Aleanca e çuditshme Rama-Vuçiç: Një “pazar” autokratësh për një integrim gjysmak në BE?

0

Ndërsa vëmendja globale mbetet e mbërthyer pas zhvillimeve në Iran, në Ballkan po ndodhin lëvizje delikate, por me peshë të madhe strategjike. Dy janë zhvillimet kryesore. Së pari, administrata Trump po braktis parimin e “ndërtimit të shtetit” (state-building), duke preferuar që liderët vendas të marrin vendime sovrane për fatin e tyre.

Së dyti, Shqipëria dhe Serbia duket se kanë zgjedhur vullnetarisht një integrim gjysmak në Evropë, me shpresën se BE-ja do të kopjojë qasjen amerikane të mosndërhyrjes. Zhvillimi i dytë, ilustron qartë rrezikun e propozimit të parë: gjithçka varet nga kush janë këta “udhëheqës endas”.

Nëse ata janë politikanë që i tremben llogaridhënies, ata do të zgjedhin një rrugë që eliminon kontrollin e jashtëm mbi pushtetin e tyre.

Një model “alla-zviceran”, por pa demokracinë e saj

Ajo që synojnë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është një qasje e shpejtë në Tregun e Përbashkët dhe zonën Shengen, duke hequr dorë nga e drejta e vetos dhe privilegjet e tjera që gëzojnë anëtarët e plotë të BE-së.

Ky model do të ishte i krahasueshëm me marrëveshjet e BE-së me Islandën, Lihtenshtejnin, Norvegjinë apo Zvicrën. Megjithatë, për këto vende ky model funksionon sepse ato i plotësojnë kërkesat e anëtarësimit, por zgjedhin mospërfshirjen politike për arsye sovrane. Arsyet e tyre nuk përfshijnë mbrojtjen nga llogaridhënia, e cila është shtylla e shtetit në të gjitha këto vende. Në rastin e dyshes Rama-Vuçiç, ky model kërkohet pikërisht si mburojë ndaj kontrollit demokratik.

Një partneritet i çuditshëm

Është paradoksale që kryeministri shqiptar Edi Rama të bashkëpunojë kaq ngushtë me presidentin serb Vuçiç pikërisht në këtë moment. Serbia ka mbetur pas në garën integruese. Që pas zgjedhjes së tij mbi një platformë pro-BE në vitin 2017, Vuçiç nuk ka bërë asgjë për të ruajtur avantazhin e Serbisë.

Madje edhe politikanët skeptikë ndaj BE-së në Malin e Zi e kanë tejkaluar Beogradin në reforma. Vuçiç është fokusuar në forcimin e lidhjeve të sigurisë me Rusinë dhe zgjerimin ekonomik drejt Kinës, duke refuzuar vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

Brenda vendit, ai ka “avulluar” opozitën liberale, mediat e pavarura dhe sundimin e ligjit, duke shtypur protestat qytetare kundër dhunës dhe korrupsionit. Freedom House e rendit Serbinë si një vend “pjesërisht të lirë”, me një tendencë rënieje të vazhdueshme.

Nga aa tjetër Shqipëria, ka ecur përpara në garën për anëtarësim, megjithëse edhe Rama e ka dobësuar pjesërisht opozitën atje. Edhe pse Shqipëria renditet si “pjesërisht e lirë”, ajo ka shënuar rritje progresive.

Pyetja që duhet bërë është: pse Rama do të hiqte dorë nga ky pozicion kryesor, në këmbim të një integrimi gjysmak krah Vuçiçit? A është ai i shqetësuar se fokusimi i vazhdueshëm i BE-së te llogaridhënia do ta ndjekë penalisht edhe atë?

Kurthi i “vullnetit vendas”

Amerikanët nuk gabojnë kur kërkojnë që njerëzit vendas të vendosin për fatin e tyre. Por rezultati varet nga fakti se kush pyetet. Nëse pyet Vuçiçin dhe Ramën, ata preferojnë mungesën e përgjegjësisë para tryezës së përbashkët në Bruksel.

Unë jam i bindur se studentët që protestojnë në Beograd apo evropianistët seriozë në Tiranë nuk do ta mbështetnin këtë propozim. Rasti që administrata Trump të deklaronte qasjen e saj “të re” ishte 30-vjetori i Marrëveshjeve të Dejtonit.

Ato sollën paqe në Bosnjë, por shpesh kritikohen se u imponuan. ‘Sekreti i ndyrë”, është se amerikanët në Dejton imponuan atë që liderët ndërluftuese (“njerëzit vendas”) thanë se do

ta pranonin: një kushtetutë që garantonte pushtetin e nacionalistëve etnikë.

Ky është sërish rreziku i sotëm: një pragmatizëm që i fuqizon autokratët në dëm të vlerave demokratike. Trump nuk është një lider që e vlerëson demokracinë, nëse ajo nuk garanton fitoren e tij ose zbatimin e urdhrave të tij.

Ballkani meriton një anëtarësim të vërtetë në bllok

Serbia dhe Shqipëria meritojnë më mirë. Po ashtu edhe Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ato duhet të këmbëngulin për “gjënë e vërtetë”: anëtarësimin në BE, i fituar duke përmbushur të gjitha kërkesat e Acquis communautaire dhe kriteret e Kopenhagës.

Dritarja e mundësive po afrohet. Islanda po shqyrton një referendum mbi anëtarësimin dhe Ukraina mund të jetë gati shumë kohë para vitit 2030. Kur të hapet kjo ‘dritare politike’, unë shpresoj që kandidatët e Ballkanit të jenë gati dhe të gatshëm për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota, dhe jo pjesë të një pazari për një integrim gjysmak në BE.

Daniel Serwer, profesor i Praktikës së Menaxhimit të Konflikteve dhe drejtor i Programeve të Menaxhimit të Konflikteve në Shkollën Johns Hopkins (SAIS).

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu