Edhe roja i PD është më lart se hajdutja Ogerta Manastirliu

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, tha se opozita duhet të zgjedhë një kandidat të përbashkët dhe gjithëpërfshirës për të garuar në zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë së Tiranës.

Korreshi u shpreh se skepticizmi që ekziston mes disa kandidatëve është normal për shkak edhe të vetë situatës, pasi janë zgjedhje të pjesshme dhe në rast fitoreje do të qëndrojë në detyrë vetëm disa muaj.

Në këtë aspekt përfshihet edhe fakti që zakonisht zgjedhjet e pjesshme i fiton gjithmonë partia që ka fituar ato të përgjithshme, e që në rastin konkret është Partia Socialiste.

“Pas humbjeve ka një lloj skepticizmi të gjithë kandidatëve sepse koha ka treguar që zgjedhjet e pjesshme ose zgjedhjet për bashki pas zgjedhjeve qendrore i ka fituar përherë partia që ka fituar zgjedhjet. Ka dhe një mangësi tjetër që po presim Gjykatën Kushtetuese, diku nga shkurti, i bie që kandidati do jetë vetëm për 8 muaj sepse pastaj do nisë prapë fushata. Më tepër do bëjë gara se sa do jetë aty për të punuar për Tiranën”, tha ai për “Report Tv”.

Ai tha gjithashtu se kandidati i opozitës duhet të jetë një figurë gjithëpërfshirëse me profil pozitiv për publikun. Sa i përket kandidates së mazhorancës, Ogerta Manastirliu, Saimir Korreshi u shpreh se votat për të i merr partia, ndërsa sipas tij si figurë është më pozitiv edhe roja i selisë së PD.

“Unë jam për një kandidat gjithëpërfshirës. Tirana tashmë ka disa përzierje popullise, nga të gjithë trevat e Shqipërisë dhe nuk është që domosdoshmërisht duhet të jetë nga Tirana. Unë jam i binduar që duhet të jetë nga Tirana. Sot është më e nevojshme bashkimi i opozitës se sa të nxjerrë një kandidat të radhës. Është marrë shumë seriozisht që bashkohen të gjitha ato partitë që nuk bëjnë pjesë në qeveri. Do ishte më e udhës një personazh që e bën gjithëpërfshirës, i dashur nga publiku, që nuk ka një të shkuar në kurriz. Edhe roja i PD po ta vësh sot është shumë herë më lart se Manastirliu. A merr vota? I merr partia nuk i merr Manastirliu”, u shpreh ai.

Sa i përket emrave që qarkullojnë për një kandidat të opozitës, të tillë si Ermal Hasimja apo Edlira Çepani, deputeti Saimir Korreshi u shpreh se janë profile të respektuara publikisht, megjithatë duhet të pritet procesi deri në fund.

“Janë njerëz që kanë profil të mirë publik, gëzojnë respekt. Duhet parë deri në fund. Duhet të gjejmë një njeri që të gëzojë simpatinë e gjithë partive të tjera”, përfundoi ai.

Për Bashkinë e Tiranës nuk ka ende një datë për zgjedhjet e parakohshme. Këshilli i Ministrave ia ka dërguar vakancën Presidentit për të dekretuar shpalljen e zgjedhjeve, por kreu i shtetit nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim. Ndërkohë nga ana tjetër, Erion Veliaj ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese shkarkimin e tij nga detyra dhe i gjithë procesi pezullohet deri në një vendimmarrje të GJK.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu