Ende Gabriel Escobar, ka diçka për të mësuar në Ballkan

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Kjo vjeshtë ngjan si kavalet pikture me “Peshq” e peshkatarë. Aty në një cep livadhi, të ngjan se shikon Ezopin e madh që shkruan “fabula” me kafshë që të edukojë njerëzit.

Krah Ezopit fabulist, shohim edhe një amerikan, Sekretar. Gabriel Escobar, ka ngritur “kavaletin” e vet tek dera e kotecit të pulave dhe u rri gati dhelprave të Ballkanit.

Meqë kjo specie, ndër 100 më të rrezikshmet e Globit, ende jeton malesh dhe ka frikë qytetin, nuk mund t’i vrasë, sepse shkelen të drejtat e kafshëve.

Amerikani thjeshtë, ka vendosur të rrijë tek koteci dhe të thërrasë njëfarë Arben Kraja, që t’i izolojë dhelprat, tigrat, ujqërit, luanët e çdo grabitqar tjetër.

Ky Arbeni, për fat të keq, ka mësuar gjuhën e kafshëve e nuk kupton atë të drejtësisë.

Edhe Escobar ka diçka për të mësuar.

Ende nuk e di se sipas mitologjisë greke, këto kafshë dinake janë të shenjta. Vetë Zoti, Edi Rama, i kishte orientuar të dënojnë njerëzit e qytetit grek të Tebës, ata kriminelë që nuk i binden, që duan BE dhe jo Ballkan të hapur.

Po Escobar rri tek fabula, si Ezopi. Nuk përmendi emra njerëzish, por të gjithë thanë se fjalën e ka për Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Aty, në Ballkanin e lashtë, 2600 vjet më parë, edhe Ezopi i zgjidhte problemet e shoqërisë përmes fabulave me kafshë.

Mbase ende jemi herët për të folur me njerëzit…?

Ja, tre diplomatët e fundit amerikanë këtu tek ne, biseduan me kafshët dhe me objektet e pajetë. 

Alexander Arvizu ka shkruar fabula me krimba e insekte të tjera ku gati gjysma e botës i ka në meny ushqimi.

Edhe fëmijët e mësuan se krimbi trashaluq është Ilir Meta, agresivi Sali Berisha, mistreci Fatos Nano dhe i gjati Edi Rama.

Më tej kafshët agresive të ambasadorit Donald Lu dhe objektet pa jetë si ora, byzylykë, makina, resorte, filluan të flasin me ambasadoren Yuri Kim.

Këto kafshë, “Peshq” të mëdhenj, i premtuan diplomates që do kujdesen vetë për karakteret dhe detajet deri në largim të urisë, se është vjedhur shumë, se mungon liria dhe e drejta, se “fabulat” do të jenë në sfond të zgjidhjeve për njerëzit.

Pasi i dëgjoi gati tre vjet, diplomatja që do mbahet mend për talentin artikulues, ka shkruar një fabul të bukur me dele që dalin kullotin me një bari ujk.

Prandaj është normale që hyri në “fabul” edhe Zëvendës- Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euro-azinë, Gabriel Escobar. Ballkani Perëndimor, si ballkoni i krimit të organizuar, e konverton një rrogë anemike, më pak se 70 dollarë në ditë, fjala vjen të kryeministrit, në pasuri miliona dollarë.

Gabriel nuk gaboi kur e ngriti zërin fort në mbrojtje të ambasadores amerikane në Tiranë, se delet e ujqërit ajo i futi në një fabul.

Ai kushtrim, maleve të Ballkanit, ka dekada që e nis dhe kthen oshtimën uuu, uuuu, uuuuu, thua se furtuna i grisë fletët e çdo skice, fabule apo metafore.

Nuk janë Arben Kraja, Sali Berisha dhe Ilir Meta më antiamerikan se Edi Rama. As më pak të rrezikshëm, as më pak mëkatarë.

Ata nuk shkulen nga Olimpi edhe sikur ta dinë se vdesin nesër. Edhe vdekjen e përdorin si “garniturë” antiamerikane, madje “vdesin” edhe vetë. Bëjnë sikur ranë, e fap ngrihen më antiamerikanë. Kjo “vdekja” e spiunit Ilir Meta, po e bën më dinamik ish presidentin. Ja që tani janë karikuar për zgjedhjet e pushtetit vendor, pa dashur t’ia dinë fare se ka plasur pakënaqësia për dështim të arrestimeve VIP edhe këtë vjeshtë.

Fabula e Ezopit me dhelprën që kur e zënë në kotec mbyll sytë si e ngordhur, është bërë manifest vlerash për mashtrime kalibri të hajdutëve shqiptarë, deri në  “Shtëpinë e Bardhë.

Këta i provokojnë konfliktet me mendje të djallëzuar. Mbrojnë drejtësinë që shtrembëron të vërtetën, që fle e zgjohet në “shtrat” me  krimin e kriminelët, që grabitë me vendime gjyqësore pronat, që dënon me burg pikërisht të pafajshmit, që bën dhelprën e Ezopit para çdo ambasadori amerikan.

Pra aty jemi ende, tek koteci i pulave, ku dhelprat shtiren si të ngordhura, prandaj mësojeni se pse diplomatët amerikanë flasin me kafshë, jo me njerëz.

E thamë, sipas mitologjisë greke dhe 4 Klaneve mafioze që drejtojnë 20 familjet kriminale, dhelpra, ndër 100 speciet më agresive në Botë konsiderohet e shenjtë, prandaj ende Gabriel Escobar, ka diçka për të mësuar në Ballkan./Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu