Dorëheqja e Ballukut, pasojat dhe lëvizjet në ekuilibrat e pushtetit.

0

Shkruan Zef Ndreka

A do jetë dorëheqja e Ballukut goditje e brendshme për Edi Ramën?!
Ndoshta, sepse Belinda Balluku nuk është një ministre e zakonshme, ajo është nënkryetare e qeverisë, një nga njerëzit më të besuar të Ramës dhe një figurë që ka fituar peshë të madhe politike, ekonomike dhe mediatike në kabinet.
Nëse ajo largohet, Rama humbet një nga shtyllat e ekzekutivit të tij, sidomos në projekte infrastrukturore e energjetike.
Kështu, krijohet përshtypja e dobësimit të “gardës së tij së parë”, gjë që mund të inkurajojë edhe kundërshtarët brenda PS që kanë qëndruar deri më tani në hije.
Dorëheqja e Ballukut a do të ishte një sinjal për reformim dhe “vetëpastrim”?!
Përgjigja do jetë përsëri dyshuese, sepse dorëheqja e saj do të përjetohej nga publiku si
hapi i parë real i Ramës drejt një qeverisjeje me më shumë integritet dhe si një fitore e perceptimit publik për drejtësi dhe ndarje nga figura me ngarkesë politike.
Në këtë aspekt, Rama mund ta përdorë largimin e saj si veprim simbolik për të ringjallur kredibilitetin e tij, sidomos para ndërkombëtarëve dhe në një fazë kur SPAK po rrit peshën politike.
Cilat do të jenë lëvizjet brenda Partisë Socialiste pas dorëheqjes së saj?!
Dihet se Balluku ka krijuar një rrjet të fortë ndikimi në strukturat e PS, sidomos në Tiranë dhe në qarqe ku janë zhvilluar projektet infrastrukturore të mëdha.
Nëse ajo dorëhiqet, do të hapen vende për ambicie të reja, që mund të shkaktojnë garë të brendshme për influencë në PS dhe qeveri.
Mund të rriten figura si Spiro Brumbulli, Blendi Gonxhe, Elisa Spiropali ose ndonjë tjetër që Rama mund ta shfrytëzojë si fytyrë të re për rilindjen e rilindjes.
Cili do jetë ndikimi në opinionin publik?
Një dorëheqje e Ballukut do të kishte efekt të menjëhershëm pozitiv te qytetarët, sidomos pas perceptimit se qeveria është e paprekshme nga ligji.
Dorëheqja e saj do të shihej si sinjal se askush nuk është mbi ligjin dhe se Rama është i gatshëm të sakrifikojë “të vetët” për të ruajtur pushtetin e madh.
Pra, politikisht do të humbiste një bashkëpunëtore të fortë, por strategjikisht do të fitonte terren moral për të ruajtur besimin publik.
Për ta përmbledhur mund të themi se në afat të shkurtër, dorëheqja e Ballukut do ta trondiste qeverinë.
Por në afat të mesëm e të gjatë, do ta forconte qeverinë dhe Ramën, sepse do t’i lejonte të rifreskonte qeverinë, të pastronte imazhin dhe të çonte një mesazh të qartë se “SPAK nuk pyet më për njeri”.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu