Shkruan Zef Ndreka
Demokratët shqiptarë çfarë po presin?
Çdo të ndodhë me to, pasi asnjë pritshëri aktive nuk ndjehet, nuk shikohet?
Këto pyetje thelbësore dhe të dhimbshme njëkohësisht kërkojnë një analizë, kërkojnë një pergjigje, sepse këto prekin krizën më të thellë që po kalon demokracia shqiptare, jo vetëm Partia Demokratike si organizatë politike.
Nqs duam të flasim sinqerisht dhe nqs duam të jemi të qartë dhe realist vërehet se demokratët në Shqipëri, nuk po presin më ndryshimin, por përfundimin.
Një pjesë e madhe e demokratëve nuk presin asgjë më, thjesht duan të mbarojë kjo periudhë e turbullt, ku partia e tyre është peng i një konflikti të brendshëm, që ka humbur kuptimin politik dhe moral.
Kjo është faza më e rrezikshme kur njerëzit nuk besojnë më as në ndryshim, as në drejtim të ri, por vetëm fundin e çdo gjëje që i ka lodhur.
Por kriza opozitare, nuk është vetëm organizative, por edhe emocionale, sepse PD ka humbur jo vetëm strukturën, por edhe emocionin e bashkësisë.
Nuk ka më ndjenjë përkatësie, as frymë kolektive. Çdo grup mendon për “të vetët”, një sëmundje që e shkatërron çdo organizëm politik.
PD-ja, tashmë është një trup pa zemër që nuk ringjallet nga zgjedhjet fallco, por nga moral i ri dhe ndjenjat e qëllimit.
Kështu, pritshmëria praktikisht është e ngrirë.
Sot, demokratët ndodhen në një gjendje që mund ta quajmë pritshmëri e ngrirë dhe e kanë kuptuar dhe e dinë që udhëheqja aktuale nuk sjell më ndryshim, por problemi i madh është se nuk kanë besim as te ndonjë figurë e re.
Por mbi të gjitha, demokratët kanë humbur besimin te sistemi politik që nuk ofron rrugë të ndershme për ndryshim.
Kjo pritje e ftohtë është më e rrezikshme se zemërimi, sepse vret motivimin.
Në këto kushte, çfarë mund të ndodhë realisht?
Mbetën tri rrugë të mundshme.
* Vetëshuarje graduale, ku PD mbetet një simbol historik, pa energji reale, që ruan emrin por jo frymën.
* Rindërtim nga jashtë strukturave, ku disa figura të moderuara, të ndershme dhe me mbështetje reale, mund të fillojnë një platformë të re demokratike që rikthen besimin, por kjo kërkon kurajë dhe shkëputje nga çdo “lider historik”.
* Shok i madh politik, ku një zhvillim i paparashikuar si ndonjë krizë kombëtare, apo ndryshim i madh në qeverisje detyron riorganizim të opozitës.
Përfundimisht, mungesa e pritshmërisë aktive siç po ndodh aktualisht në PD, është humbje e misionit.
Sot PD-ja, që nuk ka më pritshmëri aktive, nuk është më parti, por një kujtim.
Demokratët duhet të vendosin vetë, nëse duan të ruajnë kujtimin e PD-së, apo të ringjallin shpirtin e saj.
Sepse shpëtimi nuk do vijë nga asnjë “kryetar”, por nga një ringjallje morale dhe qytetare brenda vetë demokratëve, nga poshtë, asnjëherë nga maja.








