Analisti Artur Zheji tha në emisionin “Barometri” në Euronews Albania, se sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, gjatë vizitës së tij në Tiranë, do të zhvillojë takim kokë më kokë me kreun e SPAK, Altin Dumanin.
“Antony Blinken në Tiranë do të zhvillojë takim kokë më kokë me Dumanin”, tha Zheji. Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Mynih, Gjermani nga 14-17 shkurt.
Lajmi u bë me dije nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që thekson se “në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
“Në Mynih, Sekretari Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut si pjesë e delegacionit amerikan të kryesuar nga zëvendëspresidentja Kamala Harris. Sekretari do të mbajë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike. Sekretari Blinken do të bashkohet gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për një forum publik mbi multilateralizmin”, bëhet me dije në njoftimin e DASH.