Janë zbardhur detaje të reja mbi grupin e kokainës së laboratorit të zbuluar në Frakull të Fierit, pas aksionit të përbashkët nga SPAK, policia malajzeze dhe DEA amerikane.
Grupi i trafikantëve korruptonin me shuma monetare dhe thasë me plehë doganierët për zhdoganimin e mallit. Referuar dosjes hetimore, Denilson Çervanaku ka paguar 500 deri në 1000 euro në doganë, si dhe ka lënë ‘bakshish’ edhe 4 thasë me pleh për kalimin e 430 kg kokainë.
Në një prej rasteve, ai ka qenë i shoqëruar edhe nga një person i identifikuar si Marildo Rona. Më të njëjtin person, ai ka ruajtur drogën për disa ditë në një magazinë në zonën e Kombinatit në Tiranë.
Pas zhdoganimit, Denilson Çervanaku, është shoqëruar nga shtetasi Marildo Rona, të cilët e kanë dërguar mallin në një ambient pranë rrugës “Jorgo Panajoti”, e cila ndodhet në Kombinat.
Trafikantët e kanë mbajtur aty për disa ditë, pasi ambjenti ka qenë i sigurtë e survejohet nga kamerat. Sipas përgjimeve aty ka kërkuar të akomodohet edhe Denilson Çervanaku, pasi i ka kërkuar Ronës të rezervojë hotel pranë zonës.
Në fund të shtatorit, kur ka ardhur edhe shtetasi kolumbian për të bërë ndarjen, ngarkesa është transportuar nga Kombinati drejt fshatit Frakull, moment ky që ka ekzaltuar edhe Denilson Çervanakun.
Lajmi për drogën u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri, duke çuar pas hekurave 10 persona.