Katër muaj më parë humbi zgjedhjet për kryebashkiak të Pukës, Gjon Gjonaj emërohet nënprefekt, duke sfiduar dukshëm elektoratin pukjan, i cili më 14 maj e largoi me votë plebishitare nga drejtimi i pushtetit vendor. 
Kjo nuk përbën befasinë e vetme të këtij emërimi(pasi nën zë thuhen gjëra të tjera në mes tij dhe drejtueses politike të qarkut Shkoder, Elisa Spiropalit), por habitës është fakti se ish- kryebashkiaku 70 vjeçar, me dosje të hapura në SPAK, merr postin e nënprefektit, jashtë çdo logjike morale, politike dhe ligjore.
Sapo u bë publik lajmi i emërimit të tij, ka shpërthyer një valë reagimi dhe refuzimi masiv, jo vetëm tek qytetarët, pasi këta të fundit e larguan me votë masive, por dhe brenda strukturave të degës lokale të PS.
Drejtues dhe eksponentë të kësaj dege, kanë konfirmuar papajtueshmërinë e tyre me këtë emërim, pasi sipas tyre, është e papranueshme që humbësi më i madh i së majtës në Pukë përgjatë këtyre 3 dekadave, të emërohet në këtë pozicion, pasi në vend të analizës për humbjen katastrofale të 14 majit, qendra përmes emerimit të tij, si shkaktari kryesor i humbjes, zgjodhi poshtërimin e anëtarësisë.
Ish-kryebashkiaku Gjon Gjonaj, i cili drejtoi Bashkinë e Pukës për 8 vite, humbi më 14 maj përballë rivalit të tij Rrok Dodaj me mbi 1 mijë vota diferencë, ndërkohë që përgjatë drejtimit të tij, kanë qenë të shumta skandalet dhe aferat të bëra publike nga media të ndryshme.
Ajo që duhet theksuar, është fakti se me nënprefektin e ri Gjon Gjonaj, lista e zyrtarëve të PS nën hetim nga SPAK-u, bëhet dhe më e madhe, ndërkohë që për ish-kryebashkiakun të tjera dosje pritet të depozitohen nga kryebashkiaku aktual, për një sërë shkeljesh dhe aferash të mëdha që kanë zhytur në gropë financiare institucionin e Bashkisë së Pukës.