Shkruan Zef Ndreka
Në luftën e parë botërore, janë vrarë shumë trupa ushtatake dhe më pak nga popullsia civile.
Në luftën e dytë botërore, u vranë rreth 50% trupa ushtatake dhe 50% popullsi civile.
Po në një rast të një lufte të tretë botërore që ndjehet në prag, çfar mund të parashikohet?
Ky mbetet një nga shqetësimet më të mëdha të kohës sonë, të kohës që po jetojmë.
Po të shohim evolucionin e luftërave gjatë shekullit XX dhe XXI, do të shohim një ndryshim të madh në raportin mes viktimave ushtarake dhe atyre civile.
Në luftën e parë botërore përgjatë viteve 1914–1918 ka patur rreth 16–20 milionë të vdekur në total.
Shumica dërrmuese ishin ushtarë që përbënin rreth 65–70%, ndërsa civilët përbënin një pjesë më të vogël, rreth 30–35%, kryesisht nga uria, nga sëmundjet si dhe nga bombardimet sporadike.
Lufta e parë botërore zhvillohej kryesisht në fronte ushtarake të qarta.
Ndërsa në luftën e Dytë Botërore, përgjatë viteve 1939–1945, kishte 70–85 milionë viktima. Raporti pothuajse 50% ushtarë – 50% civilë, madje sipas llogaritjeve, civilët janë akoma më shumë.
Cilat ishin arsyet?
Arsye kryesore sigurisht ishin bombardimet ajrore masive mbi qytete, gjenocidet si Holokausti, ishin pushtimet dhe represioni ndaj popullsive civile, ishin bombat atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki.
Lind natyrshëm pyetja:
Po në rastin e një lufte të mundshme të tretë botërore?
Në një konflikt global që mund të ndodhte sot, shumë analistë ushtarakë mendojnë se civilët do të përbënin shumicën dërrmuese të viktimave, ndoshta 70–90%, për arsye të përdorimit të armëve moderne, të përdorimit të armëve bërthamore, të cilët nuk dallojnë civilët nga ushtarët. Arsye tjetër mbeten raketat hipersonike dhe balistike që godasin qytete dhe infrastrukturë, po ashtu edhe armët kimike dhe biologjike potenciale.
Arsye tjetër kryesore është lufta urbane, e cila sot zhvillohet në qytete ku jeton shumica e popullsisë. Konfliktet zhvillohen shpesh brenda zonave të banuara, siç është parë, viktimat civile janë shumë të larta.
Arsye gjithashtu është shkatërrimi i infrastrukturës, ku njerëzit nuk vriten direkt nga armët, por më shumë do të vdisnin nga mungesa e energjisë, nga mungesa e ushqimit, nga epidemitë, si dhe kolapsi i sistemit shëndetësor.
Arsye më kryesore mbetet lufta kibernetike dhe ajo ekonomike, me sulmet ndaj rrjeteve energjetike, ndaj bankave dhe transportit, që mund të paralizojnë shtetet dhe të shkaktojnë krizë humanitare pa pasur domosdoshmërisht beteja klasike.
Sot ka një paradoks. Edhe pse rreziku ekziston, armët bërthamore kanë krijuar edhe një lloj frike që pengon luftën globale, sepse ideja e një luftë e tillë do të ishte katastrofike për të gjithë, prandaj fuqitë e mëdha përpiqen ta shmangin.
Kështu, në një luftë të tretë botërore, nëse do të ndodhte, ka shumë gjasa që civilët të përbënin pjesën dërrmuese të viktimave, ndoshta shumë më tepër se në çdo luftë të mëparshme, për shkak të teknologjisë së armëve dhe përqendrimit të popullsisë në qytete.








