Shkruan Azgan Haklaj
Në parim në një shoqëri pluraliste qoftë edhe si kjo e jona me demokraci hibrite krijimi i një organizate, shoqate apo partie politike është normalitet.
Është një praktikë 34 vjeçare dhe qindra xhepa të vegjël të shumë njerëzve anonimë mbajnë vula partishë.
Biles shumë prej vulëmbajtësve bëhen vulëhumbur dhe radhiten në organe drejtuese të formacioneve të tjera politike.
Një fenomen ky i padëgjuar në ndonjë shtet të kontinentit që nuk është as i ligjshëm, as etik e për më tepër as logjik.
Bashkimin e vulëmbajtësve vulëhumbur e shpiku Rithemelimi i Sali Berishës ku shpurës së tij poshtë çatisë ju mbathen Murrizër, Topallë e Pollarë me vula duke vënë shishen e qumeshtit në radhën e të pashpresëve në “rrugën e shpresës” për një vend në parlament pasi marrjen e pushtetit ekzekutiv sikundër revolucionin e kanë fshirë nga memoria.
Nga mediat mora vesh se me një shishe në dorë janë nisur drejt ballkonit edhe Alibej me Kullurë e kallam kusur.
Ata me një formular në dorë kanë dalë në këtë vapë përvëluese në kryqëzimet e kryeqytetit per të mbledhur firma nismëtarësh.
Njerëzit që ju bashkohen janë vetëm ata që mendojnë se si rendom ndodh së po jepen oferta vadafoni.
Teksa ndjek në portale këta qyqarë me vjen në kujtesë njëri prej tyre i cili vite me parë e ka riprovuar këtë eksperiencë e në përfundim të kandididimit nuk mori as votën e familjarëve të tij.
Me këtë parathënie besoj se e dhashë pa shumë filozofi edhe fundin e fatit të grupacionit “Alibej”.
Maskimi i të ashtuquajturit “projekt politik” me të ashtuqujturin bashkëdrejtim kolegjial i dalë në skenë kahmot është një adaptim i regjencës nazi-fashiste të viteve 40-të si dhe i drejtimit të Jogosllavisë post-Tito dhe aspak një eksperiencë bashkëkohore për më tepër konservatore.
Pra qëllimi është identifikuar.
Ka qënë pjesë e një skenari konspirativ për të larguar Lulzim Bashën nga kreu i drejtimit të demokratëve euroatlantikë, sepse ata ndryshuan qëndrim, dolën së fundmi me drejtim nga një kryetar.
Paradoksi tjetër në projektin Alibej-Kullur & kallam kusur, qëndron në demagogjinë se kinse ata janë luftëtarët e anti-berishizmit në PD.
E verteta të cilën e dinë shqiptarët e ndërkombëtarët është së njeriu që guxoi ta largojë Sali Berishën i vendosur dhe pa asnjë kompromis përballë një presioni të padëgjuar e të pa parë ndonjë herë ishte një burrë dhe vetëm një:
Lulzim Basha!
Këta që tentojnë të marrin këtë flamur jo vetëm nuk kanë qenë faktorë në këtë akt të Lulzim Bashës por nuk kanë qënë as vendimarrës e as dhe aksesorë.
Ndaj dhe kjo tezë bie pa lindur akoma.
Krijesa parti e tyre ka ngordhur përpara se të lindë në maternitetin e klonuar për të shkatërruar Partinë Demokratike.
Siç e theksova në fillim të këtij opinioni unë e pranoj pa kushte diversitetin dhe të drejtën e gjithkujt për kreacjone politike por në rastin Alibej me shokë përveç non sensit ka dhe diçka që tashmë është dekonspiruar.
Ata ishin thjesht mercenarë në radhët e demokratëve qëndrestarë, të verbuar nga etja për karrike pa mund e meritë siç janë mesuar ta fitojnë.
Alibej jo vetëm si drejtues por dhe me tagrin e juristit ishte firmëtari kryesor i ankimimeve te PD-së për proçeset ligjore.
Por çuditërisht ai pa pritur të marrë vendimin e zbardhur të kunatës së Pamela Ballukut doli në media dhe shpalli projektin e ri vanitoz politik duke tradhëtuar një strukturë të tërë politike qëndrestarësh demokratë e shtrirë kapilarisht në gjithë vendin!!??.
Juristi “i madh” Alibej prurje e Shkelzenit dhe Argita Berishës (me njohje skolareske apo relixhioze tek i shoqëronte si servil nëpër xhami) tashmë duket se është penduar dhe po rikthehet si djali plangprishës me një vulë në xhep e një shishe në dorë për tu radhitur me të pashpresët.
Aty ndoshta për arsye konkurence nuk do të ketë mikpritje biles as nga Gazi e Gjekmarkaj të cilët po ruajnë radhën e shisheve nga hiletë e Nokës e Vokshit.
Ata thjesht do të ngelen ca pensionistë politikë me të vetmen shpresë shkëlqimi kur të ndërrojë jetë Jenisheri.
Miqve të shumtë demokratë që e kanë parë me keqardhje këtë pabesi politike e humane sot po jua them publikisht bindjen që kam ndarë privatisht.
Largime të tilla janë shumë të shendetshme për një formacion politik që qëndron e reziston mbi parime.
Natyrisht që kjo është një luftë dhe përballje jo e lehtë politike.
Dhe si në luftërat njerëzore është më mirë të kesh përballë një armik guximtarë sesa në prapavijën tende një frigacak, e ndoshta më keq”tradhëtarë”.
Me dy fjalë do ta përkufizoj opinionin dhe bindjen time për veprimin e Alibej-Kullure& kallam kusurë:
Ju shkëlqeni me ikjen dhe mungesën tuaj! Demokratët të rreshtuar në Harkun Opozitar Euroatlantik” janë të vendosur të mbrojnë kauzat e tyre si shtylla kurrizore e ekzistencës ndaj nuk prishin punë butakët që largohen se është në genin e butakëve zhagitja dhe jargitja.