Gara për SPAK, kandidati Altin Dumani shpalos vizionin: Garancia më e madhe, bilanci që kam në këto 3 vite

0

Kandidati tjetër në garë për kreun e SPAK është Altin Dumani. Para anëtarëve të KLP, ai shpalosi vizionin e tij nëse zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme.

Nëse më jepet mundësi për të qenë drejtues i kësaj prokurorie do të behet i mundur ndërtimi i një institucioni sipas vizionit që unë mendoj dhe që ky vizion për ta përmbledhur përmban ndërtimin e një strukture të aftë, që do ushtrojë me sukses ndjekjet penale kundër korrupsionit, apo krimit të organizuar të çdolloj niveli me qëllim që qytetarët që qytetarët e këtij vendi të keni besim tek sistemi i drejtësisë. Unë besoj se suksesi varet nga bashkëpunimi cilësor, institucional, nga puna në grup, nga autonomia dhe pavarësia e organit të Prokurorisë së Posaçme, si nga pikëpamja proceduriale si dhe nga integriteti personal i çdo anëtari të Prokurorisë së Posaçme, si dhe integriteti i institucionit në tërësi”.

Dumani po ashtu tha se garancia më e madhe në ndërtimin e një Prokurorie të Posaçme, sipas tij bilanci që ai ka në këto 3 vite.

“Iu përgjigja thirrjes e KLP për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, u zgjodha një ndër anëtarët me një vlerësim maksimal nga ana e KLP. U bënë 3 vjet që jam anëtar i kësaj prokurorie të posaçme dhe ndihem i privilegjuar. Qenien pjesë së saj nuk e kam parë si një vend pune, e kam parë si një mision, një mision shumë i vështirë, dhe këtë frymë kam përhapur tek të gjithë kolegët me të cilët punoj ngushtë. Garancia më e madhe në ndërtimin e një prokurorie të posaçme, është edhe bilanci që unë kam në këto 3 vite”.

Kandidati për kreun e SPAK, Altin Dumani: Jam angazhuar vetë në hetimet për grupet e krimit të organizuar

Kandidati Altin Dumani përmblodhi përpara anëtarëve të KLP arritjet e tij në 3 vite angazhim në prokurorinë e posaçme. Ai tha se ka hetuar 99 çështje me 284 persona të hetuar. Në luftën e grupeve të krimit të organizuar, Dumani u shpreh se ka një kontribut të drejtpërdrejtë pasi është angazhuar vetë me hetime si dhe i ka organizuar ato, për të cilat vijon se kanë qenë të suksesshme  dhe ka kërkuar edhe burgime të përjetshme.

“Garancia më e madhe në ndërtimin e një prokurorie të posaçme sipas atij vizioni që unë përmenda, sipas një prokurorie të suksesshme është edhe bilanci që unë besoj kam në këto 3 vite si i angazhuar pranë prokurorisë së posaçme ku më lejoni shumë shkurt të bëj një përmbledhje të këtij bilanci. Megjithëse kam qenë në detyrën e zëvendësdrejtuesit të prokurorisë së posaçme, kam marrë një ngarkesë të plotë në hetim dhe gjykim, si dhe prokurorët e tjerë, madje edhe më shumë se prokurorët e tjerë.

Kam hetuar 99 çështje me 284 persona të hetuar. Kam ushtruar ndjekje penale edhe pse nuk i përkas seksionit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kam ushtruar ndjekjen penale për vepra me natyrë korruptive, për shembull vepra penale që i takojnë korrupsionit në drejtësi ku kam ushtruar ndjekjen penale. Kam përfaqësuar çështjet e gjykimit për gjykatës të apelit dhe gjyqtarë të shkallës së parë, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, për drejtues të ndryshëm institucionesh dhe po i referohem vetëm çështjeve me vendim të formës së prerë, me vendim fajësie të formës së prerë. 

Gjithashtu qenia edhe pjesë e seksionit të krimit të organizuar më ka dhënë mundësinë të angazhohem në hetimin e çështjeve shumë të rëndësishme, çështje shumë sensitive për kohën dhe vlerësoj se i kam përfaqësuar me sukses këto çështje duke u përballur me eksponentë të ndryshëm të krimit të organizuar  dhe duke përfaqësuar denjësisht akuzën, kjo është detyra jonë faktikisht, nuk është se kemi bërë ndonjë gjë tjetër jashtë detyrës. Detyra jonë kjo është, të përfaqësojmë në mënyrë të denjë akuzën para çdo personi pavarësisht funksionit që ka qoftë sa i takon krimit të gradës së parë apo qoftë sa i takon grupeve të krimit të organizuar me të cilët më është dashur të angazhohem me hetime të drejtpërdrejta vetë, të organizoj hetime, të përfshij në hetime hetues dhe pasjen e hetimeve të suksesshme duke kërkuar edhe burgime të përjetshme dhe kërkesa të cilat janë miratuar edhe nga ana e gjykatës.

