“Bota po ndryshon, edhe ne duhet të ndryshojmë”, Scholz mban fjalimin e fundvitit

0

Në fjalën e tij tradicionale me rastin e vitit të ri, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi nga qytetarët gatishmëri për ndryshim. Bota po ndryshon, edhe ne duhet të ndryshojmë, tha kancelari. Ai kujtoi krizat e kohëve të fundit: “Pa përfunduar tërësisht Corona, Rusia nisi një luftë të pamëshirshme në Evropë. Menjëherë pas kësaj, presidenti rus e mbylli rubinetin e gazit. Dhe në vjeshtë ndodhi edhe sulmi brutal terrorist i Hamasit kundër Izraelit. Kaq shumë vuajtje, aq shumë gjakderdhje. Bota jonë është bërë më e trazuar dhe më e ashpër.”

Pavarësisht këtyre sfidave, kancelari gjerman kujtoi se treguesit ekonomikë në fund të vitit nuk rezultojnë ashtu siç ishte parashikuar: Inflacioni ka rënë, pagat dhe pensionet janë rritur dhe depozitat e gazit janë plot. “Gjërat dolën ndryshe sepse ne i rezistuam rënies ekonomike. Sepse kursyem energji dhe morëm masa paraprake në kohën e duhur. Të gjithë ne – së bashku”, tha kancelari.

Viti 2024: Investime rekord dhe lehtësime tatimore.

Kancelari gjerman theksoi edhe nevojën e forcimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së vitin e ardhshëm. Ai theksoi nevojën për një BE të bashkuar dhe të fortë duke pasur parasysh konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. “Bashkimi Evropian na bën të fortë. Kur vepron, BE-ja flet në emër të mbi 400 milionë qytetarëve”, argumentoi ai.

Scholz i inkurajoi gjermanët të thonë fjalën e tyre nëpërmjet votës, një gjë që nuk ka qenë e vetëkuptueshme për një pjesë të Gjermanisë deri para disa dekadave: „Jo shumë kohë më parë gra dhe burra të guximshëm luftonin ende për zgjedhje të lira këtu në Gjermani. 35 vjet më parë filloi revolucioni paqësor në RDGJ. Të kesh të drejtën e fjalës dhe të drejtën e pjesëmarrjes në vendimmarrje – kjo është një e mirë e paçmuar.”

Thirrje për solidaritet dhe kohezion social.

Kancelari gjerman theksoi edhe rëndësinë e solidaritetit dhe përpjekjeve të përbashkëta për të kapërcyer sfidat e së ardhmes. “Ashtu si në shumë pjesë të Gjermanisë që aktualisht po vuajnë nga përmbytjet e tmerrshme dhe pasojat e tyre. Mendoj për të gjithë të prekurit, të cilët sigurisht do t’i ndihmojmë dhe që nuk do t’i lëmë vetëm në këto momente të vështira”. Ai u falënderua për te të gjitha gratë dhe burrat që po luftojnë me të gjitha forcat e tyre me përmbytjet.

Scholz theksoi rëndësinë e secilit individ për suksesin dhe prosperitetin e vendit. “Ne jemi të fortë edhe sepse e dimë që çdo individ është i nevojshëm, që nga studiuesi i nivelit më të lartë, deri te infermierja e gjeriatrisë, polici dhe postieri”.

Ai ftoi për një vështrim optimist për të ardhmen: “Nëse e kuptojmë këtë, nëse e trajtojmë njëri-tjetrin me këtë respekt, atëherë nuk ka pse të kemi frikë nga e ardhmja! Atëherë viti 2024 mund të jetë një vit i mirë për vendin tonë.”/dw

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu