Shkruan Naim Flamuri
Deliri i një qeni të çartur nuk është kur leh nga frika jashtë, por kur fillon të lehë edhe brenda, për t’u bindur se shtëpia është ende e tija. Kështu tingëllon pushteti kur drejtësia i afrohet pragut: jo si zë përgjegjësie, por si ulërimë mbrojtjeje. Në vendet normale, drejtësia është spiranca që mban anijen në ekuilibër. Këtu, ajo shihet si dallgë armiqësore që prish pikturën e kapitenit. Dhe kur anijet mbyten njëra pas tjetrës, kapiteni nuk numëron të mbyturit, shet parajsë mbi ferr.
Me drita, kamera, ironi dhe monologë. Sepse në këtë republikë të re, më e rëndësishme se e vërteta është skenografia. Kur drejtësia guxon të prekë dikë nga kuverta e lartë, nuk dëgjohet heshtja e shtetit, por tallja e pushtetit. Institucionet quhen “brutale”, ligji “i nxituar”, hetimi “antidemokratik”. Jo sepse janë të tillë, por sepse nuk pyesin më për leje. Dhe kjo, për një pushtet të mësuar me duart në arkë, është fyerje personale. Dosjet nuk flasin me metafora, por as metaforat nuk janë më të pafajshme. Sepse kur kriteret paracaktohen, fituesit njihen para garës dhe fondet fryhen si vela të rreme, nuk kemi më aksident, kemi metodë.
Nuk është vrimë në barkë, është mënyra si drejtohet anija. Dhe aty ku ka metodë, ka edhe kulturë: kulturë grabitjeje me kostum institucional. Ndërkohë, gotat ngrihen. Jo për nder, por për pushtet. Vera shijon “ekskluzive”, fatura shijon popull. Një shishe kushton sa paga vjetore e atij që mëson fëmijët të lexojnë. Por në këtë banket, djersa e qytetarit është thjesht aromë sfondi. Tapa mbyllet, shishja tjetër hapet, ndërsa tregu numëron qindarkat dhe propaganda numëron klikimet. Kur dikush pyet, përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: “Prisni.” Prisni vendimin, prisni institucionin, prisni reformën, prisni zgjedhjet. Koha shndërrohet në mburojë, mandati në bunker, heshtja në strategji. Sepse kur paratë lëvizin shpejt, drejtësia duhet të ecë ngadalë. Dhe kur buxheti rrjedh, populli duhet të presë radhën. Kjo nuk është krizë morale, është sistem.
Një republikë që funksionon si SHPK, ku vota është çelësi i kasafortës dhe ligji dekor në mur. Fillimisht, sipas zërave, vidhet besimi. Pastaj vidhen paratë. Kur kapen, vidhet koha. Dhe kur nuk ka më ç’të vidhet, vidhet durimi i njerëzve.
E megjithatë, problemi nuk është që drejtësia heton. Problemi është se dikush guxon të thotë me zë të lartë atë që zakonisht thuhet me dhëmbë shtrënguar:Ai që vjedh shtëpinë e vet, më ulët se kaq s’ka. Ky nuk është debat politik. Është diagnozë. Një gjenocid i ngadaltë i djersës së popullit, i paketuar me buzëqeshje, podcast dhe ironi elitare. Qerpiku nuk dridhet, miliona avullojnë, ndërsa propaganda na bind se po jetojmë epokën e artë të transparencës.
Anijet u përmbytën. Kapiteni, shet parajsë mbi ferr. E populli? Populli mban frymën.








