Kombëtarja shqiptare do të luajë një ndeshje mjaft të rëndësishme në muajin tetor, ku në “Air Albania” do të presë Çekinë. Për këtë takim, në “ndihmë” për FSHF-në, është gati të vijë ish-deputeti Selami Jenishehri, i cili kërkon t’i marrë “vendin” e trajneri Silvinho.
Me anë të një letre, ai i ka shkruar FSHF-së dhe presidentit Armand Duka ku i ka kërkuar që skuadra të bëjë një stërvitje që vetë ai e ka përgatitur, pasi në këtë mënyrë skuadra do të fitonte 100%. Jenisheri shkruan se shumë futbollistë janë bërë milionerë falë stërvitjes së tij dhe se me metodat që ai ndjek, lojtarët do të fitojnë aftësi të jashtëzakonshme.
“Kam bere nje studim qe i ben futbollistet e zakonshem ne nivelin ku te thirren ne ekip kombetar. Kjo lloj stervitje eshte eksperimentu me porosi te F.SH.F. me sukses, ku nga kjo stervitje futbollisti merr nivele shume te larta teknikisht e keshtu ato shiteshin, duke u bere milionera”, shkruan ish-deputeti që doli nga listat e PD-së.
Më pas ai shtoi se: “Meqe ndeshja Shqiperi-Ceki eshte me teper me rendesi une ju lutem Juve qe per ditet e grumbullimit per kete ndeshje une tu a ve ne dispozicion futbollisteve te kombëtares sonë, mbasi drejtoria teknike F.SH.F. dhe trajnerët e kombëtares te shohin vete se eshte me e mira ne bote kjo e imja dhe kjo te beje te sigurte fitoren ne ndeshjen Shqipëri-Ceki.”
Selami Jenisheri shkruan në letrën drejtuar Dukës se kjo stërvitje i mëson futbollistët të driblojnë 2-3 lojtarë rresht kur kanë kundërshtar para.
“Edhe kur kundërshtari e din rregullin tim dhe ai (se nuk ka çfarë i ben) do te jene tepër lart ne saktësinë e gjuajtjes me koke, do te jene super bombarduese e super te sakte ne pasime e gjuajtje, do te jene mbrojtjes te pakalueshëm kur te mësojnë rregullat e stërvitjes sime, ku gjithçka është e re per literaturën botërore te futbollit. Uroj te besosh per sa me lart e te pranonit JU personalisht te me takonit gje qe ben 100% te sigurte fitoren ndaj Cekise dhe kualifikimin e Shqiperise”, -theksoi ish-deputeti.