Shkruan Zef Ndreka
Situata që është krijuar me pezullimin e Belinda Ballukut dhe vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për kalimin e çështjes në shqyrtim në themel sjell disa pasoja.
Vendimi praktikisht do të zgjasi pa afat, sepse një shqyrtim në themel nga Kolegji i Gjyqtarëve mund të zgjasë muaj dhe shpeshherë më shumë se një vit, sidomos kur çështjet lidhet me raportet e pushteteve.
Çfarë do të ndodh?
Balluku do të mbetet e pezulluar derisa të ketë vendim të formës së prerë dhe pezullimi i vendosur nga Gjykata e Posaçme mbeti në fuqi.
Ajo nuk mund të ushtrojë asnjë funksion si ministre apo zv/kryeministre, ndërkohë që detyrën e mban vetëm në aspektin formal si titull, por jo në ushtrim.
Por në këto kushte, Kryeministri Rama nuk ka detyrim juridik ta shkarkojë Ballukun edhe pse i ka opsionet ta shkarkojë, duke i propozuar Presidentit emrin e ministrit të ri dhe të mos e shkarkojë, duke e mbajtur të pezulluar derisa të vendosë sistemi gjyqësor.
Të gjitha këto, i lejojnë Kryeministrin të fitojë kohë dhe kjo është arsyeja reale pse Rama nuk po nxiton, sepse juridikisht ai nuk detyrohet nga asnjë nen i Kushtetutës ta zëvendësojë menjëherë Ballukun e pezulluar.
Por edhe qeveria nuk mbetet pa ministër, sepse detyrën e delegon kryeministri tek një ministër tjetër, pasi Kushtetuta dhe praktikat qeveritare kanë këtë mekanizmin kur në rast të pamundësisë për të ushtruar detyrën, Kryeministri delegon përkohësisht detyrën te një ministër tjetër. Kjo ndodh shpesh në mungesë fizike të ministrit, në pezullime si në rastin e Ballukut, në raste hetimesh siç po ndodh dhe në situata emergjente.
Kështu, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk do të mbetet asnjë ditë pa drejtim, pasi Kryeministri Rama cakton ose një zv/ministër që kryen funksionet teknike, ose më shpesh, një ministër tjetër që ushtron detyrën “me urdhër të Kryeministrit”.
Pyetja që shtrohet në këtë rast:
Çfarë ndodh nëse hetimi zgjat shumë në kohë?
Siç po duken gjasat, çështja do të zvarritet për muaj apo vite dhe Rama do e mbaje pezull çeshtjën duke vazhduar të delegojë kompetencat te një tjetër ministër. Kjo mbetet gjithsesi një praktikë e ligjshme, por politikisht e dobët.
Por Kryeministri Rama edhe mund ta shkarkojë Ballukun pas disa muajsh për stabilitet qeverisës, sepse situata politike mund të bëhet e rëndë.
Gjithsesi, qeveria nuk bllokohet, por dobësohet politikisht. Nga pikëpamja funksionale, qeveria do të vazhdojë normalisht, sepse ministria do drejtohet nga një zëvendësues, por nga pikëpamja politike pozita e Ramës do të duket më e brishtë, perceptimi për moralitet institucional do të përkeqësohet, partnerët e qeverisë do të ndihen të pasigurt, SPAK-u dhe GJKKO do të dukën realisht më të fortë dhe konflikti mes ekzekutivit dhe gjyqësorit do të zgjatet.
Të gjitha këto do ta dëmtojnë Ramën më shumë se sa e dëmton shtetin në aspektin administrativ.








