António Costa i prerë me Edi Rama: Shqipëria në pikë kritike, rrezikohen negociatat dhe vizat

0
Screenshot

Takimi i 9 shkurtit në Bruksel mes Presidentit të Këshillit Europian, António Costa, dhe kryeministrit Edi Rama ka nxjerrë në pah tone të forta paralajmëruese nga ana e BE-së. Sipas kabinetit të Costës, Shqipëria ndodhet në një “moment kritik” për rrugën drejt integrimit europian.

Costa ka theksuar se përpjekjet e bëra ndër vite duhet të konsolidohen me veprime konkrete, duke lënë të kuptohet se progresi mund të zhbëhet nëse nuk ka rezultate të matshme në sundimin e ligjit.

Shqetësimi i Brukselit: shteti i së drejtës

Burime diplomatike bëjnë me dije se shqetësimi kryesor lidhet me tensionet mes qeverisë dhe drejtësisë, si dhe me mbrojtjen politike të zyrtarëve nën hetim. Në qendër të debatit është rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku dhe raporti i qeverisë me SPAK.

Brukseli e konsideron funksionimin e pavarur të drejtësisë si kusht themelor për ecurinë e negociatave, veçanërisht për kapitujt 23 dhe 24 (drejtësia dhe të drejtat themelore).

Rreziku i bllokimit dhe rikthimit të vizave

Sipas burimeve europiane, nëse nuk ka prova konkrete për ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta dhe zbatim real të reformës në drejtësi, negociatat mund të bllokohen. Me metodologjinë e re të BE-së, një shtet anëtar mund të kërkojë rikthim pas në proces nëse nuk shihen rezultate të qëndrueshme.

Diplomatë europianë paralajmërojnë gjithashtu se përkeqësimi i standardeve demokratike mund të rihapë diskutimin për mekanizmin e pezullimit të liberalizimit të vizave – një skenar me pasoja serioze sociale dhe ekonomike për qytetarët shqiptarë.

Mesazhi politik

Mesazhi i Brukselit shihet si i qartë: mbrojtja e individëve nuk mund të vihet mbi funksionimin e drejtësisë. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq, ku zgjedhja mes konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe përplasjeve institucionale do të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen europiane të vendit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu