Argita Malltezi, vajza e ish-Kryeministrit Sali Berisha, e cilësoi sot Lulzim Bashën të mbaruar.
“Lulzim Brava është një histori e mbaruar. Kushdo që qëndron mbi një kalë të ngordhur i bën llogaritë gabim, por kjo është çështje personale. Lulzim Basha është i mbaruar dhe këtë e them me bindjen time më të plotë”, tha ajo.
Ky ishte sulmi i parë publik që Argita Malltezi i bënte Lulzim Bashës që nga momenti kur mes këtij të fundit dhe kreut të demokratëve Sali Berisha nisi përplasja e fortë në shtator të 2021.
Basha ka zgjedhur ti përgjigjet Malltezit me zëdhënësen e partisë së tij, duke shmangur kështu një përballje direkte me vajzën e ish-Kryeministrit.
Në deklaratë e shpërndarë nga zëdhënësja, Basha shprehet se nuk ka gjë më dëshpëruese për një njeri sesa të detyrohet të dalë poshtë pallatit për të mbrojtur babain dhe burrin në arrest shtëpie nën hetim për korrupsion, ndërsa shton se ajo sulmon me të njëjtën gjuhë si Berisha.
Madje Basha e këshillon t’i kërkojë falje demokratëve, për të cilët thotë se Argita Malltezi, i ka përdorur dhe kërkon t’i përdorë për qëllime personale dhe të shkojë të sqarojë para drejtësisë akuzat për korrupsion të ngritura nga SPAK dhe ato në shpalljen si person i padëshiruar nga Britania e Madhe.
“Një nga arsyet që PD është në këtë situatë, është pikërisht fakti që Sali Berisha kërkonte me çdo kusht të mbronte Argiten nga drejtësia, por edhe kësaj nuk ia doli.
Prandaj Argita, të vetmen gjë që mund të bëjë është t’i kërkojë falje demokratëve, të cilët ajo i ka përdorur dhe kërkon t’i përdorë për qellime personale dhe të shkojë të sqarojë para drejtësisë akuzat për korrupsion të ngritura nga SPAK dhe ato në shpalljen si person i padëshiruar nga Britania e Madhe, ku edhe ajo duket se ka një rol të rëndësishëm”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Bashës.