Juristi Kreshnik Spahiu ka reaguar mbi përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores Yuri Kim për kreun e ri të SPAK.
Të premten do të zgjidhet pasuesi i Arben Krajës dhe amerikanët kanë ngritur dyshime se qeveria po ndërhyn në garë.
Ishte Yuri Kim që kërkoi sot një proces sa më transparent dhe të drejtë. Por deklarata e saj i “dogji” kryeministri, që reagoi me urgjencë duke thënë se kruen e ri nuk e zgjedh as qeveria dhe as ambasadorja.
Lidhur me këto replika në distancë ka reaguar Kreshnik Spahiu. Sipas tij, përplasja është e njëjtë me atë që ndodhi në Kosovë për Gjykatën Speciale. Sipas tij, Shqipëria shpëton vetëm nëse vjen një avion nga Haga të marrë Ramën, Metën e Berishën.
“Përplasja e sotme e ambasadores amerikane me Ramën, por edhe përplasja e Berishës me SHBA kanë një ngjashmëri me konfliktin e liderëve të Kosovës me perëndimin: “Këtu SPAK, atje Gjykata Speciale”.
Rama, Berisha, Meta e dinë shumë mirë që një ditë në Tiranë do mbërrijë një avion nga Haga t’i arrestojë të tre, por me një ndryshim. 3 liderët e Kosovës u arrestuan si heronj, ndërsa këta si 3 banda kriminale”, tha ai.
Gjatë 3 viteve në krye të SPAK, Arben Kraja nuk prodhoi shumë rezultate sa i takon arrestimeve në nivele të larta. Por duket se amerikanët këtë herë kanë piketuar dikë tjetër, i cili ndoshta do sjellë ndryshimin në politikën shqiptare. Mirëpo politika po lobon fort që të mbetet e paprekur dhe kjo ka sjellë konflikt me amerikanë.
KLP mblidhet të premten dhe do të zhvillojë seanca dëgjimore me 3 kandidatët, Altin Duman, Edvin Kondili dhe Adnan Xholi. Me shumë mundësi në fund të ditës pritet që të dalë dhe emri që do të pasojë Arben Krajën. /Pamfleti