Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në radarët më të ndjeshëm të politikës amerikane. Skandali i AKSHI-t, dyshimet për kapjen e drejtësisë dhe shkeljet e rënda të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit janë tashmë të arkivuara në dokumentacionin zyrtar të Kongresit Amerikan, duke e vendosur qeverinë e Edi Ramës në atë që burime politike e quajnë “rrethi i kuq” i vëzhgimit nga Uashingtoni.
Kongresmenët amerikanë i kanë drejtuar pyetje të drejtpërdrejta profesorit dhe ekspertit të njohur amerikan Edward P. Joseph, pas seancës dëgjimore të mbajtur disa javë më parë për Shqipërinë. Përgjigjet e tij, ndryshe nga deklaratat live, janë tashmë të depozituara dhe të arkivuara, duke shërbyer si referencë për Departamentin e Shtetit, Kongresin dhe diplomatët amerikanë.
Joseph vlerëson se Shqipëria po kalon provën më serioze të sundimit të ligjit në më shumë se një dekadë. Sipas tij, shqetësimet për pavarësinë e gjyqësorit, procesin e rregullt ligjor dhe integritetin zgjedhor janë përshkallëzuar ndjeshëm, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit politike dhe protestave që pasuan kërkesat e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Një nga pikat më alarmante të vlerësimit të Joseph lidhet me Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI). Ai thekson se dyshimet për korrupsion dhe abuzime në këtë institucion nuk janë vetëm një problem i brendshëm shqiptar, por përbëjnë rrezik serioz edhe për interesat e sigurisë së SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. AKSHI ka rol kyç në infrastrukturën digjitale dhe mbrojtjen kibernetike të vendit, veçanërisht pas sulmeve kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë, çka e bën çdo skandal aty një çështje strategjike.
Sa i përket zgjedhjeve të 11 majit, eksperti amerikan i referohet drejtpërdrejt raportit të OSBE/ODIHR, duke theksuar se arrestimet, hetimet selektive, përdorimi i burimeve shtetërore, frikësimi dhe vijat e paqarta mes partisë dhe shtetit kanë shtrembëruar procesin zgjedhor. Ai nënvizon se 25 rekomandimet e ODIHR-it duhet të konsiderohen minimumi i domosdoshëm për reformë dhe jo thjesht këshilla formale.
Joseph shkon edhe më tej, duke hedhur në tryezë zgjidhjen e një qeverie teknike, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, dorëheqja e qeverisë aktuale përpara zgjedhjeve dhe kalimi i administrimit te një kabinet i përkohshëm teknik do të ndihmonte në frenimin e abuzimeve, uljen e presionit mbi administratën dhe rritjen e besimit publik në procesin zgjedhor. Edhe pse pranon se një skenar i tillë do të haste rezistencë të fortë nga pushteti aktual, Joseph thekson se përvoja rajonale ka treguar se presioni i brendshëm i kombinuar me ndërmjetësimin ndërkombëtar mund të japë rezultate.
Mesazhi nga Uashingtoni është i qartë: Shqipëria nuk po shihet më si një problem periferik. Dosjet për drejtësinë, zgjedhjet dhe AKSHI-n janë tashmë pjesë e arkivës së Kongresit Amerikan dhe çdo zhvillim i ardhshëm do të analizohet me lupë. Për qeverinë Rama, kjo përkthehet në rritje presioni ndërkombëtar dhe në një sinjal të fortë se toleranca ndaj abuzimeve politike dhe institucionale po shkon drejt fundit.








