Europës sot i mungon qartësia

0

Shkruan Zef Ndreka

(Europa e rëndësishme, por gjithnjë e më pak e fortë).
Europa ka qenë për shekuj qendra e qytetërimit botëror. Nga filozofia greke tek e drejta romake, nga Rilindja tek iluminizmi, nga revolucioni industrial te koncepti modern i demokracisë, kontinenti ynë i ka dhënë formë mendimit, shtetit dhe vetë idesë së shoqërisë moderne. Edhe sot, Europa mbetet një nga hapësirat më të zhvilluara në botë, me ekonomi të fuqishme, me standarde të larta jetese dhe institucione demokratike të konsoliduara. Por përballë realiteteve të reja globale, po bëhet gjithnjë e më e qartë se rëndësia e saj historike nuk përkthehet më automatikisht në fuqi reale.
Sepse, dobësia e Europës sot buron nga struktura e saj politike. Vetë Bashkimi Europian është një projekt unik, por jo një shtet i unifikuar. Ai përbëhet nga 27 vende me interesa të ndryshme, me histori të ndryshme dhe prioritete të ndryshme. Vendimmarrja në BE kërkon konsensus, kërkon negociata të gjata dhe balanca delikate. Por sot në botë krizat po shpërthejnë me shpejtësi, me luftëra, me tensione gjeopolitike, me sulme kibernetike, me kriza energjetike, që do të thotë se ky ritëm i ngadaltë e bën Europën të duket shpesh e pavendosur. Fuqitë e tjera në botë, po i shohim të veprojnë shpejt dhe me një zë, ndërsa Europa shpesh flet me shumë zëra njëherësh.
Po ashtu, kontinenti ekonomik është gjigant, por xhuxh ushtarak! Deri më sot, siguria europiane mbështetet kryesisht në NATO, pra në SHBA. Kjo gjë, krijon një varësi strategjike që kufizon pavarësinë e saj si aktor global. Kështu, Europa një fuqi që nuk kontrollon plotësisht sigurinë e vet, nuk mund të jetë plotësisht e lirë në vendimmarrje. Europa ka zgjedhur për dekada fuqinë e butë, diplomacinë, ligjin ndërkombëtar, ndihmën ekonomike. Por bota sot ka hyr në një fazë ku po rikthehet gjuha e forcës, dhe ky transformim e ka gjetur Europën të papërgatitur.
Një faktor i rëndësishëm për këto, është edhe lodhja nga krizat e njëpasnjëshme. Kriza financiare, pandemia, lufta në Ukrainë, pasiguria energjetike dhe polarizimi politik i brendshëm kanë dobësuar kohezionin e brendshëm. Vendet europiane po përballen gjithnjë e më shumë me frikë sociale, me rritje të populizmit dhe skepticizëm ndaj institucioneve. Energjia politike shkon në menaxhim emergjencash, jo në vizion afatgjatë.
Por jo më pak e rëndësishme është kriza e identitetit. Europa deri më sot nuk ka vendosur akoma nëse do të jetë federatë e vërtetë, do të jetë bashkim ekonomik, apo thjesht komunitet vlerash. Pa një projekt të qartë politik, është e vështirë të ndërtohet fuqi e qëndrueshme. Historia na ka treguar se fuqitë e mëdha kanë pasur gjithmonë një ide qendrore që i ka bashkuar, ndërsa Europës sot i mungon pikërisht kjo qartësi.
Megjithatë, të mendohet se Europa po dobësohet apo po bie, nuk është e vërtetë. Ajo nuk po shembet pavarësisht presioneve, por po humb peshë relative në këtë botë që po bëhet gjithnjë e më e ashpër, më konkurruese dhe më pak e rregulluar nga normat. Europa mbetet model për demokracinë, për të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor. Por këto vlera, pa forcë politike dhe strategjike që ti mbrojë, rrezikojnë të mbeten vetëm ideale.
E ardhmja e Europës varet nga aftësia për tu thelluar në bashkim, pra një politikë e jashtme më e unifikuar, me kapacitete të përbashkëta mbrojtjeje, me pavarësi energjetike dhe teknologjike, si dhe institucione më efikase. Vetëm kështu rëndësia e saj historike mund të shndërrohet sërish në një fuqi reale.
Europa ka qënë dhe është ende zemra morale e botës moderne. Sfida e saj është të bëhet edhe një nga muskujt e saj, si fuqitë e tjera ushtarake…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu