Shkruan Ani Jaupaj
‘Kam një vend në zemër ku fryn gjithmonë erë. Shkoj sa herë kam nevojë për paqe, qetësi. Është një vend brenda meje, por edhe jashtë. Atje duket deti. Pyes veten ç’kuptim kanë vendet pa det! Për çfarë shërbejnë?! Kujt i hyjnë në punë?!’
Fjalët e Lucio Dalës i përkasin pak të gjitha vendeve bregdetare, ndërsa ai ua kushton Napolit. Mirëpo, vendet me det duket se frymëzojnë vetëm ata që i merr malli, që nuk e kanë përherë në sy, vetëm brenda tyre.
Vlora në dimër është një prej shumë rasteve ku rrugët shkretohen jo më vonë se ora 18:00. Ka qenë kështu më parë, është kështu edhe sot. Vetëm se sot, në rrugë janë edhe ata që detin e kanë kurë. Të huaj! Italianët janë bërë pjesë integrale e komunitetit tashmë, por nuk janë vetëm ata.
Dyqanet e zbrazëta, në ditë si kjo, me erë, mbahen vetëm prej tyre. Shqiptarët e lidhin gjithmonë jetën me motin. Në një dyqan të vogël peshku, një vajzë gjermane, me një tapet fibre në shpinë që tregonte se duhet të ishte kthyer nga stërvitja në natyrë, po zgjidhte pak fruta deti. Po përpiqej t’i tregonte shitësit në anglisht se i duheshin vetëm pak, sa për një racion makarona që do t’i gatuante vetes.
Peshkatari, bashkë me ashpërsinë gjeografike e profesionale, as nuk kuptonte dhe as i interesonte se sa makarona do gatuante vajza, vetëm shihte i inatosur me erën që pengon lundrimin. Vajza e huaj që ishte ndër të paktat kliente e të gjithë pasdites, përpiqet të buzëqeshë, por asnjë shpresë! Le më pastaj të guxosh të pyesësh a është i freskët peshku?! Nuk të dihet e ardhmja.
Ca më tej, në markete të vegjël a të mëdhenj, në furra buke o biznese të tjera, atmosfera është ca më e butë, por klientët janë po ata, të huajt. Kryesisht i sheh të shëtisin vetëm dhe të blejnë pak gjëra. Ndoshta qëndrojnë pak ditë. Aq sa t’i mbushin sytë me det, por edhe të mos zbrazen nga nervozizmi i rrugëve të vetmuara të qytetit në dimër.
Pikëpyetja e shkrimtares japoneze Banana Yashimoto, se ku e gjejnë ekuilibrin njerëzit që jetojnë në vende pa det, nuk justifikohet, të paktën jo nëse u referohemi vendasve.