Partia e krahut të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka kryesuar për herë të parë një sondazh të madh të mbështetjes publike mbarëkombëtare, duke kaluar aleancën e kancelarit në pritje Friedrich Merz.
Sipas një sondazhi të ri të Ipsos të publikuar të mërkurën, AfD ka 25% të mbështetjes publike, ndërsa blloku i qendrës së djathtë, Unioni Kristian Demokrat (CDU) dhe Unioni Kristian Social (CSU) pasojnë me 24%.
Krahasuar me sondazhin e mëparshëm në fillim të marsit, AfD fitoi tre pikë, ndërsa konservatorët ranë me pesë. Mbështetja për socialdemokratët (SPD) të kancelarit në largim Olaf Scholz mbeti e pandryshuar në 15%, ndërsa të Gjelbërit ranë në 11%, dhe tani janë të barabartë me Partinë e Majtë, e cila fitoi dy pikë për të arritur nivelin e saj më të lartë që nga dhjetori 2016, shkruan Rt.
Sondazhi anketoi 1,000 votues me të drejtë vote në datat 4-5 prill.
Udhëheqësja e AfD Alice Weidel festoi sondazhin në një postim në X: “Për herë të parë në historinë e shkurtër të AfD-së, ne jemi partia më e fortë në Gjermani…Qytetarët duan ndryshim politik – jo një koalicion ‘bizneis si zakonisht’ midis CDU/CSU dhe SPD!”
Në zgjedhjet federale të shkurtit, CDU/CSU fitoi me 28.5% të votave. Kreu i CDU Merz, kancelari i supozuar i ardhshëm, tani po negocion një koalicion me SPD-në e qendrës së majtë, e cila pësoi një disfatë historike, duke fituar vetëm 16.4%.
Sipas raporteve të mediave gjermane, të dy palët po punojnë për të pwrmbyllur marrëveshjet për çështje kyçe si emigrimi, klima dhe marrëdhëniet me BE-në. Një nga qëllimet thuhet se përfshin mbajtjen e AfD-së jashtë pushtetit. Merz tha muajin e kaluar se ai synon të formojë qeverinë e re përpara Pashkëve më 20 prill. Një marrëveshje do t’i jepte koalicionit 328 vende në Bundestag, lehtësisht mbi 316 që nevojiten për një shumicë.