Për të ardhur te roli i drejtuesit të seksionit kundër krimit të organizuar apo edhe zëvendësdrejtuesit, përgjithësisht kam ndërtuar një klimë shumë të mirë me prokurorët e linjës, një klimë ku mbisundon mirëkuptimi me njëri-tjetrin, bashkëpunimi me njëri-tjetrin dhe kemi ndihmuar njëri-tjetrin në kryerjen e hetimeve të suksesshme duke u bërë pjesë e hetimit në grupet hetimore të ngritura. Gjithashtu nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe luftën kundër krimit të organizuar, shef seksioni i të cilit edhe kam qenë falë edhe kontributit tim, patjetër, edhe të drejtuesit, kemi sot një bashkëpunim shumë të frytshëm, shumë cilësor me gjithë agjencitë  e huaja të zbatimit të ligjit të cilat gjejnë te prokuroria e posaçme një partner besnik, një partner të aftë profesionalisht dhe të cilit mund t’i besojnë çdo gjë.

Në këtë periudhë janë krijuar 20 skuadra të përbashkëta hetimore falë edhe kontributit tim të drejtpërdrejtë në disa prej këtyre skuadrave të përbashkëta hetimore, jam drejtues i tyre dhe e gjitha kjo është bërë vetëm falë besimit që agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit dhe nuk them vetëm me italianët  sepse ndoshta me autoritetet italiane është normalitet bashkëpunimi dhe krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore, por po them edhe me agjencitë ligjzbatuese franceze, angleze, zvicerane”, tha Dumani.

Dumani: Hetimi i korrupsionit më i vështirë. Kryhet nga persona që njohin ligjin dhe përpiqen të mos lenë gjurmë

Me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, Altin Dumani, një prej kandidatëve për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme për 3 vitet e ardhshme, ka punuar edhe në atë që dikur ishte Prokuroria për Krimet e Rënda. Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të KLP, ai foli për punën e bërë nga të dyja këto institucione, ndërsa veçoi se ndryshe nga Krimet e Rënda, SPAK heton edhe korrupsionin. Pikërisht duke u ndalur tek kjo e fundit, Dumani tha se ajo që e bën më të vështirë hetimin e kësaj vepre penale është fakti se kryhet nga persona që kanë njohuri për ligjin dhe përpiqen të mos lenë gjurmë.

Duke qenë se ju keni qenë pjesë e këtyre dy strukturave, si e konsideroni punën e SPAK në raport me Prokurorinë e Krimeve të Rënda?

Altin Dumani: Po kam qenë pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për 3 vite që kam punuar unë e vlerësoj maksimalisht punën e asaj prokurorie. Në atë kohë i është dashur të përballet me krimin e organizuar sepse atë kishte objekt të vet në atë kohë. E vlerësoj maksimalisht. Kam pasur vetë rastin që të hetoj disa prej çështjeve më të rëndësishme të kohës. Ishte një punë që të ngjallte dhe satisfaksion, sepse në fund të një çështje kishe një vendim fajësie për eksponentë të krimit të organizuar të asaj kohe, apo autorë të Krimeve të Rënda, kështu që kam një vlerësim maksimal të paktën në atë kohë që unë kam qenë pjesë e atij kolektivi. Për të ardhur tek SPAK: Vlerësim maksimal për prokurorët e SPAK, janë kolegë të nderuar, të motivuar, profesionalisht shumë të mirë. Kemi më shumë mundësi tani se atëherë sa i takon mjeteve teknike të hetimit dhe metodave speciale të hetimit. Jemi  mundur t’i përdorim më gjerësisht. Ndryshimi tjetër është që, nëse te Krimet e Rënda kishim vetëm krimet e rënda, ne kemi dhe korrupsionin. Janë dy natyra krimesh që kërkojnë metodologji hetimi të ndryshme, në vlerësimin tim pak më e vështirë është hetimi i veprave penale me natyre korruptive se ato të krimit të organizuar sepse krimi kryhet nga persona që kanë njohur për ligjin dhe përpiqen të mos lenë gjurmë kur kryejnë krimin.tvklan.al

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu