Opozita do të ketë nga dy kandidatë për zgjedhjet lokale të 14 majit dhe Lulzim Basha po përgatit rikthimin.
Këto ishin dy lajmet që u konfirmuan gjatë javës së fundit brenda Partisë Demokratike. Daljen me kandidatë të tjerë veçmas atyre të Sali Berishës, e konfirmoi Enkelejd Alibeaj i pari dhe më pas u konfirmuan kandidaturat e para.
Prezantimi zyrtar i kandidatëve nisi prej të shtunës nga Mallakastra me Agron Kapllanajn, i cili do të kërkojë një mandat të dytë në krye të kësaj bashkie, pasi më herët ka qenë kryetar në vitet 2015-2019.
Krahas prezantimit të kandidatëve, në lëvizje gjatë ditëve të fundit është vënë edhe ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Fillimisht Basha u shfaq në Panairin e Librit, aty ku përveç blerjes së librave, u pa të takonte të rinj dhe të reja. Më pas ish-kryedemokrati ka marrë pjesë në disa takime me mbështetës të tij në disa prej degëve të Tiranës.
Gjatë këtyre ditëve që mbizotëron atmosfera e botërorit, Basha i është bashkuar të rinjve duke ndjekur ndeshjet në lokalet e Tiranës.