Akuzat për abuzime nga kompania e telefonisë celulare ONE Albania kanë mbërritur edhe në parlament. Deputeti socialist Frrok Gjini i ka kërkuar Komisionit Parlamentar të Ekonomisë që të thërrasë kompaninë për të dhënë sqarime mbi ankesat e shumta që kanë klientët prej disa kohësh me këtë operator. Ai tha në parlament se qytetarët po vidhen, ndërsa kompania ONE Albania nuk po u ofron shërbimet për të cilat paguhet nga abonentët dhe është kthyer në gangrenë.
“A është mirë që Komisioni me autoritetin që ka të thërrasë ndonjë përfaqësues të kompanisë, sepse është bërë nj problem shumë i madh apo ndonjë përfaqësues të AKEP-it. Sepse qytetarët po vuajnë shumë me faturat: po i vjedhin, nuk i ofrojnë shërbimet. Pra ka shumë shqetësime. Nëse e gjykoni të arsyeshme si komision, por kryesisht është “One” ai që është bërë gangrenë tek qytetarët. Kur të shkoni të paguani faturën e telefonit e shikoni realisht se çfarë problemi e kanë njerëzit. Biles, ka dhe deputetë këtu që ia kanë mbajtur telefonat me nga 1 muaj të bllokuar”, u shpreh Gjini në komision.
Në përgjigje të kësaj kërkese, kryetari i komisionit Eduard Shalsi u shpreh se ka deputetë që kanë kërkuar informacion për këtë çështje.
“Me dijeninë që kam unë ka dhe deputetë që kanë komunikuar me kompaninë. Me eksperiencën time si drejtues i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, nuk ka pasur një, por dy. Ne patëm një ballafaqim shumë interesant vite më përpara ku i kërkuam kasa fiskale kompanive celulare. Por është komisioni i Veprimtarive Prodhuese ai që e ka në sferën e tij. Gjithsesi, shumë faleminderit për ngritjen e shqetësimit, por është kërkuar shpjegimi dhe së bashku me Komisionin e Veprimtarive prodhuese mund të zhvillojmë një dëgjesë të përbashkët”, u shpreh Eduard Shalsi.
Gjini nuk është deputeti i parë që ka bërë publike abuzimet nga kompania One Albania. Pak kohë më parë Erjon Braçe u ankua për tarifimin e shërbimeve që ai nuk kishte marrë nga One.
Zoom.al ka denoncuar shpesh shkeljet dhe vjedhjet e kompanisë celularë që sa vjen dhe përkeqësohet. Autoritetet drejtuese nuk kanë marrë ende asnjë masë për tregun celular që gjendet në kushtet e duopolit. Zoom.al