Presidenti rus Vladimir Putin emëroi këtë të mërkurë një komandant të ri të lartë të forcave të tij në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se gjenerali Valery Gerasimov do të jetë komandanti i ardhshëm i Grupit të Përbashkët të Forcave në Ukrainë, duke zëvendësuar gjeneralin Sergej Surovikin, i cili u emërua në këtë pozicion në muajin tetor.
Në një postim në Telegram, Ministria ruse e Mbrojtjes përmendi “nevojën për të organizuar ndërveprim më të ngushtë” midis degëve të forcave të armatosura dhe për “përmirësimin e cilësisë së të gjitha llojeve të mbështetjes dhe efektivitetit” të komandës së trupave ruse.
Gerasimov ka shërbyer si shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Rusisë që nga viti 2012. Ai është një komandant veteran i luftës së dytë çeçene dhe konsiderohet një figurë kyçe në planifikimin ushtarak rus.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës shkurtin e kaluar, Rusia është përballur me humbje të mëdha dhe pengesa të shumta në luftë.
Surovikin mbikëqyri fushatat në Siri dhe ishte i njohur për pamëshirshmërinë e tij. Ai u emërua gjatë vjeshtës për të ndihmuar trupat ruse të bëjë më shumë përparim në luftën në Ukrainë.