Byroja Federale e Hetimeve është e shqetësuar lidhur me mundësinë e një sulmi të organizuar në Shtetet e Bashkuara, të ngjashëm me masakrën në sallën e koncerteve në Rusi muajin e kaluar, tha drejtori i FBI-së përpara një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të enjten.
Shtetet e Bashkuara përballen me kërcënime të sigurisë publike dhe kombëtare, tha përpara ligjvënësve drejtori i FBI-së Christopher Wray gjatë një seance për buxhetin.
Masakra e 22 marsit në një sallë koncertesh në periferi të Moskës la të paktën 144 të vrarë, sulmi më vdekjeprurësi në Rusi në 20 vjet. Një degë e grupit militant të Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, por Presidenti Vladimir Putin ka kërkuar ta fajësojë Ukrainën pa ofruar prova.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimet lidhur me mundësinë e një sulmi të kryer nga një individ apo grup i vogël i frymëzuar nga lufta në Gazë midis Izraelit dhe Hamasit. Por FBI-a ka shqetësime në rritje lidhur me një sulm të koordinuar pas masakrës në Rusi.
Në fund të vitit fiskal 2023, FBI-a kishte të hapura 4000 hetime ndërkombëtare për terrorizëm, sipas dëshmisë me shkrim nga Wray.
Shqetësim në rritje “është potenciali për një sulm të koordinuar brenda vendit, i ngjashëm me sulmin e ISIS-K që ndodhi në Rusi disa javë më parë”, tha për ligjvënësit Wray.
Wray përmendi shqetësimet e agjencisë në lidhje me terrorizmin në përpjekje për të bindur ligjvënësit për të shtuar fondet për FBI-në, megjithëse ka të ngjarë të përballet me një kundërshtim të fortë nga ligjvënësit republikanë.
Wray ka lëshuar paralajmërime të ngjashme në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së SHBA në të kaluarën.
Ai U paraqit të enjten para komisionit të ndarjeve buxhetore për një dëgjim buxhetor të titulluar “Kërkesa e vitit fiskal 2025 për Byronë Federale të Hetimit”.
FBI kishte kërkuar një buxhet prej 11.3 miliardë dollarësh.
Një paketë fiskale e vitit 2024 e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në fillim të kësaj jave dhe duke u shqyrtuar nga Senati do të financonte FBI-në me 10.7 miliardë dollarë, ose 654 milionë dollarë më pak se niveli i miratuar në vitin 2023, sipas një përmbledhjeje republikane të Dhomës së Përfaqësuesve.