Edi Rama “sakrifikon” Ballukun, nis ofensivë ligjore për të mbrojtur veten dhe Presidentin

0

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime të menjëhershme në legjislacion, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku. Lëvizja shihet si një përpjekje e drejtpërdrejtë për të frenuar veprimet e SPAK dhe për të mbrojtur jo vetëm kabinetin qeveritar, por edhe figura të tjera kushtetuese, përfshirë Presidentin Bajram Begaj.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama sinjalizoi se mazhoranca do të ndërhyjë në ligj për të përcaktuar qartë se funksionet kushtetuese “të padelegueshme” nuk mund të pezullohen nga organet e drejtësisë. Në deklarimet e tij publike, Kryeministri theksoi se pezullimi i një ministri apo i Presidentit paralizon institucionin dhe cenon vullnetin e qytetarëve.

Në prapaskenë, brenda PS-së po lexohet qartë një strategji tjetër: Belinda Balluku është lënë e vetme përballë SPAK, ndërsa Rama po ndërton një mburojë ligjore për të shmangur çdo precedent që mund të prekë drejtpërdrejt Kryeministrin ose Kreun e Shtetit.

Zyrtarë të lartë socialistë kanë artikuluar të njëjtin qëndrim. Sipas tyre, ndonëse mbështetja për drejtësinë mbetet parimore, mazhoranca nuk do të pranojë që një organ jo i zgjedhur nga populli të pezullojë funksione kushtetuese. Në këtë kuadër, Kuvendi pritet të marrë iniciativën për ndryshime ligjore që do të kufizojnë kompetencat e gjykatave në raport me pushtetin ekzekutiv.

Kjo qasje ka hapur një përplasje të re mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi ndarjen e pushteteve, sundimin e ligjit dhe realitetin e reformës në drejtësi. Ndërsa Balluku mbetet e pezulluar, beteja tashmë është zhvendosur në Parlament, ku mazhoranca synon të mbyllë çdo derë që mund të çojë drejt pezullimeve apo arrestimeve të figurave më të larta të shtetit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu