Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një ditë para mbledhjes së Bordit të Paqes që do të zhvillohet më 19 shkurt në Uashington, me ftesë të presidentit Donald Trump.
Rama ka bërë të ditur më herët se Shqipëria është ndër shtetet themeluese të këtij organizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon administrimin e Gazës dhe nxitjen e paqes në rajon. Sipas tij, përfshirja e Shqipërisë përbën një moment krenarie, ndërsa theksoi se vendi nuk do të kontribuojë financiarisht për anëtarësimin apo për statusin e përhershëm.
Çfarë pritet nga takimi?
Takimi i parë zyrtar i Bordit që nga themelimi në janar do të mbahet në Uashington.
Shtetet anëtare, sipas Trump, kanë premtuar mbi 5 miliardë dollarë për përpjekjet humanitare dhe rindërtimin e Gazës.
Parashikohet edhe angazhimi i mijëra efektivëve në një forcë ndërkombëtare stabilizimi, si dhe mbështetje për policinë lokale për garantimin e sigurisë.
Trump deklaroi se plani është miratuar unanimisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së vitin e kaluar dhe se objektivi është krijimi i një mekanizmi me vendimmarrje konkrete, jo thjesht një forum deklarativ.
Sipas presidentit amerikan, Bordi i Paqes synon të ketë ndikim të madh global, duke u fokusuar në stabilitetin dhe paqen afatgjatë në rajone konflikti.








