës kanë qenë të shumta për zgjidhjen e ankesave të popullit. Gjatë punës së saj, Violeta është përballur edhe me ankesat e qytetarëve për strukturat e shtetit dhe të organeve të policisë, veçanërisht në vitin 2005 dhe 2006. Sipas avokatit Lulzim Karini, ai e ka ndihmuar Violetën në plotësimin e ankesës që ajo i ka bërë Avokatit të Popullit në Tiranë për shkeljen e të drejtave të saj civile.

Si pasojë e kryerjes me devotshmëri dhe ndershmëri të punës së saj, Violeta Kercunga ka qenë viktimë e dhunës së ushtruar ndaj saj. Sipas mjekes patologe, Age Zekaj e Qendërs Shëndetsore Velipojë 2, ajo e ka vizituar Violetën e dëmtuar më datë 8 janar 2004. Vizita dhe mjekimi i është bërë asaj në banesën e vet. Diagnoza zyrtare që vërtetohet nga mjekja Zekaj është shtypje në pjesët e ndryshme të trupit, shenja të zeza në qafë dhe në buzën e sipërme. Janë konstatuar hematoma, marrje mendësh dhe vjellje, gërvishtje, shqyerje dhe hemoragji vaginale. Për të gjitha këto, Violeta ka marrë edhe mjekimin e nevojshëm, madje edhe me antibiotikë.

Të gjitha këto, Violeta Kercunges ia bënë jetën të pasigurtë në vendlindje, për arsyen e vetme se ajo ishte një mbrojtje e flaktë e qytetarëve, madje edhe kundër shtetit dhe strukturave të policisë së shtetit. Për të gjitha këto, ajo u detyrua të marrë rrugën e vështirë dhe të rëndë të emigrimit, drejt një vendi tjetër, ku jeta e saj ishte më e sigurt.

Fatime Kulli, Mira Vataj

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu