Në fakt po duket se janë shumuar ata që duan krijimin e shpejtë, para marrëveshjes, të Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dhe janë më pak ata që e kundërshtojnë këtë opsion. Kjo do të thotë se shoqeria shqiptare “është civilizuar”, duke e maskuar tradhtinë ndaj interesave kombëtare pikërisht me lirinë e të menduarit. Shtimi i emrave dhe numrave të atyre që mbrojnë pikëpamjen serbe të krijimit të menjëhershëm të asosacionit është produkt i “presionit” të shoqërisë civile, e ndërtuar mbi baza “luajale” edhe kur është në pyetje fati i territorit, shtetit dhe Republikës!
Jo rastësisht përkon pikëpamja e “analistëve” dhe “politikanëve” shqiptarë me kërkesat e presidentit të Serbisë, se Asosacioni duhet të marrë jetë e më pas të vazhdojnë bisedimet për planin franko-gjerman. Aleksandër Vuçiç para një jave bëri presion të drejtpërdrejtë. “Nuk shkoj, tha ai, në Bruksel për turizëm. Nëse nuk krijohet Asosacioni, atëherë nuk kemi për çfarë të bisedojmë”, u shpreh presidenti i Republikës së Serbisë. “Duhet kompromis, thonë këta tanët! “Duhet të japim diçka, që të marrim njohjen ose normalizimin nga Serbia”, thonë ata! Nuk e konsiderojnë kompromis pjesmarrjen e dubluar të serbëve në jetën politike dhe institucionale të Kosovës. Nuk duan t’ia dinë se serbët kanë të drejta, të cilat nuk i ka asnjë minoritet në Europë. Të drejta që nuk i kanë as shqiptarët në shtete ku ata përbëjnë 40 përqind të popullsisë dhe jo 4 përqind, sa janë serbët në Kosovë. Nuk duan t’ia dinë se Kosova e ka paguar me lumenj gjaku lirinë e vet!
Jo! Për këta gjaku lumë i shqiptarëve me mbi 13 mijë të masakruar, me mbi 1600 ende sot të zhdukur, me 20 mijë viktima përdhunimi, me 120 mijë banesa dhe objekte të shqiptarëve të shkatërruara, ose një million shqiptarë të dëbuar, të gjitha këto janë “e shkuara”! Parimi “të shkuara, të harruara” është parimi i atyre që bëjnë avokatinë e Serbisë në Kosovë, në Shqipëri e gjetkë.
Gjithë ky teatër justifikohet me idenë për “lirinë e fjalës”! Ndërkaq më të vjetrit kanë edhe një paralajmërim, kur thonë se “Gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen”! Këta njerëz shqiptaro-folës kanë gjuhë “pa kocka” e madje pa fre. Ndaj dhe thyejnë kocka pa limit. Kockat që ata thyejnë lidhen me lëndimin e pashembullt që u bëjnë dëshmorëve dhe viktimave që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Imagjinoni të lëndoheshin në këtë mënyrë nga dikush viktimat hebreje të Holokaustit hitlerian?! Do bëhej nami!
Një autor gjerman ka shkruar një vepër, në të cilën ai flet për genocidin serbo-jugosllav kundër gjermanëve në Vojvodinë 4-5 vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Pse ai e quan genocid dhunën e masakrat serbe kundër banorëve gjermanë në Vojvodinë? Sepse janë asgjësuar thjesht se ishin jo-serbë, se ishin të një etnie tjetër. Kjo do të thotë se numri i të masakruarve nuk është kriter i emërtimit të asaj që quhet genocid. Kriter themelor, sipas Konventës së Luftës kundër Genocidit, është motivi dhe qëllimi i dhunës kolektive ndaj grupeve etnike ose fetare! Ndërsa genocidi kundër shqiptarëve, pikërisht pse i përkasin një etnie jo serbe, është i përsëritur së paku pesë herë gjatë shekullit XX dhe numëron mbi 120 mijë viktima e miliona të dëbuar!
Kjo është e shkuara që duhet “harruar” sipas analistëve shqip-folës! Madje jo vetëm të harrohet, thonë këta, por duhet edhe që Serbia të shpërblehet fillimisht për genocidin anti-shqiptar fillimisht me asosacionin e Komunave me Shumicë Serbe e më pas me ndarje dhe humbje territoresh! Një farë Dardan Molliqaj, i përkëdheluri i mediave shqiptare, me qëllim që ta zbusë aksionin genocidial të Serbisë kundër shqiptarëve, shkon deri atje sa të thotë se “Qeveria e sotme e Kosovës po sillet me serbët në Kosovë, njësoj siç sillej Milosheviçi me shqiptarët në vitet 1987-1999”! Kush thotë se ky akuzator shpifës në favor të Serbisë nuk i shërben Beogradit, ai është ose injorant, ose me shpirt të shitur!
Ndërkaq ekranet televizive dhe mediet e shkruara lulëzojnë në biznesin e të bërit politikë anti-shqiptare! Krerët e politikës në një masë të caktuar janë mbështetës të pikëpamjeve pro-serbe që na shfaqen çdo ditë e çdo natë në ekrane e në portale. Deri kur kështu? Deri kur do të durojnë shqiptarët patriotë e atdhetarë që të nëpërkëmben nga bashkëkombasit e tyre pro-serbë e pro-rusë?! Nëse ende nuk ka ardhur momenti, ai nuk do të vonojë shumë për t’ju treguar vendin të gjithë aleatëve dhe bashkëpunëtorëve të Serbisë në Tiranë, Prishtinë e kudo ndodhen ndër ne shqiptarët! Bashkëpunimi me armikun është tradhti për çdo komb e popull në botë! Shqiptarët nuk kanë pse shpikin sjellje e raporte të tjera me tradhtinë!