Deputetja socialiste Ermonela Felaj është munduar të justifikohet lidhur me faktin se familjarët e saj kanë ‘pushtuar’ Prokurorinë e Tiranës, pasi në të punojnë katër të afërm të saj, e megjithatë shet mënd se ka mbështetje amerikane. Në të vërtetë, diplomacia amerikane që Babloku deklaron se është seleksionues edhe i vizave, nuk ka folur asnjëherë për inceneratorët.
Në një intervistë për emisionin ‘Kontrast’ në ‘Report Tv’, Felaj u shpreh se motra dhe kunata e saj kanë dy dekada që punojnë në sistemin e drejtësisë dhe sipas saj ata erdhën në Prokurorinë e Tiranës pas vakancave të hapura nga KLP.
Ndërkohë që për pranimin e tyre në Prokurorinë e Tiranës, Felaj justifikohet se nuk ka ndikuar aspak, pasi sipas saj, ajo nuk ka asnjë lidhje me reformën në drejtësi.
“E pavërtetë, është vetëm një me mbiemrin Felaj, bashkëshortja e vëllait tim. Motra dhe bashkëshortja e vëllait kanë punuar për dy dekada dhe për asnjë rast nuk janë promovuar dhe pse është një e drejtë kushtetues e çdo magjistrati që të promovohet brenda sistemit. S’më takon mua të flas për këtë pjesë. Sikur unë kam ndikuar për ndryshimin e ligjit dhe dhënien e mundësisë që ata të punojnë në një prokurori karriere si Tirana. Kërkesa e tyre është bërë në kushtet kur sistemi ka vakanca dhe ka kërkesë nga KLP për vakancat. Kështu ka ardhur dhe konsiderata. A ka lidhje me Ermonela felaj? Jo, Ermonela s’ka lidhje me reformën në drejtësi, skam qenë deputete, kam qenë ministre e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin. Nuk kam qenë deputete dhe nuk e kam votuar dot reformën në drejtësi. A kam lidhje me ligjin, jo se nuk kam qenë. Ku bëhet lidhja ime me kaq ligësi me këtë gjë. Ligji është kontestuar në Kushtetuese dhe në përfundim të gjykimit”, tha Felaj.