Edi Rama dhe Yuri Kim, si i burgosuri me gardianin

0

Shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe zyrtarët janë vënë në rresht ta pengojnë…

Shkruan Sokol Pepushaj

 Hetim pasurive të Sali Berishës, Ilir Metës, Edi Ramës, Fatos Nanos, Lulzim Bashës dhe gjithë atyre që u ka “lulëzuar” ekonomia në “Sahara” ku edhe misri është bërë xhuxh, se ujin ja “pi” hashashi.

Aty, bri dëshirës, është “parkuar” edhe frika.

Shqiptarët e qeverisur keq në 32 vite nga hajdutët, kanë frikë se Edi Rama është aq i pasur, sa do të mund ta pengojë drejtësinë. 

Po edhe Babloku i ngjan një të burgosuri që i serviloset gardianit. Pra kërkon diçka përtej asaj që shkruhet në letra.

Ja, çelja e Kapitullit 24 Shqipëri- BE, në letra është kapitullimi i çdo hajduti. Se është kështu, pasanikët kanë kaluar në pasivitet dhe presin, ky Edi Rama, do mund ta mashtrojë me “tërhiq e mos këput” ambasadoren Yuri Kim dhe të “këputë hallkat që lidhin Shqipërinë me perendimin”, si paraardhesit e tij Saliu, Fatosi dhe Iliri.

Prandaj BE dhe Amerika, ndoshta si kurrë më parë, janë në sinkron të zhvillimeve, kanë hapur letrat dhe kanë vizatuar kufinj në “tavolinë”.

Duan arrestimin me detyrim e përcaktim të politikanëve e zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me fondet publike.

Ky kapitull, hap dyert e BE-së por edhe të burgut.

Mijëra shqiptarë kanë humbur jetën rrugës për në BE. Ata që e gjetën, me sakrifica, arritën të integrohen, të kenë rroga më të larta se çdo deputet, ministër, Kryeministër a President, por jo të jenë pasanikë si këta këtu…

Prandaj shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe zyrtarët janë vënë në rresht ta pengojnë.

Kudo kanë dalë haptas pengestarët Sali Berisha me çunat e “Foltores”, Ilir Meta me çunat e pazarit, Damian Gjiknuri me çunat Problematikë apo edhe Edi Rama me çunat e Londrës.

Të gjithë bashkë, kanë hedhur ca gurë në rrugën e drejtësisë.

Sapo u shpërnda lajmi se Babloku ka hedhur gurë në rrugë e s’kalojnë dot as ambasadorja amerikane, as këta të BE-së, por do bëhet amnistia fiskale e paratë e krimit do bëhen të pastra, akullore, si duart e Vangjush Dakos; ndërkombëtarët shtuan “gazin” e makinës së pamëshirshme, gurët i kapërcyen si guralecë e amnistinë e përplasën në një “përrua”. 

BE, Amerika dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, as i mbyllën sytë kur u tërbuan në rrugë antiamerikanët Berisha e Metaj, as i hapen fare, kur u kaloi aty pari servili Edi Rama.

Kështu pra, jo vetëm amnistia fiskale ka rënë, por edhe parashkrimet e ligjeve të Adriatik Llallës e Arben Krajës, u shkrinë, u bënë iluzione.

Më qartë, për audiencën tonë që pret shtet ligjor, nuk do ketë asnjë dosje të 32 viteve të fundit që mund të mos rihapet. Ato dosje, sa ishte ligj parashkrimi dhe e mundshme amnistia fiskale, ishin të kopsitura me vendime gjyqësore të formës së prerë e të mbështjellë me kordonë të kuq për të mos u prekur kurrë më.

Këto kordonë do të priten…

Po kush do e çelë “Kutinë e Pandorës” thoni ju? 

Mund ta hapin ata që mbyllën aty gjithë të zezat e tri dekadave?

Jo, kurresei jo, ata jo vetëm nuk përballojnë dot presionin e Saliut, Ilirit dhe Edit, por as i fshehin dot pasuritë e veta që i kanë të frikshme, që ua shohin çdo ambasador po që po, por edhe çdo shqiptar.

Meqë SPAK, mbikqyret nga amerikanët, pse ta fshehim, prokurorët tanë,  janë formalë. Janë të përgjuar për veten e tyre, e normalisht, siç ka ngjarë në Kroaci, shumë nga ata do jenë kontigjent për në burg.

Po kë çon në burg Kaputulli 24?

Normalisht të parët kapot e 4 klaneve mafioze që drejtojnë 20 familjet kriminale.

Se ata katër janë, pra as tre as pesë, apo jo?

Kështu e ka lënë me shkrim, me firmë e vulë ambasadori Donald Lu, e asnjëri nuk ka thënë të kundërtën.

Në të kundërtën, do vëndosin gjurmët ata që do mbyllin dyert e makinave luksoze, të vilave e resorteve në Gji të Lalzit, Kodren e Diellit. Po, pasanikët do vendosin gishta nga thembrat, do përshëndeten me llogaritë e pasuritë, edhe rrugës për burg, dikujt po i servilosen. Qoftë edhe për të shtyrë pak prangat. Të gjithë kështu, në ankth, pasiguri e servilizëm.

Po Babloku me ambasadoren Yuri Kim, si i kanë punët sot?

Ja, hapini sytë e shiheni vetë, a shkon këtë vjeshtë diçitura; Edi Rama me Yuri Kim si i burgosuri me gardianin/Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu