Nuk kanë fund telashet për Fatmir Mediun dhe Shkëlzen Berishën sa i takon tragjedisë së Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu po gjykohet për këtë skandal dhe përmes manovrave ai po tenton të zgjasë procesin dhe t’ia hedhë paq, por që në fakt duket se vetëm sa po i hap telashe vetes.
Ai kërkoi pak javë më parë që të dëshmojnë në gjyq 90 persona, ndërsa vetë SPAK afro 50. Ndërkohë sot kanë qenë familjarët e viktimave që kanë kërkuar dëshminë e 12 personave: Spiro Zaka; Shpëtim Spahiu; Fiqiri Ismaili; Zija Bahja; Kristaq Arapi; Flamur Skrapalliu; Efraim Diveroli; David Packouz; Lavdi Shatro; Fiqiret Mato dhe Luan Duzha.
Ajo që tërheq vëmendje është se avokati Dorian Matlia ka kërkuar të thirren drejtuesit e kompanisë “AEY”, Efraim Diveroli dhe David Packouz.
Efraim Diveroli, është njëri nga sipërmarrësit që bleu fishekët nga ministria e Mbrojtjes, i cili u burgos në Amerikë, pranoi të dëshmojë për drejtësinë, u bë personazh i një libri best seller, por edhe i një filmi në Hollyëood, ku edhe është skanuar e gjithë afera e Gërdecit.
Prokurorët thanë që Deviroli pranoi që ilegalisht ka transportuar rreth 90 milionë plumba kineze për forcat afgane që janë aleate të forcave amerikane.
Kontrata me Pentagonin nuk lejonte marrjen e mjeteve ushtarake kineze. Ndërkohë, municionet ishin ripaketuar që të dukeshin sikur Shqipëria ishte vendburimi i tyre. Për të fshehur origjinën, Diveroli i ripaketonte dhe i shiste ato, sikur të ishin prodhuar në Shqipëri.
Ky lloj biznesi kryhej në fabrikën e Gërdecit ku ndodhi dhe shpërthimi tragjik më 15 mars të 2008-ës, që i mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Por ka pasur dëshmi se Diveroli pazaret i bënte me vetë djalin e kryeministrit të asaj kohe. Kjo i ka dalë në disa përgjime që ju bënë atij dhe Kosta Trebickës.
“Ose ai është mafia ose mafia po e kontrollon atë. Ai është një problem më vete, por problemi kryesor është se unë nuk kam asnjë zgjedhje për të bërë. Më duhet të bëj një marrëveshje me të. Qeveria amerikane është në pritje të produkteve. Nuk mund të marr asnjë vendim”, shprehej ai.
Ndërkohë është kërkuar dëshmia e David Packouz, zëvendësit të Diberolit. Pak kohë më parë ai ka folur në media shqiptare dhe ka akuzuar drejtpërdrejt Shkëlzen Berishën.
“Efraimi shkon në Shqipëri dhe takohet me Pinarin, ishte i organizatës së eksportit shqiptar. Një kompani shtetërore që ishte e ngarkuar të shiste çdo lloj municioni që donte qeveria ta shiste. Ai u takua me Pinarin, ky takim është dhe në libër, dhe për këtë na paditi zoti Berisha (Shkëlzeni). U takua me Pinarin dhe djalin e kryeministrit, dhe një person tjetër që ishte një mafioz shqiptar. Nuk ia mbaj mend emrin.
Efraim kuptoi se me kë kishte të bënte, ai zakonisht flet shumë, Alex ishte atje dhe më tha se sapo hyri aty, e uli menjëherë zërin. Ata i thanë, shiko nuk do të të japim një çmim më të mirë, ky është çmimi më i mirë në Europë. Megjithatë e dimë se bën edhe ripaketimin, dhe ke punësuar këtë tipin që nuk është pjesë e organizatës tonë, dhe po i paguan atij goxha para”, ka treguar ai.