Deputetja e Partisë Socialiste dhe ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar për herë të parë pas përplasjes së fortë me kryeministrin Edi Rama gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PS.
Sipas burimeve, gjatë debatit me tone të larta, Rama i është drejtuar Spiropalit me fjalët “mbylle gojën”, duke i kërkuar të mos ndërhynte ndërsa ai ishte duke folur. Incidenti erdhi pas një përplasjeje mes Spiropalit dhe ministres së re Erjona Ismaili, ndërsa në sfond qëndronte kërkesa e saj për debat publik mbi qëndrimet e PS, përfshirë edhe çështjen e Belinda Balluku.
Por reagimi i Spiropalit shkon përtej një incidenti personal.
“Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një model që po zgjerohet,” thekson ajo, duke ngritur alarmin për një klimë të re politike ku, sipas saj, arroganca dhe abuzimi po normalizohen.
Në një deklaratë të gjatë dhe të ngarkuar me mesazhe politike, Spiropali godet drejtpërdrejt kulturën e brendshme në PS, duke paralajmëruar se po ndërtohet një sistem ku bindja shpërblehet më shumë se merita dhe ku debati po zhduket gradualisht.
“Sot nuk mungojnë mendimet, mungon hapësira për t’i shprehur. Debati nuk zhduket – ai shtypet. Dhe kur shtypet, nuk sjell qetësi, por tension të padukshëm që grumbullohet,” shprehet ajo.
Deputetja socialiste shkon edhe më tej, duke përshkruar një realitet ku frika nuk shpallet hapur, por ndikon në çdo vendimmarrje.
“Njerëzit mësohen të masin fjalët jo nga e vërteta, por nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria nuk ndalohet – ajo zbehet,” thekson Spiropali, në një nga deklaratat më të forta të saj.
Ajo kritikon gjithashtu përdorimin e vazhdueshëm të “Europës” në diskursin politik, duke e cilësuar si një referencë që po zbrazet nga përmbajtja reale.
“Europa nuk është një fjalë për t’u cituar, por një sistem vlerash për t’u zbatuar. Çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të pavlerë,” shprehet ajo.
Në fund, Spiropali lë një mesazh të fortë politik dhe moral:
“Fitorja nuk merret, ajo provohet. Nuk mbahet me frikë, por me besim. Dhe kur largohesh, duhet të mbetet respekti – jo vetëm rezultati.”
Kjo përplasje dhe reagimi i saj publik pritet të thellojnë debatet brenda Partisë Socialiste, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi demokracinë e brendshme, lirinë e mendimit dhe mënyrën se si ushtrohet pushteti në Shqipëri.
Elisa Spiropali shpërthen pas përplasjes me Edi Ramën: “Debati po shtypet, frika po bëhet normë”
Promoted Content








