Shkruan Arben Rrozhani
Numri dy i shtetit shqipar, sot ka patur një festë të veçantë dhe nuk duroi që të mos e ndante me popullin. Elisa, kryetare e Kuvendit, prej kohës kur Lindita Nikolla u detyrua të largohej dhe të vishej si e sëmurë rëndë dhe sot kapërcen si gocë e re kanalet e mutit për të bërë fushatën e 11 majit në Kamzë, ka arritur të ketë 130 ndjekës në profilin zyrtar të kryetares së Kuvendit, vetëm në Facebook.
“Miq realë dhe virtualë, u bëmë 130 mijë. Rrofshi e qofshi”- lajmëroi dhe falenderoi Elisa në qiellin e shtatë, para 10 orësh, pra sot paradite, kur mbarë dynjaja është pushim, por Elisa është në fushatë dhe ka zhvendosur zyrën në Kavajë dhe Rrogozhinë.
Po ka arsye për të festuar, se ka lënë pas Lindita Nikollën me 52 mijë ndjekës, Belinda Ballukun me 66 mijë ndjekës, apo Damian Gjiknurin me 73 mijë ndjekës. Por ka ende shumë punë për të bërë sepse Skënderbeu i saj, Edi Rama, ka plot 1.6 milionë ndjekës, Erion Veliaj, ish-shoku i Mjaft-it, G99 dhe PS-së dhe prej 10 shkurtit 2025 kryebashkiak i arrestuar ka 549 mijë ndjekës.
Nëse kërkon listën e ndjekësve, është e pamundur, sepse ajo fshihet si te të gjitha profilet e të ngjashmëve, por nuk është e vështirë të hamendësohet se nga kanë ardhur ndjekësit e rinj të Elisës, që u janë shtuar ndjekësve të vjetër që kur ajo ishte gocë e re në Mjaft, pastaj në G99, më pas në PS, pastaj të drejtoria e Doganave, ku gojët e liga të SHQUP-it thonë se përlau nja 5 milionë euro, pastaj pranë Skënderbeut si ministre, pastaj në Shkodër, për të rrëmbyer Agron Çelën nga Ilir Meta që të bëhej Benet Beci kryetar bashkie në 2023-in, pastaj kur u bë spikere te Kuvendit dhe e ndoqi mbarë administrata, pastaj kur shkoi te Baba Mondi për festa dhe për Shtetin Bektashi dhe ai e qeraste me tortën e ditëlindjes së 42-të, pastaj në Kavajë dhe Rrogozhinë, ku është drejtuese politike, pasi hoqën qafe Erion Veliajn. Dhe siç ka thënë Elisa, në njërën nga shprehjet e shumta filozofike që ka nxjerrë nga goja këto vite, arritje të tilla bëhen edhe filma.
Gojët e liga, si gjithmonë të SHQUP-it, thonë se ndjekësit janë blerë nga Vietnami, Laosi, India dhe ku të munden, por kjo kjo s’ka rëndësi dhe këto vogëlsira s’mund t’ia prishin këtë ditë të shënuar Mamicës së Skënderbeut. Gëzuar!