Edi Rama fitoi Kukësin dhe humbi Kosovën

0

Shkruan Gjergj Zefi

Ndërsa i gjithë opinioni publik shqiptar u zgjua me të drejtë dje me një zhvillim të rëndësishëm, jo thjesht në terren, as thjesht politik, por gjeopolitik; Edi Rama, u shfaq me një postim për bashkinë e Kukësit. Një ngjarje e vogël, lehtësisht e parashikueshme…
Në fakt, dje, kryeministri i Shqipërisë do të duhej të fliste gjatë pas asaj ngjarje të tmerrshme në veri të Kovovës, që e mbajti rajonin vetëm një hap larg një konflikti të frikshëm.
Ajo që mund të thoshte Edi Rama, apo kryeministri i Shqipërisë, ishte se Kosova jo vetëm shpëtoi veten dhe rajonin nga një konflikt që mund të përhapej si ‘vaji në lakra’, por e bëri në mënyrën më të mirë të mundshme.

Me anë të një operacioni kirurgjikal të preçizionit të lartë, përmes një ‘laparaskopie’ gjeopolitike, Albin Kurti arriti që me një koordinim të ngushtë me EULEX dhe KFOR të nxjerrë jashtë loje Aleksandër Vuçiç. Që do të thotë, se në një seancë të nesërme dialogu në Bruksel, Beogradi ka njollën e një modeli ‘alla palestinë’ për autonominë e veriut.

Në konferencën e tij për mediet, Vuçiç ishte aq i ‘çmontuar’ sa pranoi, se kemi të bëjmë me një formacion ushtarak të serbëve të Kosovës, që ai e quajti rezistencë. Madje e krahasoi në mënyrë të pacipë me Adem Jasharin.

Në Prekaz, në 5 mars 1999, në Kullën e Jasharëve nuk pati një grup ushtarak profesionist, që të neutralizonte çdo person të armatosur që godet policët e Jugosllavisë së kohës. Përkundrazi, kulla e Jasharajve u bombardua me predha të rënda, derisa vranë jo vetëm të rritur, por edhe gra, fëmijë e të moshuar. Siç dihet Kulla u dogj e mbijetoi vetëm Besarta, dëshmitarja e masakrës së tmerrshme.

Dje në Banjaska, jo vetëm që nuk u prek asnjë person tjetër jashtë grupit të armatosur, por neutralizimi i elementëve të rrezikshëm është kryer në mënyrën më kirurgjike të mundshme. Madje edhe të plagosurit, po shërohen e janë jashtë çdo rreziku për jetën.

Edi Rama, ministri i tij i Jashtëm, madje edhe Presidenti Bajram Begaj ishin jashtë kohe me deklaratat e tyre, madje më të avancuar ishin deputetë e qeveritarë të Gjermanisë, Britanisë së Madhe apo edhe BE-së, ndërkohë që Tirana zyrtare fliste për dialog.

Si mund të flitet për dialog me një person që pranon se ata që vranë policin janë kryengritës. Këtë ende nuk e ka bërë as Moska, e cila e di se nëse e bën, ushqen një precedent që do t’i kushtojë Ukrainën.

Edi Rama e ka humbur Kosovën, pasi e konsideron atë si një vasale të politikës së tij, një kancelari të ulët, ndërkohë që dje Prishtina tregoi se ka edhe vizion edhe këllçe më shumë se lideri ynë global. Madje mediat e Beogradit, por edhe disa parti politike serbe e pranuan se Albin Kurti e ka tronditur aq keq Aleksandrin, sa ky i fundit vështirë ta marrë veten.

Edi Rama e ka humbur Kosovën, falë arrogancës dhe egocentrizmit të tij. Sjellja ndaj Albin Kurtit dhe qeverisë së tij ishte dhe mbetet e paprecedentë.

Nga sot ai, sado të bëjë si i mirë me Albinin e qeverinë, Tirana zyrtare nuk ka më as zë as ide për Kosovën. Madje as ndikim fare. Sepse Rama, nuk i dëgjon përfaqësuesit e Kosovës, edhe pse ata e njohin më mirë situatën, por kërkon të bëj konferenca, takime speciale ku ai të flasë, të dalë me atlete e këmisha ekstravagante, dhe në thelb të mos ndryshojë asgjë.

Kosova dje ka ndryshuar shumë, i ka bërë të ditur Serbisë se nuk do ta lejojë që Beogradi të qeverisë veriun e saj. Përndryshe, ka zot atje! Siç e tregoi situata në terren…/Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu