Shkruan Sokol Pepushaj
SPAK-u ka rënë ‘klloçkë’; Babloku e Non Grata janë bashkë, Luli është lulja që e ujit Amerika. Ishte mesazhi i përbashkuar i mafies, që për fat, u bë qefini i tyre.
Ambasada Amerikane, Britanike, ajo e BE-së dhe OSBE, ua kanë vënë klaneve Mafioze ‘kufirin tek thana’, si me thënë, hani kokat e njëri-tjetrit, por demokracinë nuk guxoni ta vrisni.
Sapo diplomacia foli qartë, duke treguar të vetmen rrugë, fundin e mafies politike, të atyre që shtiren sikur zihen me njëri-tjetrin, fshatarët e mprehën shpatën e humorit në rrjetet sociale që po shqepen nga mbingarkesa.
Gërmuan nëpër egjër të arsyes dhe vendosën shenjat e veta me gabime të mëdha ortografike, mbi grafinë e vogël të organizmit të ndërlikuar të mafies. I duam në burg 4 klanet mafioze.
Është fat, do shprehej Nastradin Hoxha, kur ndjenja mund mendjen.
Jo pa djersë, Babloku, në çdo skenë, si dekor, ka vënë gomerë me nyje litari në qafë, ku mendjet e lehta i mbushi me ca pasuri e ca kocka nga sofra e hajdutëve.
Edhe Altin Dumanit, “këndesit amerikan” që dikur kërcente mbi sup të ambasadores Yuri Kim e zgjonte fshatin me melodi të bukura, ja kishte shtrënguar tërkuzën.
Pas lajmit të bujshëm, se SPAK-u është i tij dhe nuk kanë punë amerikanët kush hamall i hajdutëve arrestohet e kush hajdut hamshor mbrohet, edhe më çyrykëve ju pështollën ca re zemërake nëpër kaptinë, deri sot që amerikanët thyen portat e heshtjes.
Ishte krijuar tisi në pyetjen pa përgjigje, more, ky Altini ç’po bën, po ngroh vezët e Edi Ramës?!
Përrenjtë poshtë ballkonit të Saliut kishin dalë nga shtrati, për të lagur pak furrikun e Edi Ramës, por u tërbuan fare, sapo SPAK-u e thirri doktorin për një radiografi të kompleksit sportiv Partizani.
Saliu nuk lëviz nga “spitali” partizan i Bablokut, u betua çeta e bllokut, me shpresë se diplomatët do heshtnin.
Babëziu Bablok nuk bëzan, se është i zënë me ca hajdutëri dhe sondazhe.
Në sondimet e një nën shtetasi amerikan, që shkoi andej si patronazhist e këtej vjen i bën fllad krye hajdutit, edhe pse SPAK-u ngjante se punonte kur arrestoi Sali Berishën, besueshmëria deklaron se është për faqe të zezë, 25 për qind.
Në fakt, këta specialistët e hajdutërive, kishin nxirë kohën dhe koherencën, sa po, sot që Saliu nuk i bindet as vendimit të gjykatës, as SPAK-ut, besueshmëria duhet të shteronte në një përrua të vogël pranvere, që e mbanë në ecje të ngadaltë vetëm dëbora që shkrihet në Olimp.
Nga Edeni i Bablokut, do duhej të rrjedhin katër lumenj, katër klane mafioze.
Por Cunami erdhi tinëzisht.
Noe-s i është çarë varka. Eva e braktisi Adamin tek koshi i plehrave të Lali Erit, atë çast që Altin Dumani e kapi Lefter Kokën duke ju lëpirë një molle në degë të Qeverisë.
Qeveria dhe paterica e saj Lulzim Basha, dolën si peshku në zall me gënjeshtrën se i mbështet perëndimi të shkelin Kushtetutën, të ndërhyjnë në Reformën Zgjedhore e t’i lidhin duart demokracisë.
Në retorikë më të kulluar, Ilir Meta është fshehur pas ndonjë “orteku” dollarësh në kopshtin e Bablokut, dhe SPAK-u shtyn sa mundet fletë-arrestin, me shpresën se Amerika do heshtë.
Këta, të gjithë ishin lidhur dorë për dore, për rrugë të gjatë.
Por jo, diplomatët folën, madje u qepën “qefinin” mafiozëve politikë, sa Rama, Basha e Berisha, kanë ngelur me gisht në gojë!
Nëpër romantikë të revolucionit, evolucioni i procesit të arrestimit të Like Floririt, për pak ditë, ngjan të ketë ndaluar tek vila në Gji të Lalzit, komshi me vëlla Olsin.
Ditët në vazhdim, priten zhvillime të forta.
Në ishull të rrokullisjeve nëpër rropullitë e mafishes, ku lëpijnë gishtat të gjithë, diçitura është prerje nga bari njomë i fshatit tonë; Saliu, si babai i mafies, dështoi me mezazhin që përcillte, ngjashëm me Bablokun e madh dhe Lulin e vogël, gjasmë se SPAK-u është i Ramës, Rama i Berishës e të bëhet ç’të bëhet, Amerika nuk flet./Pamfleti