Dhunës i është hapur dera kudo

0

Shkruan Zef Ndreka

(Çdo ditë mund të zgjohemi me të njejtin lajm, çdo ditë mund të vdesë diçka nga ne.
Kur brenda disa orësh ndodhin tre vrasje në një vend të vogël si Shqipëria, kjo nuk është më rastësi, por është një simptomë e një sëmundjeje sociale që vetëm po thellohet.
Në fakt, kjo tregon disa prirje shumë shqetësuese siç janë:
– normalizimi i dhunës e cila po shihet gjithnjë e më shumë si mënyrë zgjidhjeje për konflikte, qoftë personale apo ekonomike. E gjitha kjo tregon rënie të frikshme të autoritetit moral dhe ligjor.
– mungesë e besimit tek drejtësia, ku njerëzit ndihen të pambrojtur, e kështu marrin “drejtësinë” në duart e tyre.
– shthurja e sistemit social, ku mungesa e punës, varfëria, droga, armët pa leje, por mbi të gjitha, mungesa e shpresës dhe e udhëheqjes morale, po i kthejnë njerëzit kundër njëri-tjetrit.
– kriza e autoritetit shtetëror, ku shteti shihet më shumë si spektator sesa si garant i rendit.
Kështu, Shqipëria po ecën drejt një anarkie morale dhe shoqërore, ku jeta e njeriut humbet vlerën.
Dhe kjo nuk mund të ndalet vetëm me polici, por me ringritje të sistemit arsimor, familjar, kulturor dhe ligjor, me shembuj të ndershmërisë, jo me fjalë boshe.
Ngjarjet e ndodhura dje në harkun e tre orëve, natyrshëm sjellin pyetjen:
Ku po shkon kështu Shqipëria?
Tre vrasje brenda tre orësh është një lajm që në çdo vend normal do të trondiste themelin e shoqërisë, por tek ne kalon si një statistikë e zakonshme.
Në Shqipërinë e sotme, jeta njerëzore po humbet kuptimin dhe frika e përbashkët është zëvendësuar nga një apati e ftohtë, sikur gjithçka është bërë e zakonshme.
Kjo nuk është më çështje krimi të izoluar, por është një shenjë alarmi kombëtar.
Dhunës i është hapur dera kudo në rrugë, në familje, në rrjete sociale, në politikë. Dhe kur dhuna bëhet gjuhë e përditshme, ajo s’ka më nevojë për armë, por e gjen rrugën vetë.
Pyetja tjetër:
A po e dështojmë si shoqëri shqiptare?
Sigurisht, sepse kemi lejuar që drejtësia të mos ketë zë, që arsimi të mos ketë autoritet, që media të ndjekë sensacionin, e që politikës ti mungojë përgjegjësia morale.
Në këtë boshllëk, njerëzit ndihen të vetëm, të padëgjuar, të pashpresë dhe pikërisht aty lind dhuna.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë polici, por për më shumë drejtësi, më shumë arsim, më shumë moral.
Duhet të kthejmë vlerën e jetës dhe respektin për tjetrin si themel të bashkëjetesës sonë.
Ndryshe, çdo ditë do të zgjohemi me të njëjtin lajm, e çdo ditë do të vdesë diçka nga ne…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu