Me ardhjen në pushtet të socialistëve në vitin 2013 ka nisur lulëzimi i sektorit të ndërtimit, i cili për vitin e kaluar ka shënuar rekord historik. Ndërsa sa i përket këtij viti, INSTAT thotë se vetëm në Tiranë u dhanë rreth 1.2 milionë metra katrorë sipërfaqe leje ndërtimi.
Sektori i ndërtimit ka njohur rritje të fortë vitet e fundit, pas rënies ciklike që kishte nisur nga 2008, duke arritur një rekord të ri në vitin 2021.
Sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor, Produkti i Brendshëm bruto i sektorit të ndërtimit, i matur me çmime korente, që vlerëson transaksionet ekonomike të sektorit, arriti në 180 miliardë lekë, ose 1.5 miliardë euro në vitin 2021, duke shënuar një nivel rekord historik.
Në vitin 2013, ndërtimi arriti në nivelin më të ulët që prej 2005-s. Por, pas vitit 2013, që përkon me ardhjen në qeveri të socialistëve, ndërtimi iu kthye sërish rritjes i nxitur si nga projektet e infrastrukturës ashtu dhe nga rikthimi i vrullit të projekteve rezidenciale, sidomos në kryeqytet, për të arritur një rekord të ri në 2021-n.
Kjo tendencë pritet të vijojë, bazuar në sipërfaqen e lejeve të ndërtimit në 2021 dhe 6 mujorin e parë 2022.
Sipas të dhënave INSTAT, në vitin 2021, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ishte 1.6 milionë metra katror, nivel rekord të paktën që nga viti 2010 kur raportohen të dhënat, nga të cilat gati 80% ishin për ndërtime rezidenciale.
Po sipas INSTAT, vetëm në 6-mujorin e parë 2022 u dha në kryeqytet gati 1.2 milionë m2, sipërfaqe leje ndërtimi, ose sa 75% e sipërfaqes së dhënë për gjithë vitin 2022.
Edhe sektori i pasurive të paluajtshme ka përshpejtuar ritmet e rritjes duke filluar nga 2018-a.
Sipas INSTAT, PBB me çmime korente në aktivitetin e real estate, arriti në 112 miliardë lekë, ose afro 1 miliard euro në 2021-n, duke arritur nivelin më të lartë historik të pas tranzicionit.